Πέμπτη 27 Αυγούστου 2009

Cikli u plotësua

Në PS nuk duhet të flitet me statujat…
Fitorja ka shumë baballarë, ndërsa humbja është jetime!

Cikli u plotësua
Më 29 gusht, ditën e shtunë, socialistët do të zhvillojnë Kongresin e Jashtëzakonshëm pas zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Kongresi ka në rend të ditës miratimin e një rezolute që u paraqit më parë në mbledhjen e asamblesë, e cila përcakton qëndrimin politik të PS-së ndaj zgjedhjeve të përgjithshme. Pika tjetër është ajo që shkakton më shumë debate. Pritet zbatimi i neneve përkatëse që flasin për statusin e kryetarit të partisë në rastin kur humbet zgjedhjet. Nisur nga kjo, pritet që kongresi të shpallë zgjedhjet për kryetarin e ri. Ndërsa një tjetër grup kërkon të përfshihet në rendin e ditës edhe një paketë me ndryshime statutore. Por si është situata e vërtetë? Do të vazhdojë të jetë protagoniste në jetën politike të Shqipërisë PS, apo do të tkurret e tkurret e do të shndërrohet në një parti “kombarse”? Në fund të fundit kush është përgjegjës, pasi siç thuhet fitorja ka shumë baballarë, ndërsa humbja është jetime!

Ardi Stefa

Nuk është keq të shpresosh. As gabim. Po qe se do të isha nga natyra optimist dhe po qe se do të kërkoja gjithmonë anën pozitive të gjërave dhe të situatave, do të isha i fundit q[ do të gjykonte ndokënd, sepse beson se diçka pozitive e më e mirë do ti ndodhë nesër.
Por tjetër gjë është optimiszmi dhe tjetër gjë është iluzioni.
Dhe, për fat të keq për liderin e PS dhe funksionarët e lartë të kësaj partie, të cilët këmbëngulin të kërkojnë dhe të presin iniciativa, të cilat do të ishin të afta e të zonjat për të përmbysur klimën e rëndë që mbizotëron në PS dhe tek anëtarët e elektorati i saj, nga iluzionet janë ato që mbizotërojnë.
Ç’ishte për të bërë Edi Rama e bëri, që nga dita që erdhi në krye të PS. Të gjitha armët që kishta në depon e tij i përdori. Edhe truke komunikative përdori, edhe në mënyra korruptive veproi, edhe ndryshime bëri në njerëzit rreth e qark partisë së tij, edhe kundërshtarët tentoi t’i përgojonte e t’u hidhte baltë, deri edhe donjë “mik” të ngushtë “flijoi” për të treguar se diçka po ndryshonte, por asgjë nga këto nuk dha rezultat.
Edhe nudo bëri banjo, edhe këngë këndoi, edhe “familjar” e tregoi veten se është, edhe batuta të goditura përdori, edhe postin e deputetit e “mohoi” për hir të bashkisë...
Arsyeja ishte e thjeshtë: Përralla e liderit modern e reformator pushoi së shituri e së joshuri elektoratin. Dhe është e provuar përgjithësisht se kur në një marrëdhënie, personale apo edhe politike, përralla pushoi së shituri, marrëdhënia nuk është më ajo e para. Gjithë të tjerat janë çështje kohe. Marrëdhëniet me zor nuk mbahen. Andaj edhe elektorati e dënoi. Prandaj edhe Meta bëri një lëvizje të zgjuar mbijetese.
Çfarë tjetër ka për t’i ofruar elektoratit socialist Edi Rama që ta joshë e ta bëjë për vete? Të shajë vazhdimisht Berishën? Të mos njohë zgjedhjet? Të demonizojë kundërshtarët e tijpër postin e kryetarit? Të bëjë ndryshime në parti? Dhe me kë? Blushi tha përpra disa ditësh se: “Në Ps nuk duhet të flitet më me statujat!” (Me gardën e vjetër komuniste, duhet lexuar).
Për këtë arsye, e vetmja gjë që në thelb duhet të shqetësojë e problematizojë anëtarët e kryesisë së PS, nuk është fakti nëse ekzistojnë mundësi të ringritjes së përkohshme, por kur dhe nën çfarë kushtesh e situatash do të largojë liderin e saj... Përndryshe PS do të shkojë keq e më keq...
Cikli politik i Edi Ramës është plotësuar, është mbyllur. Dhe sikundër thuhet në gjuhën e popullit: Ka lënë pas gërmadha. Për këtë gjë Edi Rama ishte shumë i zoti. E vetmja gjë që Edi Ramës i ka ngelur të bëjë është dorëheqja e vërtetë dhe e parevokueshme nga kreu i PS, në mënyrë që të ketë mundësi që të administrojë humbjen e tij politike. Përndryshe Vaterloja politike për të do të jetë më e madhe se e Napoleonit.
Dhe anëtarët e PS do të duhet që të mendohen mirë përpara se të hedhin votën për kryetarin e ri. Të zgjedhin atë që është me të vërtetë i zoti të rimëkëmbë PS-në...

