Πέμπτη 6 Νοεμβρίου 2008

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!
Nga Ardi Stefa
Nga 4 nëntori SHBA ka një president të ri! Një president me ngjyrë!
Ishte vetëm 3 vjeç kur u ekzekutua nga racistët Martin Luter King.
Një 47 vjeçar, i cili nuk ta mbush syrin, por që prej tij i gjithë planeti pret shumë!
Personalisht nuk dua të flas e të analizoj çfarë pritet nga Barak Husein Obama, në mbarë planetin, në politikën e jashtme të SHBA, por edhe në ekonominë e shtetit më të fuqishëm të botës.
Nuk jam specialist e as dua të katandisem qesharak, duke përsëritur ato ç’ka kam dëgjuar prej të tjerëve ne televizonin grek apo kanalet e tjera.
Dua të ndalem thjesht në një fakt, në një mrekulli, e cila mundet të ndodhë dhe ndodh vetëm në Amerikë!
Biri i një emigranti nga Kenia, dhe i një amerikaneje të bardhë, i cili lindi në një kohë kur martesat mikse në SHBA shiheshin me sy të keq...
Bir i një nëne të bardhë, e cila nuk gjente dot punë n Amerikë dhe u detyrua të emigronte në Indonezi për të punuar...
Një fëmijë, emigrant, edhe ai, i cili u rrit nga gjyshërit dhe me mundime e përpjekje të jashtëzakonshme arriti të shmangej nga kriminaliteti i rrugës dhe të studionte në Harward...
Emigrant i brezit të parë, i cili arriti t’i imponohej politikës së SHBA vetëm përpara katër vjetësh...
Bashkëshort i një juristeje me ngjyrë, e cila, ishte stërmbesë skllevërish...
Pikërisht ky njeri, arriti të jetë president i shtetit më të madh të botës, shtet, i cili u njohu të drejtën e votës njerëzve me ngjyrë jo më shumë se përpara dyzet vjetësh...
Pikërisht ky njeri, nga 4 nëntori është presidenti i mbarë planetit!
Pikërisht tek ky njeri qëndron mrekullie, e cila vetëm në AMERIKË mundet të ndodhë!
Nga hiçi të jesh gjithçka!
Nga emigrant i përçmuar të jesh kryetar shteti!
Dhe kjo ndodh vetëm në SHBA, askund tjetër!
Obama është mishërimi i ëndrrës amerikane, i kësaj ëndrre, e cila me gjithë vështirësitë vazhdon të jetë më e fuqishmja, shpresëdhënësja dhe më e prekshmja!
Të paktën mua ky parametër i jetës së Obamës dhe i të gjithë pasardhësve të emigrantëve, të bardhë, apo me ngjyrë, të kuq apo aziatikë që festonin nëpër rrugët e SHBA, Kenias, Indonezisë, Japonisë, më ka lënë mbresa të pashglyeshme.
Ndoshta Obama nuk do të ndryshojë gjë gjatë mandatit të tij, ose do të ndryshojë shumë pak!
Një gjë është e sigurtë: Përmbysja e parë e madhe ka ndodhur!
Ai vërtetoi se Amerika është vendi ku mundet të ndodhë gjithçka, ku mundet të realizohen të gjitha ëndrrat, si nga vendasit, ashtu edhe nga emigrantët dhe bijtë e tyre, qofshin këta të bardhë apo me ngjyrë!...
A. Stefa

Δευτέρα 27 Οκτωβρίου 2008

Vetëvrasja e keqkuptuar!...


Vetëvrasja e keqkuptuar!...
Nga Ardi Stefa

Alber Kamy shkruante: “Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë...
Galileu, i cili zotëronte një të vërtetë shkencore të rëndësishme, e mohoi me shumë lehtësi sapo iu vu jeta në rrezik. Nuk ia vlente të humbisje jetën në turrën e druve për këtë të vërtetë. Toka apo Dielli rrotullohet rreth njëri- tjetrit kjo është gjë pa interes. Nga aa tjetër kam vënë re se shumë njerëz i japin fund jetës, se pse mendojnë që nuk ia vlen të jetohet. Të tjerë paradoksalisht vriten për idetë apo iluzionet, të cilat i japin kuptim jetës së tyre (ajo gjë që quhet arsye për të jetuar, është njëkohësisht një arsye e shkëlqyer edhe për të vdekur!)”.

