Δευτέρα 29 Σεπτεμβρίου 2008

Eurotraktati për emigracionin dhe kufijtë e frikës...


Eurotraktati për emigracionin dhe kufijtë e frikës...
Ardi Stefa
Javën e kaluar ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE, miratuan Eurotraktatin për Emigracionin. Hapi tjetër është miratimi i tij nga qeveritë e vendeve anëtare të BE deri në 15 tetor të këtij viti.
Sikundër u deklarua nga ministrat europianë, ky traktat vendos bazat për një politikë të qëndrueshme dhe afatgjatë të emigracionit, e cila bazohet në tre vlera:
- Realizmi dhe përballimi. 3.8% e popullsisë së Europës përbëhet nga emigrantë dhe kjo përqindje sa vjen e shtohet nga viti në vit. Çdo vit hyjnë në Europë 1,5- 2 milionë emigrantë. Në Greqi në vitin 2007 hynë ilegalisht 112.000 emigrantë klandestinë.
- Solidariteti dhe drejtësia sociale. Sipas hartuesve të Traktatit, vendosen rregulla për të mundur që Europa të administrojë fenomenin e emigracionit, në bazë të vlerave të Civilizimit dhe të Demokracisë.
- Mbrojtja e të drejtave të Njeriut, vlerë e përbotshme, unike dhe e përhershme. Vlerë, e cila përbën bazën e Demokracisë
Traktati Europian për Politikat e Emigracionit sipas të gjitha gjasave, synon në organizimin dhe administrimin e emigracionit të ligjshëm, dhe luftimin e emigracionit klandestin.
Synimet e këtij traktati përsa i përket emigracionit të ligjshëm janë pesë, ndërkohë që synimi kryesor është elasticiteti i Eueropës përsa i përket emigracionit të ligjshëm, ose për ata emigrantë, të cilët kanë arsimim të lartë dhe janë të kualifikuar profesionalisht, marrja e masave të tjera të reja për studentët dhe shkencëtarët, si dhe nxitja e emigracionit ciklik dhe të përkohshëm.
Përsa i përket luftimit të emigracionit klandestin, propozohet forcimi i bashkëpunimit të shteteve anëtare të BE me vendet prej nga vijnë emigrantët. E keqja e kësaj pike, (për emigrantët), qëndron në faktin se Europa, nënshkruan marrëveshje dypalëshe me vendet “eksportuese” të emigrantëve vetëm në disa raste të caktuara që kanë të bëjnë me arsye humanitare dhe jo vendime legalizimi për të gjithë emigrantët që kanë hyrë qoftë edhe ilegalisht.
Gjithashtu Traktati parashikon dhe propozon arritjen e marrëveshjeve të riatdhesimit të emigrantëve në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ose edhe të atyre europiane.
Objektivi i tretë im këtij Traktati është forcimi i kontrolleve kufitare. Ministrat e brendshëm ranë dakort që t’i jepen organizmit FRONTEX mjetet e nevojshme për kontrollin e kufijve të jashtëm të BE, pa u cënuar rolet dhe kompetencat e shteteve anëtare.
Objektivi i katërt i Traktatit është krijimi i një regjimi unik për azilin në Europë, i cili do t’u japë garanci të përbashkëta dhe një regjim të njëjtë azilantëve, refugjatëve dhe atyre që kanë kërkuar apo kërkojnë mbrojtje.
Obsektivi i pestë i Eurotraktatit është bashkëpunimi me vendet eksportuese të emigrantëve drejt Europës, gjë që do t’i ndihmojë vendet e treta që të kenë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në mënyrë që të kufizohet emigracioni klandestin. Shtetet e BE do të krijojnë programe të tilla, por edhe investime në vendet e treta që të kufozohet jo vetëm emigracioni klandestin, por edhe në faktin që emigracioni tashmë të jetë i ligjshëm.
Ky është kuadri i përgjithshëm i Eurotraktatit për emigracionin.
Hollësirat, megjithatë, fshehin shumë kurthe dhe rreziqe.
“Mëkati” kryesor i këtij Traktati qëndron në faktin se i konsideron dhe do të vazhdojë t’i konsiderojë emigrantët të cilët kanë hyrë tashmë në BE, por edhe ata që do të hyjnë në të, si të përkohshëm. Nuk është e rastit që emigrantët konsiderohen si të jashtëm në historinë Europiane. Në historinë europiane, jo vetëm të zhvillimit ekonomik, por edhe në historinë e zhvillimit kulturor e civil.
Edhe kur u japin nënshtetësinë emigrantëve dhe fëmijëve të tyre vazhdojnë t’i konsiderojnë si të huaj, si të TJERË.
Akoma edhe sot fëmijtë e emigrantëve, të cilët kanë lindur në Europën e Bashkuar konsiderohen e quhen “emigrantë”. Emigrantët e brezit të Parë në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore i “rregulluan” që të banonin në zona të veçanta, të izoluara, në zona ku nuk kishin asnjë kontakt me shoqërinë në të cilën kishin emigruar. Emigrantët e brezit të dytë, të cilët janë më kërkues e të vendosur për të jetuar mirë në Europë, Europa po i zbulon tani. Si të jenë zgjuar befasisht nga një ëndërr, si të kenë zbuluar befasisht se ata ekzistojnë.
Dhe këtu nuk flasim përndryshime ndërmjet dy vizioneve, por për ndryshimin ndërmjet një politike, e cila bazohet në një radhë vlerash igumenike dhe në një politikë, e cila mohon vetë dimensionin që ndërton atë që është politikë, e mbështetur në frikën, në frikën ndaj emigrantëve, në frikën ndaj krimit, etj, etj...
Prandaj edhe politika mbizotëruese, edhe në këtë Eurotraktat për emigracionin është ajo që “Emigrantët janë të përkohshëm, mysafirë dhe si të tillë duhet që të adaptohen me vlerat politike e kulturore, që përcaktojnë shtetin dhe kombin në të cilin gjenden. Është vendi ynë, ose duajeni, ose ikni!”.
Ky është mesazhi që lëshojnë në shumicën e rasteve shtetet anëtare të BE, pavarësisht se shumë vende të zhvilluara europiane si Gjermania, ua dedikojnë zhvillimin dhe prosperitetin e tyre, në njëfarë mase edhe zbatimit të politikave të qarta në lidhje me emigracionin.
Prandaj edhe në këtë Eurotraktat, për të cilin thashë se fsheh shumë rreziqe, toleranca ndaj të Tjerëve, respektimi i të ndryshmes dhe hapja ndaj saj, shoqërohen nga një frikë maniake se mos emigrantët i shqetësojnë. Me dy fjalë: Gjithçka mirë me Tjetrin, me kushtin që nuk do të përzihet në çështjet e shteteve ku është “mysafir”, me kushtin që Tjetri nuk do të jetë gjithmonë një Tjetër.
Kështu që toleranca koincidon edhe në këtë traktat përparimtar me të kundërtën e saj.
Detyrimi im (i europianit) është që të jem tolerant drejt Tjetrit, por kjo nënkupton në realitet që të mos t’i afrohem shumë, të hyj në botën e tij. Pra, ajo që edhe në këtë traktat shfaqet gjithnjë e më shumë si një e drejtë humane themelore që të mos i shqetësojmë (neve emigrantët) europianët, është që të ruhet një distancë sigurie ndërmjet vendasve dhe emigrantëve, qofshin këta punëtorë me arsim të lartë, të kualifikuar apo me aftësi të larta teknologjike, qofshin shkencëtarë që kanë emigruar dhe mbulojnë nevojat e shteteve europiane...
Ardi Stefa