Κυριακή 22 Μαρτίου 2009

Pasqyrat e shtrembëra

Pasqyrat e shtrembëra
Ardi Stefa
Shumë gazetarë të njohur grekë pretendojnë se mediat janë thjesht pasqyra e shoqërisë.
Ndoshta me këtë duan të thonë, natyrisht, me fuqinë që u jep pushteti i katërt, se çdo e keqe që ndodh në trupi e shoqërisë, pasqyrohet besnikërisht në ekran apo edhe në gazeta...
Por gjërat nuk janë edhe kaq të thjeshta. Dhe nuk ka nevojë për shumë analiza që të bindet ndokush se mediat greke, jo vetëm që nuk janë asnjanëse dhe të ftohta në pasqyrimin e ngjarjeve, por tentojnë që të ndryshojnë e manipulojnë opinionin publik dhe ta rimorkojnë në ujërat e tyre të turbullta.
Qëndrimi i Mediave greke kundrejt emigrantëve, natyrisht që nuk është unik dhe i pandryshueshëm në kokë. Natyrisht që qëndrime të ndryshme ekzistojnë nga njëra gazetë apo TV tek tjetra. Natyrisht që qëndrimet evoluojnë nëpër vite.
Ashtu sikundër është e ditur që rastet e urrejtjes dhe të intolerancës ndaj të huajve me protagoniste gazetarinë, janë kaq të rralla, sa janë të rralla edhe keqtrajtimet e emigrantëve nga policia!...
(Për ata që ndoshta s’e kuptuan frazën e mësipërme, u shkruajt me ironi!...).
lexova një studim të Universitetit të Athinës, në të cilët ishte studiuar qëndrimi i shtypit grek nga marsi 2007 në mars 2008, d.m.th në një periudhë goxha të mirë nga vitet e mëparshme. Rezultatet ishin si më poshtë: Nga 540 artikuj që kishin të bënin me emigrantë shqiptarë, vetëm 5% e këtyre artikujve kishin qëndrim pozitiv, ndërkohë që 25% e artikujve kishin ngjyrime negative qysh në titull.
Në 60 ediqione qendrore lajmesh të katër kanaleve më të mëdha greke dhe në 42 reportazhe për çështjet në fjalë, vetëm 2.5% e tyre kishin qëndrim dhe trajtim pozitiv.
Në faqet greke të internetit, blogje, etj, etj, 40% e shkrimeve kishin trajtim negativ dhe vetëm 25% qëndrim pozitiv.
Me një transport të tillë paragjykimesh dhe stereotipesh ksenofobike, është e kuptueshme, logjike dhe morale që të konsiderohet reagimi dhe qëndrimi masiv grek ndaj të huajve, ose edhe armiqësia e grekëve ndaj emigrantëve “vlerë e vërtetë dhe e qëndrueshme(!)” në të gjitha sondazhet e Eurobarometrit. Është e kuptueshme përse Greqisë i tërhiqet gjithmonë veshi dhe kritikohet për këtë gjë...
Trajtimi dhe paraqitja e emigrantëve nga shumica e mediave greke, veçanërisht e atyre elektronike, e cila i paraqet emigrantët si një turmë dhe jo si njerëz, si një kope barbarësh, e cila kërcënon qetësinë greke!...
Qëndrimet e “drejta” që injektohen nga ekstremistët e djathtë dhe që gjejnë kaq paqyrim në media, për të cilat të huajt e çdo race apo kombësive, (veçanërisht shqiptarët) janë më inferiorë se grekët, qysh në gene, për një kohë të gjatë censuruan, apo nënvlerësuan rastet e dhunës kundër të huajve, qoftë kur këto bëheshin nga pronarët e tyre, qoftë kur bëheshin nga grupet neonaziste.
Edhe kur një kriminel nazist si Kosta Kazako përpara disa vjetësh kishte vrarë me armë zjarri shtatë emigrantë me ngjyrë, ishte trajtuar nga mediat si krim i kryer nga një psikopat dhe jo si krim racor. Dhe të gjitha këto në një kohë, kur vetë krimineli në sallën e gjyqit kishte deklaruar se “E keqja me të huajt në Greqi ka kapur kulmin. Duke vrarë ata besoj se i kam bërë shërbim atdheut!”.
Në të njëjtën kohë jashtë bëheshin manifestime proteste nga shoqatat antiraciste dhe antimanifestime nga neonazistët. Këto televizioni nuk i dha ndonjëherë dhe shtypi i shkruar i pasqyroi me dy rreshta... Në të njëjtën kohë që reporterët e kurseve dy-tre mujore të gazetarisë karakterizonin cilindo hajdut “Të huaj, ka shumë mundësi që hajduti të ishte shqiptar!”, pavarësisht se vjedhësit mundet të kishin fytyrën të mbuluar dhe flisnin greqishte të pastër...
Nejse, të gjithë i dimë këto. Thjesht përmenda disa fakte të studimit të Universitetit të Athinës, në lidhje me qëndrimin e medias ndaj emigrantëve.
Thjesht, nuk e kanë fajin pasqyrat që pamja që reflektohet në to nuk është e bukur...
Thjesht, nuk e kanë fajin që reflektohen të shpërfytyruara...
Apo e kanë?...

