Πέμπτη 6 Νοεμβρίου 2008

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!

Obama- mishërimi i ëndrrës amerikane!
Nga Ardi Stefa
Nga 4 nëntori SHBA ka një president të ri! Një president me ngjyrë!
Ishte vetëm 3 vjeç kur u ekzekutua nga racistët Martin Luter King.
Një 47 vjeçar, i cili nuk ta mbush syrin, por që prej tij i gjithë planeti pret shumë!
Personalisht nuk dua të flas e të analizoj çfarë pritet nga Barak Husein Obama, në mbarë planetin, në politikën e jashtme të SHBA, por edhe në ekonominë e shtetit më të fuqishëm të botës.
Nuk jam specialist e as dua të katandisem qesharak, duke përsëritur ato ç’ka kam dëgjuar prej të tjerëve ne televizonin grek apo kanalet e tjera.
Dua të ndalem thjesht në një fakt, në një mrekulli, e cila mundet të ndodhë dhe ndodh vetëm në Amerikë!
Biri i një emigranti nga Kenia, dhe i një amerikaneje të bardhë, i cili lindi në një kohë kur martesat mikse në SHBA shiheshin me sy të keq...
Bir i një nëne të bardhë, e cila nuk gjente dot punë n Amerikë dhe u detyrua të emigronte në Indonezi për të punuar...
Një fëmijë, emigrant, edhe ai, i cili u rrit nga gjyshërit dhe me mundime e përpjekje të jashtëzakonshme arriti të shmangej nga kriminaliteti i rrugës dhe të studionte në Harward...
Emigrant i brezit të parë, i cili arriti t’i imponohej politikës së SHBA vetëm përpara katër vjetësh...
Bashkëshort i një juristeje me ngjyrë, e cila, ishte stërmbesë skllevërish...
Pikërisht ky njeri, arriti të jetë president i shtetit më të madh të botës, shtet, i cili u njohu të drejtën e votës njerëzve me ngjyrë jo më shumë se përpara dyzet vjetësh...
Pikërisht ky njeri, nga 4 nëntori është presidenti i mbarë planetit!
Pikërisht tek ky njeri qëndron mrekullie, e cila vetëm në AMERIKË mundet të ndodhë!
Nga hiçi të jesh gjithçka!
Nga emigrant i përçmuar të jesh kryetar shteti!
Dhe kjo ndodh vetëm në SHBA, askund tjetër!
Obama është mishërimi i ëndrrës amerikane, i kësaj ëndrre, e cila me gjithë vështirësitë vazhdon të jetë më e fuqishmja, shpresëdhënësja dhe më e prekshmja!
Të paktën mua ky parametër i jetës së Obamës dhe i të gjithë pasardhësve të emigrantëve, të bardhë, apo me ngjyrë, të kuq apo aziatikë që festonin nëpër rrugët e SHBA, Kenias, Indonezisë, Japonisë, më ka lënë mbresa të pashglyeshme.
Ndoshta Obama nuk do të ndryshojë gjë gjatë mandatit të tij, ose do të ndryshojë shumë pak!
Një gjë është e sigurtë: Përmbysja e parë e madhe ka ndodhur!
Ai vërtetoi se Amerika është vendi ku mundet të ndodhë gjithçka, ku mundet të realizohen të gjitha ëndrrat, si nga vendasit, ashtu edhe nga emigrantët dhe bijtë e tyre, qofshin këta të bardhë apo me ngjyrë!...
A. Stefa