Vetëvrasja duhet rivendosur në podiumin që i përket, si në akt i mbushur me kuptim dhe vlera. Shpesh herë ata që vetëvriten, ndodh të të kenë rrokur kuptimin e jetës.
Të mësuar që të yshtim vetëvrasjen si një simptomë patologjie, ose të paktën e një çmendurie të çastit, apo mëkat të rëndë, që as Kisha nuk e pranon, kemi harruar të kaluarën e lavdishme që vetëvrasja ka nga mbas. Luftëtarët legjendarë, Samurai, po qe se çnderoheshin, kishin vetëvrasjen si zgjidhjen e vetme.
Ende më tej, vetëvrasja ka ekzistuar si vërtetim i “urtësisë” romantike, si moda mbarëeuropiane e vetëvrasjes që himnizoi Verteri, në romain postulat të Gëtes. Po qe se shtyhemi më këtej në kohë do të shohim se vetëvrasja bëri të famshëm shumë muzikantë e artistë, si Kurt Cobain, i cili bëri lëvizjen më të zgjuar të karrierës së tij, kur hodhi trutë në erë, duke siguruar, në këtë mënyrë në vend në Panteonin e yjeve të mallkuar të rrokut!
Edhe ata që janë përjetësisht romantikë e idealistë të pakorrigjueshëm, sikundër edhe të çmendurit që vrasin veten për të “përfituar”...
Së fundi, le të mos harrojmë edhe aktet terroriste, sulmet vetëvrasëse, të cilat, të paktën për ata që i kryejnë, janë akte të një frymëzimi hyjnor!
Duke jetuar tashmë në dy realitete, në atë shqiptar, por edhe në realitetin politik grek, jemi mësuar që të çnderohen, poshtërohen, tallen e satirizohen funksionarë të lartë të qeverisë (qeverive) pa konstatuar ndonjëherë se ata, për të cilët bëhet kaq shumë zhurmë e janë protagonistë skandalesh, as që e kanë vënë ndonjëherë ujin në zjarr.
Vetëvrasja, në kuadrin e turpërimit, as që ekziston tashmë në fjalorin politik, të jetës politike. As edhe akti më i thjeshtë i dorëheqjes për arsye morale, duket si një atavizëm i kohërave të tjera, ngjan tashmë si një akt kalorësiak i epokave të kaluara, ngjan si një akt kalorësiak i idealistëve të pakorrigjueshëm.
Shumica e politikanëve shqiptarë apo edhe e atyre grekë (pasi në Greqi kam më tepër se një dekadë që jetoj), nuk kanë asnjë lloj problemi që të bëhen rezil ditë e natë, ndërkohë që në të njëjtën kohë kërkojnë me këmbëngulje respektin dhe votën tonë!
Nuk mbaj mend ndonjë politikan nga të gjithë ata që janë kritikuar e janë zbuluar skandale, me vetë ata protagonistë, që të kenë treguar më të voglën shenjë pendimi, qoftë edhe simbolik.
Kështu që, nën prizmin e pacipërisë që mbizotëron në jetën politike e sociale, shembulli i samurajëve që vetëvriten do të duket si shembull për t’u imituar nga politikanët e pacipë e të korruptuar. Më e pakta që do të vërtetonin ishte se ata njerëz kanë të paktën një farë dinjiteti, qoftë edhe kur ajo rezulton nga trysni të mëdha dhe shantazhe.
Jam shumë i sigurtë se ka shumë qeveritarë e funksionarë të lartë shtetërorë që janë të implikuar në çështje kaq të ndyra sa Gërdeci, Firmat Piramidale, çështja Fazlliç e gjithë derivatet e saj...
Gjithashtu është më se e sigurtë që të gjithë ata persona kërcënohen në mënyrë të pamëshirshme nga klanet korruptive me të cilat bëjnë punët e ndyra.
Sikundër është më se e sigurtë se kabinetet qeveritare janë të mbushura me raste skandaloze korrupsioni e krimi, imoraliteti e hollësirash gudulisëse, të cilat mbajnë peng qeveritarët e piramidës shtetërore. Që këta të fundit të mos i shkojnë kundër kryeministrit, apo klanit të tij të korruptuar.
Ndaj edhe zgjidhen ministra pa asnjë lloj biografie, pa asnjë lloj personaliteti, që e shohin Njëshin si kult, si idhull, si njeriun, të cilit i dedikojnë gjithçka.
Dhe megjithëse mbahen peng, askujt nuk i ka shkuar nëpër mend vetëvrasja...
Sepse në parim mund të thuhet se për një njeri të ndershëm, ato që i beson si të vërteta duhet të përligjin veprimet e tij
Ajo, pra, që duhet të na shqetësojë më tepër nuk janë tentativat e vetëvrasjes. Apo vetëvrasjet. Ajo që duhet të na shqetësojë është tentativat e vetëvrasjeve, të cilat duhet të ishin bërë këtu e shumë kohë më parë dhe që as që do të bëhen ndonjëherë.
Secila nga ato tentativa të parealizuara të vetëvrasjeve ka fytyrën e ndonjë politikani, i cili ose nuk ka cipë në faqe, ose u mësua që të notojë për bukuri në llumin që rrethon pushtetin, pa u shqetësuar aspak nga era e ndyrë.
Këta janë më të rrezikshëm se të gjithë ata që janë “vetëvrarë” fizikisht, pasi këta nuk do t’i mësojmë kurrë...