Κυριακή 15 Μαρτίου 2009

Anarshi dhe pasiguri në Greqi

Trazira, vandalizma, dhunë e vjedhje, pothuajse përditë në Athinë, Selanik, Patra...

Anarshi dhe pasiguri në Greqi

Ardi Stefa
Ruajtja e një gjendjeje dhe situate të tendosur dhe jashtë kontrollit të një “(gjasme)lufte guerrilase”, e cila lëviz dhe vepron sipas konceptit të një “revolte të vazhdueshme”, apo persona, të cilët vepruan të nxitur nga ato ç’ka shkruante në traktin e vet organizata “Lufta Revolucionare”?
Ndoshta është amalgamë e të gjitha atyre sa përmenda më lart, të cilat përbëjnë profilin apo edhe fytyrën e të gjithë atyre, të cilët kohët e fundit, në dritë të diellit, ushtrojnë dhunë në rrugët e lagjet më kryesore e më të patrulluara nga policia të Athinës.
Rasti më i fundit ishte ai i akteve vandale në Kolonaki, në sinkronizim të plotë me anarshistët e Selanikut dhe të Patrës, të cilët, duke u larguar, hodhën të njëjtat trakte me të njëjtin tekst.
Rasti i vandalizmave në Kolonaki, është skena më e plotë dhe më e qartë e anarshisë dhe i dhunës së pakontrolluar politike. Rreth 50 apo 100 personat me maska veprojnë këtu e disa muaj me një objektiv të dyfishtë: të terrorizojnë kalimtarët, tregtarët dhe klientët dhe, fakti më i rëndësishëm i gjithë kësaj është që nëpërmjet dhunë dhe vandalizmave të mbajnë gjallë në mendjet e të gjithëse se “Revolta e Dhjetorit ekziston akoma”.
Synimi i tyre, të të mos harrohet “dhjetori” dhe “dhjetori” të bëhet në mos jeta e përditshme, pjesë e jetës së përditshme të grekëve dhe të shërbejë si valë për “përmbysjen e strukturave të shtetit dhe të shoqërisë së konsumit që ka falimentuar”, sikundër theksohet në shumë tekste të trakteve të të ashtuquajturve antipushtetarë, që ata lëshojnë jo vetëm nëpër rrugë e shtypin grek, por edhe nëpër internet.
Në këtë këndvështrim, aktet vandale në Kolonaki dhe ato të disa orëve më parë në Selanik, bëjnë pjesë në “Planin operativ të veprimit” të të vetëquajturve revolucionarë, të cilët kundërshtojnë me një mënyrë të dhunshme modelin e sotëm të shoqërisë dhe të gjithë ata që nxjerrin fitime nga ekzistenca e tij. Dhe të gjitha këto i plotëson edhe shpërthimi i krimit ordiner, me vjedhje, rrëmbime, vrasje, sikundër edhe ishte rasti i vrasjes së një nëpunëseje të thjeshtë nga plumbat e një keqbërësi shqiptar.
Mbajtja gjallë e një klime të vazhdueshme konflikti me policinë, por edhe katastrofat e dyqaneve, bankave apo godinave të tjera, të cilat në nivel simbolik lidhen me ekonominë kapitaliste dhe funksionimin e saj, janë ato në të cilat investonte në të ardhme e një “lufte guerrilase” organizata terroriste “Lufta Revolucionare” me traktin e saj të para disa ditëve.
“Të luftojmë me të gjitha mjetet regjimin aktualu politik e ekonomik”, shkruanin në traktin e tyre terroristët dhe duket se disa, të ndikuar nga fjalët e mësipërme kanë nxituar të vendosin...gurin e tyre të vogël... në këtë luftë revolucionare...!Një procedurë, të cilën ashtu siç e konceptojnë këto grupime të “luftës antipushtetare”, ka evoluuar sidomos pas Dhjetorit dhe manifestimeve, të cilat pasuan vrasjen e Aleksi Grigoropulos...
Nga kjo prizëm shohin situata të favorshme për praktika të përgjithshme “guerrilase”, me katastrofa, dhe vandalizma, si ndaj bankave, grupimeve ekonomike e financiare, por edhe ndaj sipërmarrjeve të vogla e të mesme, të cilat përfaqësojnë apo simbolizojnë “kapitalizmin bashkëkohor dhe modelin konsumator fitimprurës për disa”, siç thotë në traktet e veta “Lufta Revolucionare”.E gjithë kjo situatë duket se qeverisë i ka dalë nga kontrolli, duke bërë që të ngrerë duart përpjetë dhe të jetë gjithmonë në pozita pritëse dhe mbrojtëse në nivel deklaratash për shtyp, në një kohë që shifrat flasin për një rritje të jashtëzakonshme të kriminalitetit të të gjitha llojeve dhe pasigurisë së qytetarëve.
Dhe krimi apo aktet terroriste tej çdo logjike, terrorizon qytetarët grekë dhe emigrantët paqësorë, të cilët ndihen tashmë se mud të jenë viktimat e një dhune të verbër nëpër lagje, dyqane, vendet e punës, godinat shtetërore, banka...
Ndihen të pambrojtur kur mendojnë se mundet të humbasin jetën apo ndonjë të afërm për pak euro, në një kohë që policia, “gjithmonë në mbrojtje” nuk bën asgjë për të luftuar krimin dhe politika është ekskluzivisht nën ngërthin e sondazheve dhe zgjedhjeve të parakohshme, të cilat as kanë për t’u bërë ndonjëherë përpara kohe...
Dhe, për sa kohë gjendja do të jetë e tillë në Greqi, terrorizmi dhe krimi ordiner do të lulëzojnë duke frikësuar qytetarët e thjeshtë e paqësorë...