Πέμπτη 25 Σεπτεμβρίου 2008

Shqipëria, e lodhur, prapë hesht…

Shqipëria, e lodhur, prapë hesht…
Ismail Kadare
Pas rënies së komunizmit, pikërisht në kohën që u duk se shumë gjëra do të viheshin në vend ose, së paku, do t’i nënshtroheshin një procesi sqarimi e lustracioni, faza e parë e qortimit të fajit historik, ndodhi e kundërta. Një mjegull e një pështjellim që sa vinte dendësohej u shtri në mënyrë këmbëngulëse në të gjitha fushat e jetës.
Fakti që sot, në kohën që po shkruhen këta rreshta, Shqipëria, për turp të saj, ende po lëkundet t’i hapë ose jo arkivat e fshehtë, të dënojë ose jo krimet e komunizmit, dëshmon më së miri katastrofën morale që ky vend e pranoi si një kalendar të përditshëm. Një vend që refuzon të shqyrtojë ndërgjegjen e vet, tregon se nuk ka asnjë vullnet t’i thotë lamtumirë së keqes, rob i së cilës ka qenë.
Para ca kohe ende na dukej se ende e kishim të drejtën të krenoheshim që përmbysja e diktaturës ndodhi te ne pa përplasje. Dyshoj se së shpejti, në qoftë se ende nuk do t’u japim plotësisht të drejtë atyre që mendonin se një përplasje do të ishte, ndoshta, më e shëndetshme se ky flirt i shëmtuar më të keqen, së paku do t’i dëgjojmë me vëmendje. Flirti ka qenë dhe vazhdon të jetë tepër i rëndë. Ai po thyen në mes moralin shqiptar dhe thyerja e këtij morali është baza ushqyese e korrupsionit, kundër të cilit flasim aq shumë e bëjmë aq pak.Për t’u kthyer në fushën e kulturës, kemi qenë të gjithë dëshmitarë se si druajtja e ditëve të para u kaloi shumë shpejt njerëzve që ishin zhytur në krim, denonciatorëve, ata që pa asnjë mëshirë kishin çuar drejt burgut ose pushkatimit kolegët e tyre, ata që as vendet e quajtura “borgjeze”, demokracitë europiane, nuk i falnin. Druajtja iu doli shpejt, sepse shumë shpejt e kuptuan se ata, jo vetëm nuk dënoheshin, por, përkundrazi, filluan të çmohen. Të dy krahët e politikës i quanin thesar të paçmuar dijenitë që kishin për militantët e përlyer të krahut kundërshtar (dijeni të grumbulluara gjatë kohës që kishin qenë në pushtet), sepse në këtë mënyrë do të mund te shantazhonin krahun tjetër, sipas parimit: ti mos prek të mitë, unë s’prek të tutë.
Kjo ndodhi në të gjitha fushat, e sidomos në kulturë. Dhe kështu, llumit të kulturës shqiptare jo vetëm i doli droja, por u ndie i inkurajuar si dikur dhe, si dikur, me oreks të shtuar nisi të kërkojë poste, ndere, dekorata, tituj akademike etj., që qeveritë shqiptare të të dy krahëve, me një bujari të paparë po ua jepnin dhe vazhdojnë t’ua japin ende sot.Zërat që u ngritën kundër një flame të tillë, shkrimet dhe librat që u botuan, ndër të cilat vepra monumentale, si “Rrno vetëm për me tregue” e At Zef Pllumit, ose vepra të rëndësishme e tronditëse, si “Lufta civile në Shqipëri” e Uran Butkës, “Disidentë të rremë” e Sadik Bejkos, e të tjera si këto, nuk e ndalën dot përroin e turbullt që nga rrënojat e diktaturës po ngrinte prapë në sipërfaqe njerëzit e saj.Në sulmin e saj e keqja sa vente bëhej më e pafytyrë. Jo vetëm s’dukej asnjë shenjë e ndëshkimit për denonciatorët e veglat e terrorit komunist, por postet që ata zinin arrinin përherë lartësi të reja. Gjithë Shqipëria e dinte, ndërkaq, se ata kishin zënë vend në parlament, në partitë politike, në qeveritë e të dy krahëve, por Shqipëria e lodhur ose e papërgjegjshme u pajtua me këtë shëmti. Gjithë Shqipëria i shikonte dhe vazhdon t’i shikojë përnatë në ekranet e televizorëve, ose edhe më keq, në tribuna festive, ku, shëmturisht të mallëngjyer, marrin tituj nderi, ata, shumë prej të cilëve do ta kishin vendin në burg. Dhe Shqipëria, e lodhur, prapë hesht dhe mësohet me të keqen.

Poetët e vrarë nga shteti

Poetët e vrarë nga shteti
Ismail Kadare
Atje pasi i shkuan në plumb, ashtu në pranga siç ishin, i rrokullisën në gropën e hapur, mbi të cilën, pas hedhjes së baltës, nuk vunë as gjurmë as shenjë, në mënyrë që të mos i gjente dot askush. Ky është epilogu i librit tronditës të Sadik Bejkos me titullin prej balade: “Vilsoni dhe Genci”. Ky libër, ashtu si memoriali i tyre përuruar pak kohë më parë, ashtu si shkrimet që na lanë, ashtu si kujtesa jonë, i ngre ata nga toka, plot dritë e shkundëllimë, për të rrokullisur në gropë e në baltë vrasësit e tyre, e bashkë me ta, epokën e krimit komunist në Shqipëri. S’ka shumë kohë, Këshilli i Evropës, pas shumë pengesash, nxori, më në fund, Rezolutën historike për dënimin e krimeve të komunizmit. Të gjitha vendet ish-komuniste janë vënë përpara kërkesës për pastrimin e ndërgjegjes së popujve që kaluan nëpër këtë kalvar. Në qoftë se gjithë vendet e Evropës ish-komuniste ndodhen sot të përfshirë në këtë proces të vështirë moral, Shqipëria duhej të ishte në radhën e parë të tij. Dhe kjo, për arsyen e thjeshtë se, ndërsa në të gjithë treguesit e jetës Shqipëria zinte vendin e fundit, kishte një tabelë ku, për turpin e saj, zinte vendin e parë: atë të krimit shtetëror. Per fat te keq, Shqiperia e sotme, aq e zellshme në të keqen që shkoi, nuk po tregon asnjë ngut për t’u ndarë prej saj.
Jo vetëm kaq. Ka njëfarë kohe, që hapësira mediatike dhe botimet shqiptare, kanë pësuar një përmbytje të paparë prej pranisë gati nostalgjike të regjimit që u përmbys. Kujtime e dëshmi të dyshimta, mashtrime uluritëse, portrete xhelatësh me ngjyra të rreme, kureshti rozë e falsifikime pa fund, të gjitha këto janë të shkruara nga njerëz që hiqen sikur nuk kanë parë, madje as kanë kuptuar se ç’ndodhte. E këta bablokë kinse naivë, jo vetëm që kanë ditur gjithçka, jo vetëm kanë ndjekur me admirim xhelatët te sheshi i varjes apo pushkatimit, por shpesh ka ndodhur që i kanë dhënë viktimës plumbin e fundit, për të festuar pastaj, siç e tregon Sadik Bejko në librin e tij “fitoren mbi armikun e klasës”. Raporti me krimin është një nga raportet themelore të një populli me ndërgjegjen e vet. Pa pastrimin e saj, asnjë popull nuk mund të ketë një shëndet moral normal. Një pjesë e madhe e zvetënimit të paparë që po përjeton Shqipëria sot, lidhet me këtë proces të munguar. Pas librit monumental “Rrno për të tregue”, të At Zef Pllumit, libri “Vilsoni dhe Genci”, është i dyti që po botohet kohët e fundit në këtë rrafsh. Në kohën kur diktatura e përmbysur përpiqet të riciklohet nëpërmjet shtypit dhe botimeve në jetën shqiptare, libra të tillë janë si ledhet që do t’i presin udhën sulmit të saj. Ndaj këta libra e këto ledhe duhet të shtohen e të forcohen gjersa ta vënë në gjunjë të keqen, gjersa ta detyrojnë të heshtë krrokamën e saj.

Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur?

Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur?
Ardian Klosi
Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur? Së jashtmi i duhet më së pari flamuri i vet dhe emblema kombëtare, pa i duhet të ketë një qeveri dhe një parlament, një imn e një ushtri, pulla poste të vetat, si dhe të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara, të presë dhe të dërgojë ambasadorë me vendet e huaja. Ndërsa së brendshmi, që të jetë i pavarur, i duhet të ketë një qeveri dhe një parlament, të pavarura në veprimet e tyre, komunitete qytetare që vetëvendosin me administrata në shërbim të tyre, një qeveri që i dëgjon këto komunitete dhe administrata dhe vepron në drejtimin që ato kërkojnë dhe që është në interes të të gjithë vendit.
Po t’i vështrojmë këto tipare të një shteti në krahasim me Shqipërinë, do të vërejmë se atdheu ynë i ka të gjitha simbolet e jashtme për të qenë shtet, me himn, flamur, pulla poste e të tjerat, por i mungojnë treguesit e tjerë, ata të brendshmit, për të qenë vërtet shtet dhe për të qenë vërtet i pavarur.
Shqipëria ka në letër një demokraci që nuk funksionon në realitet. Asgjëkundi, komunat ose bashkitë nuk veprojnë si zëdhënëse dhe bartëse të interesave të qytetarëve, për arsye se ose janë shumë të varfra për ta bërë këtë gjë, ose janë shumë të korruptuara dhe kështu plotësojnë njëherë interesat e vetvetes dhe të klaneve që i mbajnë gjallë, e ç’të mbetet shkon për ndonjë rrugë a ndonjë kabëll për qytetarët.
Duke qenë që demokracia në nivelin më të ulët nuk funksionon, nuk funksionon as parimi i subsidarietetit, domethënë ngjitja shkallë-shkallë e vullnetit të qytetarëve deri në qeverinë qendrore. Qeveria qendrore, pasi merr mandatin e saj katërvjeçar prej votuesve, vepron praktikisht si një organizëm krejt i pavarur nga këta votues, vendimet e saj kanë nevojë veç për një shumicë të thjeshtë në parlament, për opinionin publik mjafton pak demagogji e liderve politikë.
Po mirë, mund të thuhet, këtu kemi të bëjmë me autarki, si jodemokraci, kurse pavarësia në vetvete nuk diskutohet.
Mirëpo pikërisht këtu, në nivelin më të lartë, shfaqet problemi i pavarësisë. Qeveria a qeveritë shqiptare prej vitit 1992 kanë vepruar si organizëm i pavarur ndaj elektoratit, por jo si i tillë ndaj vendit të tyre dhe më gjerë, ndaj rajonit e kontinentit. Një shumicë e vendimeve të këtyre qeverive – nuk po sjellim shembuj, se janë të pafund – janë marrë ose në morsën e të ashtuquajturve ndërkombëtarë, ose pse kështu e ka dashur interesi i disa shteteve europiane a fqinje ose interesi i SHBA, ose, dhe ky rast i rëndomtë, pse kështu e ka dashur interesi i shumëkombësheve ose kompanive të fuqishme që janë bashkëbisedues apo diktues të këtyre qeverive. Si në rastin kur vendimet e qeverisë shqiptare janë diktuar nga qeveri fqinje a më larg, si në rastin kur diktati ka ardhur prej kompanive të mëdha, si në rastet e shumta kur nuk mund të flitet ndoshta për diktat por për korrupsion të pastër, një tipar është i kudondodhur: mungesa e pavarësisë dinjitoze të një shteti në vendimmarrje tepër të rëndësishme për të: pavarësia e vendit tonë, pavarësia e kombit dhe qytetarëve shqiptarë është cënuar rëndë nga vendime që shkojnë kundër interesave të tyre.
Një nga treguesit më të qartë që shtetit tonë i mungon pavarësia e mirëfilltë pasqyrohet në mungesën e një strategjie kombëtare. Është Shqipëria një vend kryesisht me karakter bujqësor-blegoral që përpunon dhe eksporton produktet përkatëse? Apo mos praktikon kryesisht industritë e lehta përpunuese? Është Shqipëria një vend tregtar që i nxjerr fitimet kryesisht nga qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve përmes territorit të saj? Apo mos është Shqipëria një vend kryesisht turistik, çka do të përputhej me natyrën dhe peizazhet e saj aq tërheqëse dhe me drejtimin që kanë marrë vendet fqinje bregdetare? Asnjë gravitet prej këtyre, ose shumë pak nga të gjitha. Shumica e qytetarëve shqiptarë vazhdon të jetojë sot prej parave që prodhohen në vende të tjera, qofshin këto si fitime të emigrantëve, qofshin si veprimtari ndërtuese që e ka burimin po nga jashtë, qofshin si para e mbetur prej fitimeve që nxjerrin kompanitë e huaja në Shqipëri.
Po atëherë, cili është roli i qeverisë shqiptare në këtë ekonomi që ecën spontanisht, pa asnjë kriter e strategji? Në pozicionin normal politikanët qeverisës janë menaxherët më të mirë të një shteti, janë njerëzit që kallin vizionin e tyre ose vizionin e elitës së një vendi brenda një strategjie kombëtare, janë menaxherët që ndihmojnë të ngrihet në këmbë bujqësia, vreshtaria, blegtoria masive, pylltaria, industria nxjerrëse dhe përpunuese, shërbimet financiare dhe ato siguruese etj., etj. Asgjë nga këto. Po mirë, po ç’bëjnë atëherë qeveritarët tanë?
Qeveritarët tanë shesin. Po po, ata janë shitësat më të mëdhenj, më të paskrupullt e më të pakontrolluar të këtij vendi. Po të vëresh me kujdes, të gjitha veprimet më të mëdha, më të bujshme, daç të qeverive socialiste, daç të kësaj që kemi sot, janë shitjet: shitja e Bankës së Kursimeve, shitja e Aeroportit (edhe pse këto të dyja të suksesshme), shitja e Telekomit, shitja e Kasharit dhe një numri pikash të tjera të vendit për djegien e plehrave italiane, shitja e Sazanit, shitja e Karaburunit, shitja e pjesës veriore të Gjirit të Vlorës për TEC-e, Petroliferën dhe AMBO-n, shitja e zonës së Semanit për industri gjigande gazi, shitja e periferive të Elbasanit për TEC-e të tjera gjigande, shitja e zonës Krujë-Fushë-Krujë për pesë fabrika të hatashme çimentoje, shitja e qendrës së Tiranës për kazino, shitja e vendeve ende të panjohura të Shqipërisë për centrale bërthamore, degradimi i gërdallës KESH me sa duket për ta shitur, shitja e…
Po ç’nuk shesin këta? Le që ia kanë vënë edhe vetë çmimin tokës shqiptare: Zero ose 1 euro! Ka më poshtërim?! Njerëz që nuk dinë të organizojnë, që nuk dinë të ngrejnë në këmbë e të mbajnë në funksionim një shtet normal, njerëz me lakmi të papara për veten dhe për klanet e tyre, janë sulur me babëzi ndaj resurseve më të mira të Shqipërisë, ndaj tokave, pyjeve dhe plazheve më të virgjëra të saj, për të shitur sa më shumë brenda një kohe sa më të shkurtër. Pa pasur kurrfarë mandati nga qytetarët e Vlorës kërkojnë ta kthejnë atë gjë në gji nafte, pa marrë asnjë lloj lejeje nga popullsia në Krujë e Mamurras presin 150 hektarë pyll për industri çimentoje, që me ato kapacitete natyrisht që nuk është menduar për Shqipërinë, kërkojnë të përmbytin gjithë fshatrat e Dibrës për një hidrocentral që as ai nuk do të jetë pronë e shqiptarëve, por që jepet, si zakonisht, me koncesion për të huaj.
Në gjithë këtë ankth, ku Shqipërisë nuk i mbetet asnjë industri, asnjë transport, asnjë pikë energjie e asnjë telefoni e vetja, nuk është aq sedra kombëtare që goditet e vuan, por fakti tjetër që po merr konture përherë e më të qarta: Këtij vendi po i projektohet dhe realizohet një e ardhme e frikshme si abort i kontinentit. Po po, për ta thënë më popullorçe Shqipëria si qenef i Europës plakë. Këtu vijnë e shkarkohen depozitat e Malagrottas, këtu vjen dhe bën qejfin e saj në 18 hektarë “Petrolifera” për të mos ndotur bregdetin e Adriatikut kundruall, këtu janë parashikuar të paktën shtatë gjire bregdetare për depozita nafte e gazi, këtu derdhet terminali AMBO, këtu projektohen gropa për mbeturina të rrezikshme bërthamore… Shqipëria si një koloni mjedisore e BE-së dhe më larg. Dhe pastaj gjithë aktorët mjekërshkurtër që ngrenë gishtin lart si ndërkombëtarë të zemëruar, për të na thënë se nuk po bëjmë detyrat e shtëpisë! Ah, sa pak jemi që e dimë se ata kështu na duan, të varfër e kokëulur, servilë, pa ndërgjegje mjedisore e pa kurajo qytatare. Bëjnë pastaj sikur dëshirojnë të na futin në BE, por s’munden se fajin e kemi ne, politikanët tanë konfliktualë, krimi i organizuar dhe e shtyjnë dhe e shtyjnë anëtarësimin, heqjen e vizave, vendosjen e dinjitetit shqiptar për në kalendat greke.
Jo se jemi vetë ne shqiptarët më të mirë. Kemi shumë gabime dhe vetëdije vërtet të ulët ekologjike, që me mënyrën si sillemi me plehrat tona. Ndaj kur shohin ata këtë gjendje, thonë: po pse mos ua shtojmë ca plehra të tjera? Ata mbajnë e durojnë shumë!
Ja pra, kjo është pavarësia që festojmë sot. E bukur në simbolet e saj, prekëse në Sheshin e Flamurit në Vlorë, por e goditur dhe e cënuar keq në brendi, rrëqethëse aty ku ka filluar të pritet pylli i pishave pak mbi atë Shesh. Dhe më e bukura është se këtë pavarësi na e festojnë shitësat…
Por, po ta mendosh hollë-hollë edhe Ismail Qemali, 95 vjet më parë shpalli një pavarësi virtuale. Asnjë nga shtetet dhe fuqitë e mëdha të kohës nuk e njohu pavarësinë dhe shtetin e tij. Po kështu edhe ne sot i gëzohemi një pavarësie virtuale. Vetëm se shpeshherë në histori çmohet akti dhe vizioni. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe gjithë të tjerët bënë një akt të madh dhe patën ëndrrën e një Shqipërie zonjë të rëndë e me dinjitet. Prandaj dhe i nderojmë. Po kështu edhe neve na josh ëndrra e një Shqipërie të pavarur dhe normale, ku shitësat rrëzohen nga kolltuqet dhe dërgohen t’i bëjnë allishverishet e tyre në këmbë, në tezga normale, ndërsa populli nxjerr në krye përfaqësuesit e vet më të mirë.