Κυριακή 12 Οκτωβρίου 2008

Këtu mban era tradhti

Ketu mban era tradhti
Mentor Kikia
Nuk e di se si do të jenë ndjerë shqiptarët dje, kur në ekran u shfaqën disa prej ish-zyrtarëve më të rëndësishëm të qeverisë së tyre, teksa u raportonin dy shtetasve të huaj për çështjet e sigurisë kombëtare. Personalisht ndjeva keqardhje dhe njëkohësisht frikë që jam shtetas i këtij vendi dhe që për sigurinë time e të familjes sime përgjigjet një bandë zyrtarësh të papërgjegjshëm, që u japin llogari dy shtetasve të huaj për situatën në kufi, në porte, aeroporte, ushtri e gjetkë. Në mars të vitit 2006, ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ministri i Brendshëm, Sokol Olldashi, i Transporteve, Lulzim Basha, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Pëllumb Qazimi, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Bajram Ibraj, u ftuan një të diel, në një mbledhje në zyrën e Mediut, për t‘i dhënë informacione mbi sigurinë kombëtare një delegacioni "amerikan", sikurse u ishte thënë. Ata pritën gjatë në tryezë, derisa erdhën "amerikanët". Sot, pas dy vjet e gjysmë, ne që nuk ishim në atë mbledhje, mësojmë se ata ishin Tom Rixh, Damir Fazliç dhe një grua që ende nuk dihet se cila ishte.Tom Rixh është sot një shtetas amerikan, që nuk ka asnjë lidhje me politikën dhe administratën zyrtare amerikane. Ai u punësua nga Kryeministri Berisha si këshilltar për çështjet e NATO-s, për shkak të background-it të tij si ish-këshilltar i Presidentit amerikan për Sigurinë. Nuk dihet se me cilin status, Tom Rixh ka mbledhur si një kope zyrtarët më të rëndësishëm të sigurisë në Shqipëri dhe u ka kërkuar informacione për gjendjen në kufi, ushtri, porte e aeroporte. Ndërsa nuk mund ta konceptojmë se me ç‘logjikë ministrat tanë u vunë në rresht për t‘u treguar zorrët e barkut dy njerëzve, që nuk ishin të autorizuar për t‘i marrë këto informacione. Por, ndërsa mund ta pranojmë, sipas logjikës shqiptaro-amerikane misionin e zotit Rixh, i cili gjithsesi ishte i punësuar nga Kryeministri ynë, kulmi i absurdit është që aty ishte edhe një shtetas boshnjak, një njeri që nuk kishte asnjë status legal dhe asnjë raport legal me qeverinë shqiptare. Besnik Bakiu, një ish-zyrtar policie, pjesëmarrës në atë takim, vetëm tani mësoi se personi tjetër nuk ishte një amerikan, por Damir Fazliç dhe gjatë intervistës që dha dje në "Shqip" ishte i shock-uar që ai kishte qenë atje. Fazliç ulet në tryezë dhe mbledh informacione për sigurinë kombëtare shqiptare sikur të ishte Presidenti i Republikës.Në çdo vend të botës kjo është punë e shërbimeve sekrete, të cilët blejnë njerëz dhe informacione për të mësuar të fshehtat e një vendi tjetër. Ndërsa në Shqipëri, një tufë zyrtarësh të lartë vihen në rresht kush e kush të llapë më shumë për gjendjen e sigurisë së vendit të tyre para dy shtetasve të huaj, njërin prej të cilëve shumica as që e njohin se kush është. Në kushtet kur Lulzim Basha është një mik i ngushtë i Damir Fazliç, kur Fatmir Mediu është gjithashtu një mik i ngushtë i tij, nuk kemi pse u kërkojmë atyre shpjegime për këtë. Ndaj, në këto kushte, ne duhet t‘i drejtohemi njeriut që përgjigjet pikërisht për sigurinë kombëtare, atij që është edhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Presidentit të