p.s: Në kohën që po mendoja për këto radhë pashë të shkruar një parrullë në mur. “Ju flisni për vitrina, ne flasim për jetë...”.
Për fat të keq ky citat është transformuar në pretekst dhe justifikim në dialogun publik. Pyetja e parë që duhet të bëjë ndokush është: “Pse njëra përjashton tjetrën? D.m.th, dikush nuk mundet të flasë për të dyja. Në qoftë se dikush ndjeu dhembje për vrasjen e Aleksit, nuk mund të ndiejë dhembje për vitrinat e dyqanet e shkatërruara? Përse njëra vjen në antitezë me tjetrën?”
Naytrisht që jeta peshon e vlen më shumë se të gjitha xhamet apo vitrinat e botës. Por vitrinat nuk u thyen e as po vazhdojnë të thyhen për të mbrojtur një jetë.
Por citatet e mësipërme janë një art i vjetër i së Majtës ekstreme. Kështu, me citate janë justifikuar historikisht krime edhe më të rënda se thyerja dhe shkatërrimi i vitrinave dhe dyqaneve. Kështu, me pseudodilema asgjë nuk sqarohet dhe gjithçka justifikohet. Edhe dëmet, edhe humbja e jetëve. Pasi të gjitha vlerat lexohen së prapthi. Dhe vlerësimin e dhunës, disa donin ta lexonin dhe po e lexojnë së prapthi...