Τετάρτη 24 Σεπτεμβρίου 2008

Raport i komisionit ndërpartiak për ndjekjen e politikave të emigracionit


Raport i komisionit ndërpartiak për ndjekjen e politikave të emigracionit

Me tekstin e mëposhtëm kanë rënë dakort të gjtha partitë parlamentare, përveç KE, e cila ka paraqitur propozimet e saj.
Raporti ka mbushur pothuajse një vit, por nuk është publikuar ende në mënyrë elektronike.

Vlerësimi i politikave të deritanishme, i rezultateve të kësaj politike. Konstatimi i problemeve, në masa praktike dhe iniciativa ligjvënëse. Propozime të komisionit.

Këtu e shumë shekuj njerëzit largohen nga atdheu i tyre në vende të tjera. Ose duke braktisur atdheun për shkak të luftërave, ose të ndjekur nga regjimet totalitare, ose edhe të detyruar nga varfëria, papunësia dhe gjendja e vështirë ekonomike. Konkluzioni është se njerëzit emigrojnë pasi e kanë të pamundur që të jetojnë si njerëz atje ku lindën dhe u rritën.
Përherë vendet eksportuese të emigrantëve duken të lehtësuara nga alrgimi i njerëzve të padëshiruar, apo i një popullsie të tepërt, ndërkohë që vendet pritëse të valëve të emigracionit ndihen të befasuara nga ardhja e emigrantëve, ose edhe të kërcënuara në nivelin ku ardhja e emigrantëve është e padëshirueshme dhe e rrezikshme për tolerancën e tyre.
Përherë vendet pritëse të emigrantëve, normalisht vendet e zhvilluara ekonomikisht, detyrohen dhe e ndryshojnë politikën për emigracionin, në mënyrë që të planifikojnë dhe të përballojnë këtë fenomen.
Në boshtin e të gjithavepolitkave për emigracionin duhet që të jetë njeriu dhe të drejtat e njeriut, si vlera të përbotshme dhe të përhershme dhe si fitore kundrejt dogmave autarkike, por edhe paragjykimeve fetare.
Në të gjitha rastet, të drejtat njerëzore duhet të jenë të respektuaranë ndryshueshmërinë e tyre, duke pasur për bazë vlerat e barazisë, gjithmonë brenda një kuadri të repektit të rendit publik e ligjeve të vendit pritës. Kushtetuta e Greqisë, përcakton qartë se çdo qytetar, i cili gjendet në Greqi ka të njëjtat të drejta me qytetarët grekë.
Shumë vende të zhvilluara (SHBA, Gjermania, etj) ua dedikojnë zhvillimin dhe prosperitetin e tyre, në njëfarë mase edhe zbatimit të politikave të qarta në lidhje me emigracioni.
Greqia ishte një vend “eksporti” emigrantësh. Pa e dashur, pa e kërkuar, befasisht dhe pa e planifikuar në villimet e viteve 1990 u shndërrua në një vend pritës të valëve të emigracionit. Ishte një rrufe në qiell të kthjellët, e cila vuri në provë durimin dhe elasticitetin e shoqërisë greke, në një kohë kur Greqia po përpiqej që të përmbushte kriteret e integrimit të ONE dhe në Eurozonë në vitin 1999.
Greqia u gjend brenda një kohe shumë të shkurtër që të kishte një numër shumë të madh shtetasish të huaj, e cila në përqindje me numrin e përgjithshëm të popullsisë, ishte më e artë se nga i çdo vendi tjetër..
Shteti ishte i papërgatitur që të priste e të administonte valët e emigrantëve, të cilët në shumicën e tyre ishin klandestinë. E pambrojtur ligjërisht dhe e epshme në kufij, kryesisht për shkak të sipërfaqes së madhe kufitare, tokësore apo edhe detare me vendet nga të cilat vinin emigrantët.
Shoqëria ishte edhe ajo akoma edhe më e papërgatitur dhe jo e gatshme që të pranojë në krah të saj grupet e emigrantëve, të cilët kërkonin strehë, siguri, punë.
U shfaqën fenomenet e shfrytëzimit të nevojave që kishin emigrantët nga njëra anë dhe fenomenet e ksenofobisë nga ana tjetër. Valët e emigrantëve për disa vendas ishin dhuratë e rënë nga qielli dhe bekim, ndërsa për disa të tjerë ishin mallkim.

Gjithsesi është pozitiv fakti që relativisht shpejt shteti fitoi dhe krijoi një kuadër ligjor të legalizimit të emigrantëve në vitin 1997, si hapin e parë dhe të krijimit të një politike të qartë të emigracionit në vitin 2001. Pasuan edhe ndërhyrje të tjera ligjore: Ligji 3386/2005 (me 47 qarkore për zbatimin e tij dhe 24 vendime ministrore) dhe ligji 3536/2007. e rëndësishme është se Greqia merr pjesë në zbatimin e programeve ndërshtetërore, por edhe ndërmerr iniciativa, të cilat adaptohen edhe nga ortakët e saj në Europë. Është e mirë që politikat për emigracionin nuk përbëjnë shkak për konflikte politike.

Shoqëria, pas shumë kundërshtive, lëvizjeve dhe shfaqjeve të ksenofobisë, pasigurisë, të cilat rrallë herë kapin kufijtë e racizmit, bashkëjetoi me fenomenin e emigracionit, qoftë edhe me disa plagë të vogla.
Greqia është kufiri i fundit tokësor i BE. Është vendi anëtar i BE që është komshi e drejtpërdrejtë me vendet prej nga vijnë emigrantët, qoftë për të ndenjur përgjithmonë, qoftë edhe tranzit.
Natyrisht që është edhe një kosto e madhe ekonomike për Greqinë ruajtja e kufijve. Për këtë arsye këtu e shumë vjet është kërkuar kontributi i BE, në përballimin e kësaj kostoje, e cila synon në motivin që politikat e përbashkëta europiane përballohet edhe me burime të përbashkëta financiare.