Republikës. Ne kemi të drejtë të dimë se kush e ka lejuar një shtetas boshnjak, pa asnjë lloj raporti zyrtar me qeverinë shqiptare, të futet në një mbledhje për çështjet e sigurisë kombëtare? A ishin në dijeni organet e specializuara dhe shërbimet sekrete për praninë e tij aty? Në çdo vend kjo do të ishte një skandal me përmasat e krimit të tradhtisë kombëtare. Asokohe, kur mediat kanë transmetuar sekuenca nga ky takim, nuk e dinin se cili ishte njeriu që i qëndronte në krah Tom Rixh. Por sot, kur ne të gjithë po mësojmë çdo ditë e më shumë se kush është ky njeri, kemi të drejtë të kemi frikë të jetojmë në një vend si ky. Sot, Fazliç thotë me zë të lartë se është vetëm një biznesmen dhe asgjë më shumë, edhe pse është mik i ngushtë i Kryeministrit dhe i një tufe ministrash dhe fëmijëve e të afërmve të tyre. Edhe pse një biznesmen, ai di fare mirë se ku kanë punuar dhe madje sa shumë janë paguar vajza e Kryeministrit dhe ministri i Jashtëm, ndërsa shërbenin në Prishtinë për të mbledhur dëshmi për krimet që kishin bërë shqiptarët kundër serbëve, për llogari të Gjykatës së Hagës. Një njeri misterioz me njëmijë file të zeza, i përfolur për lidhje sa me mafien aq me politikën kriminale serbe, kryelart, ai thotë se interesohet vetëm për biznes në Shqipëri. Edhe sikur të ishte kështu, një biznesmen me të tilla lidhje, do të ishte vërtet i rrezikshëm. Por, edhe sikur ai të ishte biznesmeni më i ndershëm, përse duhej të ishte në mbledhjen e ministrave për çështjet e sigurisë kombëtare. Madje, një mbledhje e thirrur enkas për të dhënë sqarime. Ja pse ai takim, i zhvilluar në një ditë pushimi zyrtar (nuk kishte ndodhur asgjë emergjente që të justifikonte takimin një ditë të diele) duhet të hetohet. Ja pse Presidenti duhet të ndalet dhe të mësojë se çfarë kanë dërdëllitur ministrat dhe zyrtarët e ushtrisë dhe policisë sonë, ndërsa Fazliç mbante shënime vazhdimisht. Duhet të hetohet se çfarë informacionesh ka qenë i interesuar Fazliç të mësojë. Duhet të verifikohet statusi i këshilltarit të Kryeministrit, nëse kishte apo jo të drejtë ai të thërriste në raport ministrat dhe zyrtarët e ushtrisë e policisë për çështjet e sigurisë. Dhe, mbi të gjitha, përse dhe kush e ftoi Damir Fazliçin në atë takim?Ky hetim duhet ndërmarrë, pasi ne sot dimë publikisht që Fazliç, më e pakta, është një mashtrues dhe një gënjeshtar. Ndërsa foli të enjten në "Opinion", ai gënjeu paturpësisht, duke thënë gjëra të kundërta nga ato që kishte thënë vetëm katër ditë më parë në "Top Channel". "Nuk e kam shitur kompaninë time në Tiranë. Eshtë absolutisht gënjeshtër", tha ai kur u pyet nga gazetari i TCH në Londër. "Po e kam shitur, me një vlerë prej 1.7 milionë eurosh", tha katër ditë më vonë në Tiranë. "Nuk më kanë shoqëruar, nuk më kanë ndaluar, as nuk kam qenë në Bosnjë", tha ai para katër ditësh në Londër, ndërsa u pyet për ndalimin nga policia boshnjake. "Po, më shoqëruan, sepse isha në një lokal me zotin Oriç, të cilin e arrestuan. Më shoqëruan si dëshmitar dhe më pas më liruan", tha katër ditë më pas në Tiranë. Ai tha një tufë me gënjeshtra atë natë, por këto nuk na interesojnë shumë tani. Ne duam të sqarohet se si është e mundur që ministrat tanë i raportojnë për sigurinë tonë kombëtare një njeriu si Fazliç...