Τετάρτη 21 Ιανουαρίου 2009

Fenomeni Miço dhe dyert e mbyllura të intelektualit

Fenomeni Miço dhe dyert e mbyllura të intelektualit
Miranda Haxhia

Në Shqipëri gjërat lëvizin kaq shpejt, saqë ndonjëherë ngjarjet mbeten në hije, megjithëse ato përmbajnë një domethënie, e cila është shqetësuese jo vetëm për njeriun, i cili është më pranë ose bëhet faktor i këtyre ngjarjeve, por për gjithë shtresën e intelektualëve, profesionalëve, menaxherëve të suksesshëm të burimeve njerëzore, projekteve dhe ideve progresiste.
Kështu, duke investiguar përtej lajmit të thatë që u dha para disa ditësh për dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, z.Thoma Miço, shikon dritëhijet e një marrëdhënie bizare me PDNJ të drejtorit në fjalë, që për hir të së vërtetës, mbahet si një nga përfaqësuesit më konsekuentë, më seriozë, më të pranueshëm të PDNJ. Kjo, jo për atë se si prezantohet kjo parti në skenën politike shqiptare, por për risitë, për frymën pozitive, për menaxhimin dhe drejtimin e suksesshëm të dikastereve në të cilat ka kontribuar, duke i tejkaluar pikësynimet e partisë së vet për të qenë përfaqësuese në koalicionin qeverisës, në atë të kontributit për të qenë pjesë e suksesit të qeverisë shqiptare të dalë nga zgjedhje te vitit 2005.
Fenomeni Miço dhe kioskëzimi i intelektualit
Para se të ishte nënkryetar I PDNJ- shit; para se të ishte drejtor i Inspektoratit të Punës; para se të ishte deputet për një legjislaturë; para se të ishte zv.ministër në Ministrinë e bujqësisë; - Thoma Miço ishte dhe vazhdon të jetë intelektual. Nga ata intelektualë që, në fazën kur njeriu qartëson bindjen e tij politike, u vu në radhët e forcave progresiste që sollën demokracinë në Shqipëri, duke u shfaqur bindshëm si njeri që përqafoi me ndërgjegje të thellë të Djathtën e që ofroi kontributin e tij për këtë, fakt që nuk ka kush t’ia mohojë, pasi qenë në të njëjtën anë ku shtyhej rrota e fatit e Shqipërisë së bashku me demokratët, një pjesë e mirë e të cilëve sot janë në krye të qeverisë shqiptare.
Ashtu si të gjithë intelektualët që janë mbajtës të veprimtarisë shpirtërore, të shenjuar në pikëvështrimin kulturor, janë njerëz të plotësuar me një kulturë të mirë apo dashamirës të studimeve, janë njerëz që vlerat e tyre i vënë në shërbim të njerëzimit, janë njerëz të specifikuar në aftësinë për të mbajtur me zotësi e demonstruar një influencë të thellë në përbërje të një organizimi politik apo të një drejtimi ideologjik, edhe Thoma Miço me gjithë produktin e vet, krijoi një profil të tillë, të pëlqyeshëm për stafin me të cilin punonte, të lakmueshëm për forcën politike të cilën përfaqësonte, të respektueshëm për qeverinë, së cilës i shërbente.
Derisa erdhi një çast dhe ky profil intelektuali jep dorëheqjen. Të pranosh institucionin e dorëheqjes, do të thotë të heqësh dorë nga një punë e mirë, nga një pagesë e mirë, nga të gjitha idetë, programet dhe detyrat që i ke vënë për të zbatuar dhe kërkon të marrësh frytet e kësaj fitoreje si profesional i zotë dhe si menaxhues i denjë vlerash. Përse duhej ta bënte një gjest t tillë, Thoma Miço? Kur mund të punonte sipas aksiomës:- Urdhëro? Si urdhëron! Sidomos ndaj ndërhyrjeve flagrante të eksponentëve kryesorë të partisë të cilën ai përfaqëson, ndërhyrje të personalizuara deri në detaje për përfitime absurde prej kryetarit të saj, z.Dule.
Megjithatë, duke patur parasysh gjithë panoramën e mësipërme të argumenteve, mendoj se veprimi i Thoma Miço zgjon respekt dhe kërshëri.
Inspektoriati i punës për herë të parë krijoi staturën e vet, duke u bërë institucion i besueshëm për misionin që mbart.
Nga kontrollorë e gjurmues të punës së zezë, inspektorët mësuan të bëhen kontrollorë e gjurmues të kushteve të rënda të punës, shkeljes së të drejtave të punëtorëve, zhdukjes së çdo shenjë skllavëruese në trajtimin e punonjësve, mbrojtjen e tyre prej shkeljeve dhe padrejtësive që u bëjnë punëdhënësit. Lidhja e shumë kontratave dhe fillimi i zbatimit të shumë projekteve me vende të rajonit, ndërtimi i marrëdhënieve në punë në bazë respekti ndaj vlerës, dhënia e “logos” inspektoratit të punës janë pjesë e CV e cila në rastin në fjalë shërbeu keq apo u lexua “vëngër”.
***
Çfarë do bëhet me PDNJ-shin?
Duke dalë nga porta e një institucioni, ku puna ju bë e pamundur për shkak ndërhyrjeve brutale të krerëve të partisë së vet dhe shoqëruesve të tyre, intelektuali Thoma Miço, hedh në tregun e ideve, në gjithë ata njerëz që i besuan kauzës së një partie, e cila do mbronte interesat e tyre si minoritet, si grup etnik, një platformë te re politike. Ai mendon se rigjenerimi i partisë është thelbi i zgjidhjes së gjithë ekuivokëve, që hera herës janë me pasoja të dëmshme, jo vetëm për profilin e tyre si politikanë, si intelektualë, si profesionalë, por edhe si forcë politike, e cila në fund t fundit ka nevojë të ketë identitetin e saj të qartë, të pakamufluar dhe të pastruar nga fenomeni “Dushk”
***
Somario
Sot PDNJ nuk ka më nevojë të bindë shqiptarët se është mbarëshqiptare, por minoritetin grek se është partia e tyre. Në përpjekjen për të bërë këtë humbi në vazhdimësi mbështetjen e minoritetit grek që e krijoi sipas shprehjes “shkoi për të hequr vetullat dhe nxori sytë”