Lind nevoja edhe për diçka tjetër, d.m.th, për një politikë të përbashkët europiane, strategji dhe veprim për fenomenin e emigracionit (klandestin) dhe përballimin e tij. Duke respektuar të drejtat e njeriut, diversitetin dhe vlerat e barazisë qytetare. Me synim integrimin socilal dhe jo asimilimin, brenda një kuadri të respektimit të rendit publik e ligjor grek.

Pas pak vitesh, të gjitha këto do të jenë e kaluar, në rast se nënshtetësia greke u jepet me mirëpuptim të gjithëve atyre që e dëshirojnë dhe që përmbushin kushtet. Emigrantët janë bashkëqytetarët tanë.
Paralelisht, veç Rumanisë dhe Bullgarisë që janë anëtare tashmë të BE, në një kohë të ardhme do të përfshihen në të edhe vende të Ballkanit Perëndimor, në radhë të parë Shqipëria, e cila është në vendin e parë të vendeve importuese të emigrantëve.
Masat që herë herë janë marrë nga qeveritë, vlerësohen si hapa në drejtimin e legalizimit të emigrantëve të huaj në bazë të kushteve, jo gjithmonë elastike dhe shpesh herë ndaluese.
Problemi i emigracionit është një tregues, i cili i tejkalon mundësitë e një vendi. Është pozitiv fakti që BE e përballon roblemin e emigracionit si të sajin dhe jo si problem të veçantë të shteteve anëtare të saj.
Është gjithashtu pozitiv, fakti që BE ndërmerr masa ligjore, sikundër janë udhëzimet për emigrantët që kanë një kohë të gjatë qëndrimi në Greqi, bashkimin familjar dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Gjithsesi politikat e deritanishme europiane janë të mangëta, mbrojtëse dhe më pak integruese, me rezultate mesatare, për shkak të mungesës së koordinimit dhe të nxitjes së praktikave dhe të veprimeve kolegjiale të Europës.

Vlerësime:
Masat që qeveritë kanë marrë në dhjetë vitet e fundit vlerësohen dhe gjykohen në varësi të rezultateve.
Është pozitiv fakti që mbi 500.000 emigrantë janë të ligjshëm, megjithëse ende nuk dihet saktë numri i emigrantëve të ligjshëm dhe i atyre klandestinë. Kanë ndonjë punë, të varur, ose të vetëpunësuar, janë të siguruar nga ana shëndetësore, në shumë raste kanë banesa të tyret, i dërgojnë fëmijtë e tyre në shkolla të niveleve të larta, bashkohen si familje, jetojnë krahas dhe së bashku me grekët, me hapa të ngadaltë, por të qëndrueshëm.
Është pozitiv fakti që kujdesi mjekësor u ofrohet të gjithëve dhe në shumë raste duke mos marrë parasysh statusin e emigrantëve klandestinë. Është pozitiv fakti që minoritarët nga Shqipëria dhe homogjenët e tjerë do të përfitojnë nënshtetësinë greke, me provime të veçanta në çdo rast.
Gjithashtu është po aq pozitiv fakti që shtetasit e huaj, emigrantët, që i përmbushin kushtet dhe që e dëshirojnë do të mundet të bëjnë pasaportizimin në zonat ku banojnë.
Po aq pozitiv është edhe fakti që shoqëria greke, përgjithësisht, pas disa luhatjeve dhe kundërshtive të karakterit ksenofobik e tracist që u kultivua edhe me qëndrimet negative të shumë të huajve, pranoi më së fundi bashkëjetesën.
Gjithashtu pozitiv është edhe fakti që apologjia e deritanishme e kontributit të emigrantëve në zhvillimin ekonomik të vendit është pozitiv.
Por është negativ fakti që disa qindra mijëra shtetas të huaj që jetojnë në Greqi nuk janë legalizuar, qoftë për shkak se kushtet për legalizim ishin tepër të ashpra, ose edhe për faktin se shumë emigrantë nuk e pranuan legalizimin për arsyet e tyre.
Të jetuarit dhe të qëndruarit e emigrantëve në një status ilegal në Greq, bën të mundshëm shtypjen dhe shfrytëzimin e tyre, por shpesh herë edhe negativë për ligjin e rendin në Greqi, sikundër edhe për shoqërinë greke.
Paralelisht procedura e integrimit të tyre është pothuajse e pamundur. Ndërkohë që edhe të drejtat e qytetarëve në jetesen e sigurtë, që Shteti duhet të garantojë, kërcënohen ose ekziston frika e kërcënimit nga individë apo grupime, pa idenditet dhe që nuk kontrollohen nga shërbimet e shtetit.
Është negativ fakti që, megjithë masat e marra në këto dhjetë vitet e fundit, fenomeni i hyrjes klandestine në emigrantëve, megjithëse nuk po lulëzon, vazhdon të ekzistojë. Pothuajse përditë, numrit të madh të emigrantëve të palegalizuar u shtohen disa qindra mijëra të tjerë.
Kështu, shteti dhe shoqëria greke, në vend që të përqëndrojnë vëmendjen e tyre në integrimin social të emigrantëve të ligjshëm, detyrohet të përballojë edhe problemin e hyrjeve të vazhdueshme në territorin e saj të klandestinëve të rinj.
Gjithsesi është pozitiv fakti që BE dhe jo vetëm ka filluar të përballojë me seriozitet problemin e emigracionit, duke nxjerrë udhëzime dhe duke krijuar një politikë unike për emigracionin.
Por është negative fakti që Komuniteti Ndërkombëtar nuk ndërmerr masa, të cilat do të kufizonin në mënyrë drastike, hyrjen e paligjshme. Masa, të cilat do të kontribuonin zhvillimin dhe prosperitetin e vendeve të vendeve që dërgojnë emigrantë drej vendeve të zhvilluara.