Luftë shtetit në emër të pushtetit të Fazlliçit

Luftë shtetit në emër të pushtetit të Fazlliçit
Nga Mero Baze
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpallur dje ofensivën e tij kundër Prokurorisë në shenjë hakmarrje për nisjen e procedimit penal ndaj Damir Fazlliç. Me një hakërrimë të pazakontë, ai kaloi në gatishmëri numër 1 grupin e gatshëm kundër kryeprokurores, Ina Rama, që përbëhet nga ministrat Nishani dhe Alibeaj. Të dy në një kohë, me një zë, dhe me të njëjtin përkushtim, kërkojnë ndëshkim të prokurorëve që kërkuan të thërrisnin në bisedë Damir Fazlliçin, edhe pse ky i fundit ka thënë me gjysmë zëri tek intervista në TV “Klan” se është i gatshëm të përballet me prokurorinë, edhe pse vetë zoti Berisha ka premtuar që do të na e sjellë, sa herë i duhet atij, në Kuvend apo gjetkë. I vetmi vend ku na duhet në këto momente Damir Fazlliç është Prokuroria dhe kryeministri ynë, si kryeministër i fjalës së mbajtur, duhet ta çojë atje. Por ai jo vetëm që s’ka ndërmend ta bëjë, por është gati t’i vërë flakën Shqipërisë për një serbo-boshnjak, mik të shtëpisë së tij, mik dhe ortak të fëmijëve të tij, dhe Lulëzim Bashës. Tërbimi është më i madh se në rastin e hetimeve për Gërdecin dhe akoma më i madh se në rastin e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës. Shkaku është i lexueshëm. Hetimet për Damir Fazlliç të çojnë në zemër të një historie mafioze të kapjes së shtetit prej familjes së kryeministrit. Këtij të fundit do t’i duhen shumë prova të mbrojë një mafioz që ka bërë krim ekonomik në çdo veprim në Shqipëri. Që shqiptarët të besojnë se Parku Energjitik në Porto Romano nuk është pronë e Argita Berishës, Fazlliçit, dhe ndonjë shefi të tij, duhet që Sali Berisha të marrë një vendim të thjeshtë, të mos e ndërtojë Parkun Energjitik aty, ose të shpronësojë pronarët, sipas ligjit të shpronësimeve për interes publik, me çmimin e tokës së kënetës, 100 lekë metri katror dhe ta bëjë qeverinë pronare të Parkut të ardhshëm. Mënyra si ka vepruar familja Berisha për t’u bërë pronare e Parkut Energjitik, është diletante dhe arrogante. Dy kompani qipriote, secila për hesap të vet, me avokate të njëjtë, që është bashkëpronare e studios së vajzës së tij, shërbejnë si mbulesë e familjes në pushtet që ka blerë tokën. Toka e blerë me parapremtimin e kryeministrit për Park Energjitik, është kapje e pastër shteti nga familja e kryeministrit dhe miqve të saj Ai nuk i ikën dot këtij hetimi. Fazlliç duhet të dëshmojë para prokurorëve ç’është bërë më 1.750 milionë euro, për të cilat ai ka dhënë deri më sot tri versione: 1. “Nuk e kam shitur, por e ka sajuar Mero Baze” (“Top Channel”). 2. “Po, e kam shitur, po kam pas asete” (“Panorama”). 3. “Ia kam shitur vetvetes” (B. Fevziu). Ai duhet të dëshmojë për përfaqësitë e firmave qipriote fantazmë, me të cilat Berisha shpiku mënyrën e re të të bërit biznes në Shqipëri. Nëse ai nuk vjen dhe bëhet i pabindur, prokuroria duhet të thërrasë avokaten e tij, Kola, dhe të shpjegojë ajo realisht se kush është pronari i kësaj toke. Kjo natyrisht e lë pa gjumë kryeministrin Berisha, por që një ditë ta zërë gjumi rehat, duhet të lërë drejtësinë të hetojë. Është hera e tretë që shteti i hakërrehet prokurorisë brenda dy muajsh. Fillimisht iu hakërryen pse po kërkonte imunitetin e Fatmir Mediut, më pas në rastin ‘Trebicka’ dhe tashmë në dosjen ‘Fazlliç’. Akuzat ndaj saj janë të njëjta dhe personazhet të njëjtë. Nishani përdoret si xhandar, media e qeverisë si qendër zëri, kurse Alibeaj si grup i gatshëm për ata që i prishin gjumin kryeministrit në prokurori. Kjo ilustron më së miri dyshimet perëndimore se prokuroria është nën presion për shkak të tentimit të saj për të hetuar dosje që tronditin qeverinë. Dosja ‘Fazlliç’ është një Gërdec i paplasur, që s’ka vrarë njerëz, por ka vrarë përfundimisht shpresën e shqiptarëve për një kryeministër me duar të pastra. Kësaj dosjeje i duhet shkuar deri në fund, për vite të tëra, derisa të sqarohet origjina e parave, me të cilat janë blerë dhjetëra hektarë tokë, dhe konspiracioni i shëmtuar me firmat anonime qipriote. Shteti duhet të dëshmojë dinjitetin e vet përballë Pushtetit të Fazlliçit. Pushteti i Fazlliçit është i përkohshëm. Ai nis dhe mbaron me Sali Berishën. Shteti do të jetojë gjatë dhe kjo është beteja që ai duhet të fitojë.