***
Shkëlqimi dhe mjerimi i një kryetari partie
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u krijua vetëm dy muaj pasi parlamenti shqiptar miratoi Ligjin për Partitë politike, i cili nuk lejonte që OMONIA të paraqitej një subjekt politik. PBDNJ lindi si një nevojë për përfaqësimin e këtij minoriteti në bashkëjetesën e tij me shumicën që bashkërisht po kalonin një tranzicion të vështirë që pasqyrohej dukshëm në parlamentin dhe shoqërinë shqiptare të kohës.
Themeluesit e parë të saj që vinin nga radhët e organizatës OMONIA aspironin përfaqësimin politik të interesave të minoritetit grek në parlament por jo vetëm, që do të thotë e hapur ndaj gjithë minoriteteve dhe qytetarëve shqiptarë. Përpjekjet e themeluesve të asaj kohe kanë qenë gjetja e rrugëve ligjore për përfaqësimin e minoritetit grek. Ka qenë ky përfaqësim që çoi drejt themelimit të PBDNJ si një parti që do të përfaqësonte të drejtat e njeriut, pra edhe të gjithë minoriteteve në Shqipëri. Kjo pati mbështetje të gjerë nga të gjithë bashkëkombësit.
Sigurisht që një pjesë e vogël këtij minoritetit do të përfaqësoheshin edhe nëpërmjet partive te tjera, ashtu siç ndodhi dhe po ndodh edhe sot, por përfaqësimi i tyre në këto parti nuk ka pasur të bëjë dhe nuk ka akoma të bëjë me të drejtat e drejtpërdrejta të minoritetit grek. Kjo për shkak të programeve të tyre të cilat nuk përfshijnë tërësinë e interesave të minoritetit si edhe objektivat e tanishme e strategjike të tij.
Prej kohës së krijimit PBDNJ duke qenë se u krijua si parti e të drejtave të njeriut përfaqësoi mirë të drejtat dhe interesat e të gjitha minoriteteve. Minoriteti vllah si një minoritet mjaft i madh u përfaqësua dhe u mbështet në tërësinë e tij dhe jo vetëm ai me kombësi greke por si një i vetëm. Pati përpjekje e serioze edhe për përfaqësimin e minoriteteve të tjera, po këto të fundit të cilat në vazhdimësi nuk e mbështetën në mënyrë evidente partinë dhe për rrjedhojë prezenca politike u zbeh.
PBDNJ që në themelim u mbështet dhe mbështeti krahas minoritetit grek edhe vllehet e Shqipërisë pa dallime nacionaliteti, por duke vlerësuar origjinën dhe kulturën e tyre.
Është fakt që në të gjithë ambientet politike shqiptare PBDNJ nominohej si partia e grekeve të Shqipërisë, gjë që vazhdon edhe sot, megjithëse PBDNJ insistonte të theksonte se është një parti e gjithë shqiptarëve. Sot Partia nuk ka më nevojë të bindë shqiptarët se jemi mbarëshqiptarë, por minoritetin grek se është partia e tyre. Në përpjekjen për të bërë këtë humbi në vazhdimësi mbështetjen e minoritetit grek që e krijoi sipas shprehjes “shkoi për të hequr vetullat dhe nxori sytë”
Karakterin tranzitor të programit dhe statutit të partisë ja dha Mungesa e hapësirës ligjore për të pasur një parti etnike; Shfaqjet e herëpashershme të paragjykimeve nacionaliste që vinin si pasojë e anarkisë që krijoi prishja e sistemit totalitar; Në respektim të plotë dhe të pamohueshëm të bashkëjetesës vëllazërore mes dy komuniteteve
Këto faktorë do te shuheshin pas disa vitesh, kur nga njëra anë kushtetuta e re nuk pengonte më krijimin e një partie me bazë etnike, kurse nga ana tjetër shoqëria shqiptare është sot më e emancipuar politikisht për të pranuar një realitet tjetër.
Prej disa vitesh PBDNJ në vend që të tentonte fundin e këtij tranzicioni, çuditërisht bëri të kundërtën, forcoi imazhin e vet mbarëshqiptar duke i hyrë një konkurrence politike të pakuptimtë. Mbijetesën politike të PBDNJ në vend që ta kërkonte tek veçantia që përfaqëson dhe mbron, minoriteti grek preferoi të bënte atë që bëjnë të gjitha partitë e tjera të mëdha e të vogla shqiptare. Të vazhdosh të këmbëngulësh tek karakteri mbarëshiptar i PBDNJ është nonsens dhe demagogji që u intereson atyre që duan të deformojnë qëllimin për shkak të pazareve politike që të japin një pushtet përfitimesh, të përdorur keq disa herë edhe në dëm të interesave të minoritetit etnik grek.
Kjo gjë e largoi partinë nga interesat principale të saj dhe në një fare mënyrë nga arsyeja për të cilën ajo u krijua, e largoi atë nga elektorati i saj strategjik. Elektorati i vërtetë i PBDNJ nuk e voton më atë në masën që ka votuar në vitet ‘90. Është e vërtetë që votat e partisë mund të kenë pësuar një rritje në vlerë absolute në nivel kombëtar por me ndryshime të theksuara kualitative ku votat e minoritetit grek vinin gjithmonë në ulje.
***
Grekët e Shqipërisë filluan të mos besojnë te partia e tyre
Dihet që pjesa më e madhe e elektoratit minoritar grek është në rrethet Sarandë Gjirokastër Delvinë dhe në zonën e Himarës, siç është e vërtetë që gradualisht pjesa më e madhe e tyre votojnë parti të tjera shqiptare. Justifikimin për këtë e ka krijuar vetë kursi i partisë. Ata kanë të drejtë të zgjedhin një nga partitë shqiptare dhe rrjedhimisht nuk po na zgjedhin ne.
Një fakt tjetër është që PDNJ në këto treva nuk është me një organizim të saj të mirëfillte dhe këtë rol e dublon Omonia. Në një kohë që Omonia duke theksuar gjithmonë karakterin e saj politik nuk mundi të bëhej organizata e gjithë minoritetit grek por vetëm e atyre që votonin PBDNJ, pra dublonin njëra - tjetrën si “historia me dy mamitë...”