Pyetje
Propozimet e Komisionit Ndërpartiak “Për ndjekjen e një politike të emigracionit” duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve si:
a- Çfarë do të bëhet me shtetasit e huaj. Të cilët këtu e shumë vite gjenden në Greqi, por që për njërën apo tjetrën arsye nuk janë legalizuar.
b- Çfarë do të bëhet me emigrantët klandestinë, të cilët kanë hyrë ndërkohë ose që vazhdojnë të hyjnë në territorin e Greqisë? Dhe, veçanërisht çfarë do të bëhet me ata emigrantë klandestinë, deportimi i të cilëve është i pamundur?
Për të dyja këto kategori do të ketë edhe një shans tjetër të dytë për legalizim? Do të legalizohen apo do të ndiqen me masa policore?
c- Greqia do të ngrerë mure përballë emigracionit klandestin me cilëndokosto që kjo do të sjellë? Apo do të këmbëngulë për një kontribut më të madh të BE për ruajtjen e kufijve të jashtëm të Europës, që janë kufijtë e brendshëm të Greqisë, në këtë rast?
d- A do t’u jepen në realitet emigrantëve të huaj të njëjtat të drejta që gëzojnë shtetasit grekë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve? Apo shtetasit e huaj do të trajtohen si trup i huaj, potencialisht ilegalë?
e- Do të nxitet përfitimi i marrjes së nënshtetësisë greke nga ana e emigrantëve që plotësojnë kushtet?
f- Do të luftohet fenomeni i punës së padeklaruar (punës së zezë) të emigrantëve, në mënyrë që të lehtësohet legalizimi i tyre dhe të garantohen të drejtat e tyre në siguracionet shoqërore dhe në punë?
g- Emigracioni do të trajtohet me masa mbrojtëse dhe si çështje politike, ose qoftë edhe si çështje e mprehtë morale dhe e rendit publik, në nivelin që nevojitet dhe që mbrohen t drejtat e njeriut ( nenet 2, paragrafi 1 dhe neni 5 paragrafi 2 i Kushtetutës), e cila parashikohet për cilindo person i cili gjendet në Greqi, pa dallim kombësie, race, feje, gjuhe, apo bindjesh politike.
h- Emigracioni do të trajtohet si mallkim, apo si sfidë dhe shans për përfitime të vendit pritës, ashtu edhe të vendit që “dërgon” emigrantë. Është problem apo shans, në rast se administimi ndërkombëtar është i drejtë?
i- Si do të garantohet krijimi i ligjeve dhe në radhë të parë i politikave të emigracionitpa u marrë parasysh gjendja në lidhje me politikat e përbashkëta europiane, të cilat burojnë nga pjesëmarrja e Greqisë në organizmat ndërkombëtare dhe që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit?
j- Çfarë do të ndodhë me brezin e dytë të emigrantëve, me fëmijtë që lindin dhe arsimohen në Greqi dhe që me mbushjen e moshës madhore përfshihen në kategorinë e emigrantëve të paligjshëm?

Propozime
a- Komuniteti Ndërkombëtar, në mënyrë të koordinuar dhe me planifikim të mirë ka për detyrë që përkujdeset për kufizimin, deri në zhdukjen e shkaqeve që krijojnë emigracionin, kryesisht nga Afrika e Azia. Pra, do të ndihmojë në zhvillimin dhe demokratizimin e menjëhershëm. Kjo do të përbëjë jo vetëm një masë kontrolli të valës së emigracionit, por edhe të demkratizimit të brendshëm, si edhe të zhvillimit e ka për detyrë, jo vetëm si masë kontrolli të emigracionit dhe valëve të emigrantëve klandestinë që hyjnë në territorin e saj, por edhe për shkak të udhëzimeve, traktateve të ndryshme të nxjerra nga BE.
Veçanërisht BE ka për detyrë që të koordinojë politikat dhe strategjitë për emigracionin, në kuadrin e kontrollit, integrimit social të emigrantëve dhe të respektimit tëtë drejtave të njeriut. Përllogaritet se në Europë aktualisht qarkullojnë 5 milionë emigrantë të huaj klandestinë dhe pa dokumenta legalizimi.