Κυριακή 5 Οκτωβρίου 2008

Përshtatja

Albin Kurti

Manifestimet e ndryshme për dëshmorët e kombit dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Disa manifestime janë më modeste, kurse disa të tjera më pompoze. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me heroizmat dhe kontributin e dëshmorëve. Nuk ka të bëjë aq as me ndjenjat lokaliste të komandantëve të shndërruar në politikanë, që duan të ngrenë veten përmes dëshmorëve të anës së tyre. Diçka tjetër e përcakton dallimin ndërmjet vëmendjeve që u kushtohen dëshmorëve përmes manifestimeve për ta. Në masën në të cilën familja apo shokët e gjallë të dëshmorit i nënshtrohen kursit të politikës zyrtare, në atë masë ngrihet rëndësia posteriori e dëshmorit të caktuar. Pra, nëse familja apo shokët e gjallë të dëshmorit të kombit janë dakord që në manifestim të intonohet himni i Kosovës "Evropa", të valojë flamuri i Kosovës, kori i fëmijëve t‘i ketë ngjyrat "kaltër e verdhë" e jo "kuq e zi", të thuhet që dëshmorët e kombit e dhanë jetën për këtë liri që po e gëzojmë sot, të thuhet se ëndrra e ideali i dëshmorëve u realizuan, t‘u jepet fjala eventualisht edhe atyre që kanë qenë kundër luftës çlirimtare (ose së paku që nuk e kanë ndihmuar atë), vetëm atëherë të vijnë në manifestim kryetari, kryeministri me ndonjë ministër dhe kuadrot e larta partiake. E, aty ku janë ata, vijnë edhe RTK-ja e mediat e tjera, të cilat më parë se manifestimet për dëshmorët i ndjekin paraqitjet publike të pushtetarëve. Aty ku merr pjesë kryetari a kryeministri, aty ku vjen edhe RTK-ja, dhe ai manifestim mandej s‘mund të jetë dosido, apo jo? Prandaj shtohen përgatitjet dhe investimet për manifestimin i cili del më madhështor, më impozant dhe të cilin e sheh gjithë Kosova e diaspora përmes televizorit. Për pasojë, ai dëshmor na shfaqet i rëndësisë së veçantë në krahasim me dëshmorët e tjerë. Qytetarëve të Kosovës u sajohet në kokat e tyre një hierarki e caktuar e dëshmorëve të kombit, e me këtë edhe një version i caktuar i historisë. Përderisa analistët po diskutojnë për nevojën e rishkrimit të historisë, shkrimi i saj i shtrembëruar tashmë po ngjan (sërish). Po qe se i vizitoni ose i takoni familjet e dëshmorëve, menjëherë do ta kuptoni se çfarë do të jetë manifestimi për të birin a vëllain e tyre dëshmor. Sa më shumë që ka familjarë të dëshmorit të kooptuar në sistemin aktual politik, aq më e pasur materialisht është familja e dëshmorit dhe aq më lart posteriori ngrihet dëshmori. Manifestimet më modeste për dëshmorët bëhen atëherë kur familja e dëshmorit është e varfër dhe nuk është e integruar në sistemin politik e në projektet e tij. Pra, kur familja e dëshmorit nuk ka anëtarë të punësuar nëpër ministri, PTK apo Aeroport. Nga manifestimet e dëshmorëve që i kanë edhe sot e kësaj dite familjet e varfra, ka fare pak apo aspak raportime të mediave. Rrjedhimisht, për ata dëshmorë nuk mësojmë shumë dhe mësojmë gjithnjë e më pak.Në anën tjetër, kjo mënyrë e manifestimeve për dëshmorët i përjashton automatikisht dëshmorët nga Kosova që dhanë jetën në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni si pjesëtarë të UÇPMB-së apo Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Shumica e qytetarëve të Kosovës sot nuk janë në gjendje ta thonë emrin e asnjë dëshmori nga Kosova, i cili u vra në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni. Manifestimet për dëshmorët e kombit përkrahen nga qeveria për aq sa ato mund të funksionalizohen për nevojat e politikës zyrtare. Qeveria e Kosovës i mbështet vetëm dëshmorët e kombit, familjet e të cilëve lejojnë që ata dëshmorë të kosovarizohen post mortum. Qeveria sigurisht se nuk e ka lehtë. Sepse, Kosova nuk ka dëshmorë. Dëshmorët e UÇK-së janë, në fakt, dëshmorë të Shqipërisë. Lexojeni betimin e ushtarit të UÇK-së dhe binduni: "Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre; do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t‘i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!". Në asnjë vend nuk përmendet Kosova. Nëse Hashim Thaçi organizon ndonjë forcë të armatosur për t‘i kontrolluar kufijtë e Kosovës e për ta marrë veriun, atëherë Kosova do të mund t‘i ketë dëshmorët e parë të saj. Mirëpo, natyrisht se kjo gjë nuk do të ndodhë. Qeveria e Hashim Thaçit s‘e ka ndërmend t‘u bëjë gjë as strukturave të Serbisë në Graçanicë (përveçse t‘ua ruajë rrogat), e lëre më atyre në veriun e Kosovës. Kjo qeveri nuk e ka preokupim tokën e territorin e Kosovës, ajo s‘brengoset për hapësirën e Kosovës. Kjo qeveri e ka në thumb kohën e Kosovës, historinë e saj, të cilën dëshiron ta përdorë në shërbim të jetëgjatësisë së vetes. Politikanët e qeverisjes aktuale për të mbetur qeveritarë kanë dëshmuar se janë të gatshëm të qeverisin edhe me dëshmorët. Prandaj, nuk është e drejtë që çfarëdo trajtimi i historisë, sidomos ai me synim rishkrimin e saj, të bëhet thuajse shkrimi i politizuar i historisë i takon historisë, pra së kaluarës; dhe, thuajse e tashmja që deponohet si shumësi faktesh për historinë e ardhshme s‘do të ketë nevojë të rishkruhet përsëri në të ardhmen. Diskutimi për rishkrimin e historisë mund të bëhet vetëm prej atyre njerëzve që e kuptojnë se edhe pozita e tyre në të sotmen nuk është imune, se nuk është pozitë e një epoke postideologjike a postpolitike, prej nga do të ishin të sigurt që ta kenë komoditetin e analizës së pastër dhe absolutisht objektive. Nuk mund të ketë vështrim kritik për historinë e shkruar dhe as konstatim kredibël për nevojën për rishkrimin e cilësdo pjesë të saj, pa e pranuar se edhe kritikuesi edhe e sotmja e tij nuk janë përjashtim dhe s‘paraqesin kurrfarë veçantie. Pierre Bourdieu me të drejtë thoshte se i gjithë progresi në njohjen e objektit është progres në njohjen e subjektit që njeh, dhe anasjelltas. Diktaturat në të kaluarën dhe mundësitë për diktatura në të ardhmen nuk duhet të trajtohen thuajse, e sotmja është një kohë pa diktaturë. Madje, pikërisht ajo mënyrë do të bënte që diktaturat e shkuara të harrohen për shkak të atyre që do të na vijnë.