Në vazhdimësi, si partia ashtu edhe Omonia filluan të karakterizojnë tradhtarë ata që votonin partitë e tjera dhe patriotë ata që votonin PBDNJ duke e rikthyer terrenin minoritar grek në një luftë të re klasash. Këtë shfaqje më shumë se PDNJ e vuan Omonia e cila nuk u bë kurrë organizata e gjithë minoritetit por vetëm u deklarua e tillë duke mos realizuar një nga objektivat madhore të saj, unitetin mes minoritarëve. Për këtë arsye votat “en bllok” që sillte Omonia në vitet ‘90 në vitet 2000 vetëm emrin kishin “en bllok” OMONIA organizata e minoritetit etnik grek gjithmonë ka mbrojtur të drejtat e minoritetit etnik grek, pa dallim si të atyre që e votonin PDNJ dhe të atyre që nuk e votonin. Ajo priste që atë që s’mund ta bënte ajo, ta bënte PDNJ, e cila me kalimin e kohës ju fut konjukturave politike për mbijetesë ose siç thuhet ndryshe u shit për pak pushtet.
Mbas krijimit të saj, PBDNJ pati marrëdhënie mjaft të mira me OMONIAN. Eksitojnë mjaft marrëveshje të shkruara midis OMONIA-s dhe PBDNJ në prag të fushatave elektorale ku OMONIA pretendonte nëpërmjet marrëveshjeve kompetenca elektorale për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar prej saj e që e bënin PBDNJ pararojën politike të OMONIA-s dhe të gjithë grekëve të Shqipërisë. Surpriza do të ndodhte më pas. Pas vitit 2000 marrëdhëniet me OMONIA-n ishin vetëm biseda kokë më kokë të pak personave të cilat edhe nëse kanë qenë të shëndetshme apo të mira nuk u pasqyruan ndonjëherë si të tilla në të gjitha pozicionet politike që partia mbante pas zgjedhjeve.
Kjo gjë e largoi partinë nga interesat principale të saj dhe në një farë mënyre nga arsyeja për të cilën ajo u krijua, e largoi atë nga elektorati i saj. Mund të mburremi sa të duam se kemi marrë vota në Kukës, Shkodër apo në këdo vend tjetër të pabanuar nga minoriteti grek por ajo që duhet të pranojmë është se ne kemi humbur votat e atyre njerëzve që ne përfaqësojmë, të atyre njerëzve që në ’92-shin na nxorën si përfaqësuesit më të denjë të tyre me 90% të votave. Këto ne i kemi humbur mbi 50%. E nëse nuk jemi të zgjedhur të minoritetit grek të zgjedhurit e kujt jemi ne?
***
Dushku si fenomen e dëmtoi mjaft PDNJ- shin. Pazaret që rrodhën prej tij deformuan vizionin që kishin drejtuesit e saj për shpërndarjen e bastioneve të partisë dhe lëmoshat e Dushkut krijuan mundësinë të nxjerrin deputetë edhe në Erseke! Kjo në minoritet duhet të ketë shkaktuar të qeshura, të qeshura qe eksponentët drejtues nuk i dëgjuan ndonjëherë, sepse vlerësuan më shumë pushtetin paszgjedhor që nuk i la të shihnin humbjen dëshpëruese të tabanit ku kishin rrënjët e tyre.
Mjerimi i kësaj partie filloi kur mbizotëroi dhe filloi të sundojë fryma e klaneve dhe interesave e përfitimeve personale të krerëve të PDNJ-shit, e diktatit dhe unit, autoritarizmit e frymës së të gjithëpushtetshmit, duke mohuar çdo pikë të statutit, duke shkelur shumë procedura që kanë të bëjnë me jetën e brendshme të një partie. Kjo frymë, ky diktat i mbarsur me sindromën e sundimtarit që bën ç’të dojë për të hequr pengesat që i dalin para zhdukur nga lista e preferencave të gjithë atyre që nuk e lënë nginjen e tij të plotësohet, e ka bërë të rëndë e të helmuar ajrin e kësaj partie, historia e fillimit të së cilës ishte interesante dhe shpresëndjellëse për minoritetin grek.
Në selinë e partisë mbizotëron fryma e mashtrimit, dinakërisë, e atyre që servirin si të vërteta historitë që u interesojnë vet atyre. Kryetari i kësaj partie, z.Dule ka kohe që ka personalizuar partinë. Partia është e barabarte me zotin Dule, që ushtron presion ndaj çdo ministri. Zoti Dule nuk e drejton partinë në bazë të statutit, por në bazë të një tryeze miqsh.
Thoma Miço është nënkryetar i PBDNJ. Megjithatë ai dha dorëheqjen nga posti që mbante si përfaqësues i kësaj partie, sepse për të si gjithë vizioni i vërtetë i intelektualëve është e domosdoshme gjithë hapësira sociale që demonstron funksionet organizative në aspekte të ndryshme, si në fushën e prodhimit si në atë të kulturës, si në politikën administrative. Dhe kur vjen një frymë mbytëse dhe intrigash prej përfaqësuesit kryesor të partisë së cilës i beson dhe i shërben, atëherë gjesti më i përshtatshëm është dorëheqja, por jo për të pranuar fajin “për një krim që nuk e ka kryer” Dorëheqja nga posti i kryeinspektorit u bë, ashtu si ai vet deklaroi në median vizive, për arsye se në vazhdimësi ka menduar se nuk mund të ushtrojë misionin e vet ligjor, pasi qëllimisht struktura politike nga ministria bëjnë përpjekje për të penguar iniciativat e tij”, të cilat janë bërë shkak për përplasjet e vazhdueshme me ministrin e ri të së njëjtës forcë politike, Anastas Duro dhe kreun e kësaj partie, Vangjel Dule.
E ardhmja e kësaj partie?!
Sot në PDNJ flitet për një grup të fuqishëm anti-Dule, që do të thotë, anti-regres të kësaj partie, frymë e re që duhet të implementohet në këtë parti për ta ridimensionuar atë. Në këtë situatë, Z.Miço ka shpalosur dhe ka gati një platformë politike për të cilën do kërkojë mbledhjen e një kongresi të jashtëzakonshëm ku do të parashtrohet kjo platformë që ka në themel kthimin e PBDNJ në një forcë me bazë etnike minoritetin grek, forcë e cila ka mbi 100 mijë votues në Shqipëri. Ka si qëllim kthimin e PBDNJ në misionin e saj të vërtetë politik si shprehëse autentike e elektoratit të minoritetit etnik grek në Shqipëri si edhe për një përfaqësim real dhe dinjitoz në parlamentin Shqiptar. Kjo parti ka nevojë për ndryshime të nevojshme dhe të domosdoshme në programin dhe statutin e saj. Kjo parti e ka të domosdoshëm mbajtjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm me karakter programor dhe paraelektoral.
Kalimi i partisë në një parti me baza etnike për tu kthyer plotësisht tek komuniteti të cilin përfaqësojnë, me një organizim më të mirë të partisë në zonat e banuara nga minoriteti grek si edhe me ridimensionimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen institucionale e të plotë të objektivave të organizatës OMONIA.