b- Shoqëria greke ka për detyrë të demostrojë se lufton kundër racizmit, ksenofobisë e dhunës policore, të respektojë të drejtat e njeriut të çdo personi që jeton në territorin grek. Gjithashtu këtu përfshihen edhe të drejtat përsa u takon kushteve të punësimit, sigurimeve shoqërore, shërbimeve shëndetësore dhe publike. Emigranti nuk duhet të shihet si i leverdisshëm, kur ofron lirë krahun e tij të punës, e as si mallkim kur kërkon të njëjtat kushte e të drejta me punëtorët vendas, por si një qytetar me të drejta të barabarta. Është e padrejtë trajtimi si “peng” apo abuzimi mbi të nga ana e punëdhënësit. Prandaj, përcaktimi “ refugjat” propozohet të zëvëndësohet me terma si “ emigrantë të regjistruar ose të paregjistruar”.
Greqia duhet të vlerësojë faktin se të huajt mbulojnë 115000 vende pune, të cilat sipas të gjitha gjasave nuk do të mbuloheshin kurrë nga punëtorët grekë, ndryshe papunësia në Greqi do të arrinte shifrën zero. Njëkohësisht duhet të kristalizohet një politikë emigracioni, e cila do të organizojë kushtet e emigracionit, duke pasur parasysh se ky fenomen nuk do të ndalojë në vijim, por ndoshta do të ndryshojë vetëm burimi i ardhjes së emigrantëve e nga ana tjetër emigrantët aktualë nuk do të qëndrojnë gjithnjë këtu.
Shoqëria greke e ka për detyrë të kurajojë e të mbështesë përpjekjet e vendeve të tjera ballkanike për të hyrë në Bashkimin Evropian. Me këtë integrim, veçanërishgt të Shqipërisë, burimit më të vjetër e më kryesor të hyrjes së emigrantëve në Greqi- emigracioni do të ndryshojë pamje dhe gjendja do të qetësohet e stabilizohet.
Shteti grek ka për detyrë që të ruajë të blinduara kufijtë e saj, me një përgjegjësi të rritur për nga vetë fakti që kufijtë e saj përbëjnë edhe kufijtë e jashtëm të BE të gjithë shtetasit e huaj që u gjendën apo gjenden këtu (në Greqi) duhet të nihmohen që të legalizohen, pa iu vënë kushte paraprake, siç janë numri i lartë i ensimave dhe paravolave, viza e hyrjes, apo burokracira të tjera.
Shmangia e punës së zezë është detyrë e shtetit, e cila ka të bëjësi me punëtorët e huaj, ashtu edhe me ata grekë. Dhe puna e zezë nuk duhet të rëndojë mbi shpatullat e emigrantëve.

Për këtë arsye propozohet:
Dhënia e lejes së qëndrimit dhe të punës për emigrantët e brezit të dytë, pa asnjë kusht
Qëndrimi pa kushte në Greqi, për të gjithë ata që mbushin moshën 65 vjeç dhe që mbulohen nga fëmijtë e tyre.
Lëshimi i çertifikatave të ndryshme (të lindjes) për të gjithë fëmijtë e lindur në Greqi.
Mundësia e ndryshimt të profesionit, apo edhe lëvizja e lirë e emigrantëve.

Paralelisht propozohet:
Dhënia e mundësisë dhe e shanseve për të përfituar nga të gjitha shërbimet (shëndetësore, arsomore, profesionale, administratës publike) ashtu sikundër ato vlejnë edhe për grekët.
Mundësia e ushtrimit të lirë të besimeve të tyre fetare, në vende të përshtatshme.
Mësime teologjie, veç mësimit të fesë ortodokse nëpër shkolla, edhe për të huajt, por edhe për grekët.
Mësimi i gjuhës amtare të emigrantëve të huaj, gjithmonë në bazë të marrëveshjeve dypalëshe.
Dhënia e të drejtës së votës, në zgjedhjet lokale, për të gjithë ata emigrantë të huaj që kanë mbushur pesë vjet qëndrimi të ligjshëm në Greqi.
Lehtësimi i kushteve për bashkimin familjar
Krijimi i kushteve të përshtatshme për ata emigrantë që kanë një kohë të gjatë qëndrimi në Greqi, apo edhe ata që do të përfitojnë nënshtetësinë greke, pa i rënduar me paravola ato masa të tjera financiare.
Kërkimi i njohjes së mjaftueshme të gjuhës, historisë dhe kulturës greke.
Përgjigjet e shpejta në lidhje me kërkesat për dhënien e nënshtetësisë, pa i rënduar emigrantët me kërkesa e kushte absurde.
Për këtë kategori duhet të ketë kërkesa më të kufizuara e më të pakta, sidomos për fëmijtë e lindur në Greqi.

Cikli i legalizimit me ligjin e fundit duhet që të mbyllet sa më shpejt.
Të bëhet analiza e përfundimeve. Të ketë të dhëna të sakta dhe të besueshme.
Më së fundi, meqënëse është e sigurtë se fenomeni i emigracionit, nuk do të zhduket e as do të pakësohet brenda një kohe të shkurtër dhe Komuniteti Ndërkombëtar e ai Europian do të merren gjatë me të, propozohet shndërrimi i Komisionit ndërpartiak të Parlamentit grek për ndjekjen e politikave të emigracionit, në një organ permanent.

Παρασκευή 19 Σεπτεμβρίου 2008

Rikthimi i Haxhi Qamilit

Rikthimi i Haxhi Qamilit
Nga Arbër Mehmeti
DEBATI PËR IDENTITETIN
Lëvizja Haxhi Qamilste nga pjesa më përparimtare e vendit tonë është konsideruar si simbolika më domethënëse e humbjes së identitetit të atyre shqiptarëve që u unifikuan me pushtuesin, me kulturën e tij, me fenë e tij, madje edhe me kombësinë e tij. “Baba” me ndjekës ishte në kundërshtim me përpjekjet e gjithë atyre patriotëve si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Gjergj Fishta etj, që donin një Shqipëri të pavarur e europine duke u frymëzuar nga moti i madh i Skënderbeut.
Kjo përpjekje vazhdon edhe sot e kësaj dite, sigurisht e mbështetur nga shumë më tepër shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës por kundërshtarët e saj vazhdojnë gjithashtu punën e tyre me zell, në kërkim të mbështetësve të hapur e të fshehur. Ndihmën e parë këta vazhdues të Haxhi Qamilit e kanë marrë pikërisht nga shteti shqiptar, nga politika e tij, në kohen kur thirrej “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pikërisht atëherë anëtarësoheshim në Konferencën Islamike duke demonstruar hipokrizinë ndaj Perëndimit dhe cenuar karakterin laik të shtetit. Sot njeriu që më shumë se kushdo përfaqëson këtë hipokrizi është Rexhep Qosja.
Fjalori dhe mënyra që ai ka zgjedhur për këtë rol e barabisin me Haxhi Qamilin. Sulmi i tij është përqendruar tek qytetari dhe shkrimtari europian Ismail Kadare i cili më shumë se kushdo tjetër gjatë jetës dhe krijimit të veprës së tij ka ushqyer ëndrrën europiane të shqiptarëve, duke mos pranuar për asnjë çast, të identifikohej me kulturën dhe besimin e pushtuesit, kushdo qoftë ai. Kadare shkruan një letërsi të madhe të përbotshme e njëkohësisht letërsi shqiptare, gjë që e bën atë një nga shkrimtarët dhe personalitetet e kulturës botërore më në pah e shqiptarin më të preokupuar e të përgjegjshëm për fatet e vendit të tij. Halli nuk është tek Kadareja si person, por tek kontributi i tij proeuropian.
Atje ku nuk arrinte zëri provincial i politikanëve shqiptarë, andej e këtej kufirit arrinin bisedat e Kadaresë, librat e tij, intervistat e tij, letrat e tij me presidentë e kancelari të SHBA e Evropës për Kosovën dhe luftën e saj historike duke u shndërruar në paladin të kësaj kauze. Ai ka bërë detyrën ndaj kombit të tij. Atje ku propaganda serbe i paraqiste shqiptaret si “shpata” e terrorizmit islamik në Europë, si shpresa e të ardhmes islamike, si kujtim i keq i mundjes së një pjese të Europës apo të princërve mesjetare nga Osmanët, aty paraqitej lideri më europian i Ballkanit Ibrahim Rugova i mbështetur fort nga populli i tij, ku me Nënë Terezën, ku me Papa Gjon Palin, duke fituar gjithnjë e më tepër simpatinë e të fuqishmëve të globit.
Për Kosovën qe një mësim i madh historik, marrëdhënia ndërkombëtare që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë. Ata kanë rastin të kuptojnë më afër kujt ndodhen, shpirtërisht e politikisht, e nga duhet të orientohet shteti i ri.
Shqiptarët kanë bërë rrugë të gjatë, andej e këtej kufirit, për të realizuar ëndrrën e tyre europiane si një nga kombet themelues të kontinentit dhe nuk mund t’i lejojnë vetes më tej të viktimizohen nga politika serbe. Edhe në vitin e mbrapshtë shqiptarët gjetën forcë për t’u ndarë nga murtaja e Haxhi Qamilit, por kujtimi i tij na mbet. Historia është bujare në prodhimin e dordolecëve.
Qosen e mbetur pa punë, në qoftë se, mjekrën e ka hazër, formimin shpirtëror taze, gjithashtu, e këshillojmë të konkurrojë pasi të kalojë provën e zërit për Hoxhë në Kandahar. E, nëse ata nuk e marrin, kurojeni Qosen që të rrijë këmbëkryq në paqe, mbi shiltet apo minderet e veta!