Ndal fabrikës së shenjtorëve

Ndal fabrikës së shenjtorëve
Besnik Mustafaj
Diku nga fillimi i verës së shkuar, nga Vatikani doli një lajm i pazakonshëm, i cili ngjalli edhe kureshtje, edhe vëmendje në shtypin serioz të mbarë botës. Madje, gjeti një farë vendi edhe në mediat tona kryesore të shkruara dhe ato elektronike. Titulli i lajmit pothuajse ngado, në Evropë dhe në Amerikë, ishte "Ndal fabrikës së shenjtorëve". Aty njoftohej se Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë i kishte kërkuar kongregacionit t‘i kushtonte më shumë vëmendje vlerësimit të dokumenteve, që mbështesin pretendimet për shenjtërim. Me këtë kërkesë, Papa Benedikti synonte të vinte në një kontroll të ri, më rigoroz, proceset e shenjtërimit të shërbyesve të devotshëm të kishës. Siç sqarohej, shqetësimi i Papa Benediktit buronte nga shqyrtimi i kujdesshëm i trashëgimisë së paraardhësit të tij në këtë fushë, Papa Gjon Palit të Dytë. Gjithnjë sipas njoftimit, rezultonte se brenda papatit të Gjon Palit të Dytë ishin krijuar më shumë shenjtorë se në 17 papatet e fundit të mbledhur së bashku. Për një sy të zakonshëm ngjan shumë. Tepër, madje, sipas gjykimit të vetë Papa Benediktit. Ky fakt, që ndoshta nuk i kishte rënë askujt tjetër në sy, nuk i shpëtoi vëmendjes së Papa Benediktit. Ai mori masat që i takonin. Dhe mandej ndërhyrja e tij u bë lajm për mbarë opinionin publik botëror. Duket krejt e natyrshme të shtrohet pyetja se ç‘të keqe ka, apo, kush ka të keqe nga shtimi i shenjtorëve? Së pari, ndoshta do sqaruar se nga lajmi në fjalë nuk më duket se buron ndonjë përshtypje se Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë synon ndërprerjen e procesit të shenjtërimit. Pa këtë mision, është e qartë se vetë Kisha Katolike nuk do të ishte më ajo që është prej njëzet shekujsh. Duke i kërkuar kongregacionit më shumë vëmendje në vlerësimin e dokumenteve, që mbështesin pretendimet për shenjtërim, Papa Benedikti synon vetëm t‘i verë fre teprimit, i bindur me të drejtë së teprimi, edhe të mirën më të madhe, mund ta kthejë në të kundërtën e vet. Nevojitet mençuri e madhe, mençuri e thellë për t‘u mbrojtur nga teprimi. Historia e veprimit njerëzor, ku përfshihet veprimi në fushën e spiritualizmit, edhe veprimi politik, na mëson se teprimi është nga ato të këqija, prej të cilave nuk të mbron dot askush. Pra, duhet ta mbrosh veten, ose të vuash pasojat. Më shpesh ka ndodhur kjo e dyta. Ndaj edhe nevojitet mençuria. Mjerë kush nuk e ka! Papa Benedikti përpiqet kështu me dinjitet ta mbrojë kishën, me të cilën ai ka lidhur gjithë jetën dhe shpirtin e vet të lartë. Duke synuar të mënjanojë shpërdorimin e shenjtërimit, akti më sublim që kryen kisha për shërbëtorët e vet më të zellshëm, Papa nxjerr në plan të parë përpara njerëzimit kishën si shtëpi e Zotit, pa nënçmuar aspak vlerën e shërbëtorëve të kësaj shtëpie. Ama, ka nevojë të theksohet se Kisha, si institucion është e para, institucioni është i qëndrueshëm, njerëzit që i shërbejnë asaj vijnë më pas, ja shtojnë institucionit rëndësinë me veprën e tyre, pa e vënë institucionin nën këmbët e veta, për t‘u ngjitur më lart, në hapësira që nuk u takojnë dhe ku nuk mund të qëndrojnë gjatë për shkak të mënyrave të reja që ka shoqëria moderne për ta vlerësuar individin, kushdo qoftë ai. Veprimi i Papa Benediktit, ashtu i thjeshtë dhe i qartë, në të vërtetë është një shembull me vlerë për mbarë shoqërinë, e cila merr kështu një mësim për radhën e gjërave atje lart, ku qëndron, siç i takon, udhëheqësia. Institucioni, sado që është në shërbim të njeriut si individ dhe po ashtu të komunitetit, nuk lejon të shpërdorohet. Dhe, po ta çonim arsyetimin pak më në skaj, mund të thoshim edhe se një institucion i përdorur për të kënaqur egon e individit, është një institucion në rrugën e venitjes, sado fort t‘u bjerë kambanave në një çast të caktuar. Nuk mbytet me oshtima venitja. Jo vetëm besimtarët e Kishës Katolike, por në përgjithësi pjesëtarët e një shoqërie të ndërgjegjshme për nevojën e vetëkorrigjimit, ka vend ta shohin me vëmendje veprimin e Papa Benediktit në këtë rast. Në një koncept më të gjerë, ky veprim i jep arsye morale edhe çdo individi të pyesë të zgjedhurit e vet se çfarë po bëjnë për t‘i mbrojtur institucionet e larta nga shpërdorimi. Edhe një aspekt tjetër: Mediat, që komentonin lajmin në fjalë, nuk harronin gjithandej të theksonin se "bujaria" e djeshme e Papa Gjon Palit të Dytë po kthehej në një farë mënyre, befas, tani kundër atij vetë. Ngadalësimi i procesit mund të prekte vetë shenjtërimin e tij, ta vononte atë, ta shtynte në kohë, çka dëshmon qartë se një ditë a një ditë, në një mënyrë a një tjetër, të gjithë vdekatarët e kësaj toke do t‘i nënshtrohen një gjykimi të rreptë për teprimet e tyre në funksionet eprore që kanë kryer. Mjerë kush e harron edhe këtë të vërtetë universale!

Militantë apo fanatikë?