POLITIK! Një emër i bukur për një butik

POLITIK! Një emër i bukur për një butik
Nga Inida Gjata ZHAKU
Ky shkrim është thellësisht Politik. U drejtohet të gjithëve.
Sapo ka nisur një protestë kundër Politikës së “Kallashnikovëve”.
Në emër të Politikës së “Vizionarëve e Sensitivëve”. Mbahet në Sheshin e Politikave të Kryengritjes, ky miting.
Ngjason pak me një Teatër rruge. Të gjithë Vizionarët e Sensitivët, fshehur pas maskës së të Revoltuarit, duke kërkuar me vetulla të ngrysura e hije të rëndë Largimin e Politikës së Vjetër.
Të bashkuar! Në emër të Shqipërisë!
Shpesh herë, vërtitja e emrit të Shqipërisë nëpër raporte ndërkombëtarësh, është përdorur si subjekt polemikash e ballafaqimesh publike Politike. Ndonjëherë me këto raporte është fshirë edhe menderja. Madje një KryeDoktorrrr, e ka rekomanduar si shumë të butë për lëkurën e trashë të shqiptarëve, të cilëve edhe 100 si kjo lloj “letre” nuk do t’ua çirrnin të pasmet e as të përparmet.
Kështu që edhe Sondazhet apo Statistikat që kanë të bëjnë me hallet tona, duke qenë se përmenden nga kushdo, kurdo, sido t’i teket gjithsecilit, kanë marrë disa nota të lehta komike e humoristike duke u shndërruar edhe në subjekt barcaletash.
Dje, pas disa kohësh e shkëputur nga programet televizive, ndoqa Opinion. PD dhe PS përballë njëri tjetrit! Tahiri dhe Ruçi si xhandarë. Xhaferri dhe Nishani si viktima. Fevziu më këmbë. Isha duke shkruar dhe me kufje në vesh, dëgjoja minimal techno nga një producent rus. Atyre u shihja vetëm fytyrat e qëndrimet. Herë pas here kapja ndonjë plan të parë e mund ta kuptoja prej lëvizjeve të buzëve të tyre subjektin e debatit. U vra apo s’u vra! U tha apo s’u tha! U bë apo s’u bë! Fitoj apo humbas! Votoj dhe s’fitoj! Mashtron apo mashtroj! Etj….
Kur befas, Nishani se nga e nxjerr një resme të ekranit të kompjuterit personal, ku sipas një sondazhi në Balkanweb, shqiptarët kishin votuar për Politikën e Vjetër, edhe pas gjithë këtyre përpjekjeve të Opozitës për Kryengritje, 80 e ca përqind!
Po ta shihje pa zë siç po e shihja unë, dukej sikur Nishani reklamonte në TV shpikjen e fundit të shkencës, përsa i përket fshirjes së menderes. Me një klikim dhe faaaap. I pastër e i sigurtë edhe një mandat tjetër. Me gjithë ato letra nëpër duar, diçka e re mbase kish ngjarë, e duhej dëgjuar!
Por, kur nisa t’i dëgjoj me zë llafollogët e atyshëm, kuptova se edhe një herë tjetër në TV nga kompetentët e Politikës, nuk thuhej asgjë e re. Viktimat fajësonin Fajtorët. Fajtorët fajësonin Viktimat. Fevziu më këmbë. Letra sondazhesh e raportesh nëpër duar!
Dhe sot, miting.
Me thënë të drejtën, pas gjithë Politikës që dëgjon nëpër programet Politike kupton se Politika shqiptare është vetëm një muhabet ordiner njerëzish ordinerë dhe asgjë e frytshme për askënd jashtë asaj sfere.
Të vetmet Protesta Spontanisht Qytetare në Shqipëri kanë qenë Thirrjet për Paret. Këngët e mjeruara të shqiptarëve, grabitur nga Politika e Piramidave.
Të nxitur nga Politika Tjetër, kundër Politikës së Vjetër! Kjo është shndërruar tashmë në traditë në vendin tonë. Sheshe mbushur me militantë që thërresin apo shohin vëngër në emër të asaj që u dikton Politika e Mitingut!
Tashmë kjo farsë dihet nga të gjithë. Atje në shesh, të ndodh shumë rrallë të shohësh qytetarë të protestojnë ndershmërisht në emër të diçkaje më lartësuese se sa Politika!
Ndaj dhe ky i fundit, si të gjithë mitingjet e tjerë, për një shoqëri të shushatur prej politikës, nuk përfaqëson asnjë lajm. Asnjë ngjarje. Asgjë më shumë se sa disa Xhandarë që fajësojnë disa Viktima. Asgjë më shumë se sa disa Viktima që fajësojnë disa Xhandarë. Dhe disa gazetarë në këmbë.
Asgjë më shumë se ç’ ka ndodhur nëpër protesta të mëparshme, nuk ndodh edhe këtë herë. Politika i sheh qytetarët si vota. Turmat si mjete. Mirëpo, një politikë e re nuk mund të burojë nga metodat e vjetra. Nga protesta të stisura. Nga të blerë që shiten lirë. Nga të lirë që e shesin veten shtrenjtë. Protestat, po nuk buruan prej thellësisë së zemrës së atij që vuan, nuk do të kenë kurrë asnjë vlerë më të madhe se sa do t’i shtojnë kalendarëve një datë rrëmuje e kaosi urban.
Mirëpo, nëse të tjerat do të funksiononin, e sikur ky vend të mos kish probleme të thella e ku të drejtat e njeriut të paktën të garantonin njëfarë mbarëvajtje sociale, nuk do të kish asnjë problem kjo Shfaqje Militantësh me maska Rastësorësh herë pas here. Mirëpo, duke qenë e ndërgjegjshme për problemet sociale e mungesën e Politikave Reformuese, si shkak i hallakatjes diletanteske të Politikanëve Shqiptarë, uroj që të jetë duke i ardhur fundi kësaj Politikomanie që vetëshpallet si e re e të udhëheq e Bashkuar drejt Batakut të vjetër, duke lënë në harresë e të pazgjidhur çdo problem jetik të këtij populli hallemadh. Uroj që qytetarët ta kuptojnë Politikën si një mekanizëm që ndërton qytetërime, e jo më si një Xhaketë me prerje Moderne!
Politik! Një emër i bukur për një butik!