Militantë apo fanatikë?
Kleanthi Zoto
Që partitë politike kanë militantët e vet, kjo është e natyrshme. Por shtrohet pyetja: Si i shohin militantët raportet e partisë së tyre me të vërtetën? Si e shohin marrëdhënien e partisë me qytetarin? Më tej, si e shohin marrëdhënien e partisë me shtetin, me pushtetet dhe institucionet që lindin prej tyre? Si e shohin partinë e tyre në pasqyrën e spiraloidit progresiv pozitiv të shoqërisë? Si….Dhe këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjesh,veç të tjerash, duke qenë i vëmendshëm në emisionin “Koha për t’u zgjuar” të Bashkim Hoxhës, në emisionet “Debat” sidomos kur në to ka pjesëmarrjen e deputetëve të të dy krahëve; madje mund t’i qëmtosh edhe te analistë të veçantë me prirje të theksuar të majta apo të djathta……Dhe për të mos arritur te shifra e 86 partive do t’i përqendroj këto radhë te dy forcat kryesore.
1 - Si e shohin militantët raportin e forcave ku bëjnë pjesë me të vërtetën?
Pa pretenduar të bëj analizë në këto rreshta, por nga qëmtimi i disa problemeve del se ka militantë të të dy krahëve që për të gjykuar mbi ngjarjet, ndodhitë madje edhe mbi fenomene vënë në lëvizje aparatin konceptual, arsyen e logjikën e asaj që ndodh në realitet; ka të tjerë që duke vënë në lëvizje ndjenja e emocione të pakontrolluara, sidomos“besnikërinë” e marrin të mirëqenë, atë që u serviret sidomos kur kjo vjen nga lideri. Si rrjedhojë, të parët mendoj se, ose janë më afër të vërtetës, ose vrapojnë drejt saj; ndërsa të dytët ose janë larg saj, ose bëjnë përpjekje për ta mohuar e mbuluar atë.
Militantizmi ekstrem apo militanti fanatik jo vetëm që nuk i afrohet të vërtetës, por ka frikë nga ajo. Dhe kur e dëgjon militantin fanatik sot të përfytyrohet militanti i Enverit që mbronte çdo gjë të tijën deri edhe veprimet e mbrapshta. Kur dëgjon kërkesën e dënimit në masë të ish-komunistëve (që kanë qenë mbi 100 mijë ), mohimin e djersës e mundit të popullit në ato vite, arritjet që s’janë vetëm meritë e diktatorit, por para së gjithash të popullit, të vete mendja te mohimi që i bëhej periudhës së Mbretit e mbretërisë nga ana ediktatorit.
Militantët ekstremistë e fanatikë mohojnë, p.sh., LANÇ të popullit vetëm se ajo u udhëhoq nga komunistë. Ne u bëmë pjesë e pandarë e Frontit Antifashist që udhëhiqej nga SHBA-ja, BS-ja dhe Britania e Madhe se e donim Shqipërinë dhe progresin. Kjo është një e vërtetë e madhe që është sa konkrete aq edhe historike. Kështu e shikon një militant objektiv atë; ndërsa një militant fanatik i djathtë mohon çdo gjë të arritur në këtë periudhë. Kjo se ata nuk kuptojnë e s’duan të kuptojnë se Fronti Antifashist mbronte progresin, lirinë dhe pavarësinë e popujve; historinë, dinjitetin, kulturën, shkencën dhe letërsinë e tyre. Në këtë vështrim m’u duk i pështirë një militant fanatik që e pagëzoi 29 nëntorin e 1944-ës si “pushtim” e jo si çlirim të popullit tonë që kishte bërë sakrifica të panumërta e kishte derdhur gjak për të arritur këtë ditë të bukur.
Kjo se fanatiku që në thelb është injorant nuk e ndan dot të vërtetën e pavarësisë ngae vërteta e regjimit. Në këtë vështrim edhe militantët fanatikë komunistë nuk e konceptojnë drejt qëndrimin e Enver Hoxhës në Mukje, marrëdhëniet e tij me kundërshtarët e me forcat e tjera politike, sidomos me nacionalistët. Është fakt se periudha e LANÇ-it ishte në tërësi luftë çlirimtare, por pati edhe në segmente të veçanta shfaqje të luftës civile, që duhen studiuar nga historianët larg syzeve të errëta të politikës.
2 - E vë forca politike në qendër qytetarin?
Një parti është apo jo demokratike kjo gjë varet nga qëndrimet, marrëdhëniet që krijon ajo me qytetarin. Them me qytetarin se dhe fjala politikë vjen nga fjala polis, qytet, që do të thotë që politika është mjet e instrument që qytetari të kapërcejë pengesat, të zgjidhë problemet e kontradiktat që i dalin, që në fund të fundit ai të bëhet më i kamur e më i ditur. Me një politikë moderne qytetari i thotë sos varfërisë, papunësisë e duarve vrastare. Më konkretisht, e vënë përballë realitetit militantët forcën e tyre politike për ta parë në mënyrë të gjithanshme me pozitiven por edhe me negativen? Se ndodh që militantët e PD-së në pozitë shohin vetëm arritjet, madje edhe ndonjë mosarritje, mangësi apo veprim të gabuar të liderit të tyre e nominojnë si arritje.
Nuk e dëgjojmë këtë “këngë” nga disa militantë ekstremistë që edhe në tragjedi siç është ajo e Gërdecit që mori jetë njerëzish e solli aq pasoja të hidhura, t’i thurin lavde liderit të tyre për masat që mori për shërimin e gjendjes? Nuk po i vërejnë këta militantë fanatikë edhe në faqet e ndonjë gazetë servile që të zezën e bën të bardhë? Nuk e vërejtën këtë kur na u dha ftesa për NATO që meritën e një populli të tërë kërkoi ta pronësojë një forcë politike? Të vjen keq që edhe ndonjë deputet arrin deri atje saqë edhe ngjarjet e ´96-´97, p.sh, t’i nominojë si “grusht shteti” e “revolucion komunist”.
Slogani, demagogjia, dogma, shkëputja nga realiteti e nga e përditshmja e qytetarit …. janë mjete të cilat përdorin militantët fanatikë në të dy krahët e politikës. Militanti fanatik i djathtë, p.sh., të numëron sot arritje të tilla si ato që kanë të bëjnë me rritjen e pagave të nëpunësve e administratës, të pensioneve, grumbullimin e më shumë taksave, rritjen e të ardhurave…..
Dhe ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë, por ai lë në hije faktin që qytetarit, p.sh., vërtet i janë rritur pagat, por nuk sheh rritjen e çmimeve, nuk bën analizën se sa kg miell, vaj, sheqer, mish …blinte, p.sh, në 2005-ën e sa ble sot.
Ai nuk flet për nivelin e varfërisë, për papunësinë reale, për hapjen e vendeve të reja të punës, për vrasjet e vetëvrasjet që kanë të bëjnë me sigurinë e jetës, për prostitucionin e trafikun e grave dhe fëmijëve.... Atij nuk i vjen zëri të kritikojë forcën e tij politike për zëvendësimin e një shtresë të tërë meritokratësh me militantë injorantë.
Militantin ekstremist nuk e shqetëson despotizmi i liderit të tij që e gjen orë e pa orë në televizor, që shfryn e kërcënon deri deputetët e opozitës, që mburret për arritjet e që çdo gjë ia dedikon vetes. Militantët fanatikë nuk shqetësohen nga prirjet e theksuara e pushtetit ekzekutiv për të pushtuar hapësirat e pushteteve të tjera e sidomos të gjyqësorit.
Dhe në fund dua t’i mbyll këto radhë me pohimin se militantët fanatikë aktivizojnë kudo ndjenja negative.
Ata janë të egër e të dhunshëm, se kërkojnë me çdo kusht të mbrojnë liderin e forcën e tyre politike edhe kur ata gabojnë rëndë e sjellin pasoja të padëshirueshme për shoqërinë.