Shënim:
Në numrin e ardhshëm do botohet platforma e shpalosur nga nënkryetari i PDNJ-shit, Thoma Miço
Si dhe intervista e plotë me z.Miço

Κυριακή 18 Ιανουαρίου 2009

Nga moda deri tek pandjeshmëria e të kërkuarit falje

Nga moda deri tek pandjeshmëria e të kërkuarit falje

A jeni përpjekur ndonjëherë të kërkoni në Internet frazën “Kërkoj falje”?
Në italisht ka 1.590.000 referime në lidhje me fjalën “falje”, ndërmjet të cilave: Kisha katolike kërkon falje për viktimat e klerikëve pedofilë, Guineth Paltrou kërkon falje nga aktivistët për të drejtat e kafshëve, sepse veshi një gunë për një reklamë, Kisha Anglikane kërkon falje nga Darvini për reagimin e saj fillestar armiqësor për teoritë e tij, gazetari Xhianpiero Mugini kërkon falje dhe merr mbrapsht të gjitha sa tha për Aleks del Pieron, Shteti i Virxhinias, kërkon falje për punën, Ronaldo kërkon falje por delkaron se nuk është gay, Kalaxhe i Milan merr mbrapsht shpërthimin kundër arbitrit dhe kërkon falje, Warner Bros kërkon falje nga miqtë e Harry Poter sepse e vonoi filmin e fundit, Apple kërkon falje nga klientët e saj për servisin e keq, një i ri italian prishës qetësie ërkon falje nga një emigrant kinez, pasi e rrahu; qeveria kanadeze kërkon publikisht falje nga Inuitët për keqtrajtimin që patën të paktën 150.000 fëmijë; qeveria e Australisë kërkon falje analoge nga Avoriginet, Ram Emanuel, shefi i ardhshëm i personelit në kabinetit e Barak Obamës kërkon falje për komentet antiarabe që bëri babai i tij, Benxhamin, Fiati kërkon falje nga Pekini për reklamën e Lancia Delta në Tibet...
Përderisa këto 1.5 milionë referime të kërkimit të “faljes” në Internet përfshihen edha ato që u bënë në vitet e kaluara, le të kujtojmë se Berluskoni kishte kërkuar falje nga bashkëshortja e tij Veronika, sepse flertonte me gra të tjera. Papa Benedikti i VI kishte kërkuar falje nga Muhameti, Gjon Pali II kishte kërkuar falje nga Galileu (dhe kështu Toka gjithë gëzim filloi përsëri të rrotullohejrreth diellit).
Por lajmi më i ri është si më poshtë: në një intervistë në rrjetin televiziv ABC, Xhorxh Bush kërkoi falje nga populli amerikan, sepse filloi pa arsye luftën në Irak (në të cilën janë vrarë më tepër se 4.000 ushtarë amerikanë, qindra ushtarë të aleatëve, qindra mijëra irakenë dhe të tjerë civilë, pa përfshirë këtu edhe të plagosurit.). Kërkoi falje për këtë therrtore, sepse u ndërgjegjësua se terroristët nuk ishin atje dhe se Sadam Huseini nuk kishte armë bërthamore.
Ishte gabim i “inteligjecës” (të mos përkthehet si “gjenialitet”).
Nuk e kam kuptuar nëse kjo moda e të kërkuarit falje shenjon kthimin në përulësinë kristiane, ose thjesht përbën pandjeshmëri: bën diçka që nuk do të duhej të kishe bërë dhe pastaj kërkon falje dhe lan duart.
Më kujton anekdodën e vjetër me kauboin që ecën me kalin nëpër livadh dhe papritur dëgjon një zë t’i thotë që të shkojë në Amblein. Kur arrin atje zëri i thotë që të hyjë në Salon (pijetore) dhe të luajë të gjitha paratë r tij në ruletë, vetëm në numrin pesë (5). Duke ngurruar, por edhe i magjepsur nga ky zë qiellor, kauboi bindet. Topthi ndalon në numrin 18 dhe zëri i pëshpërit: “Më faj, humbëm”.
Por ka edhe më keq. Disa njerëz janë kaq të pamëshirshëm e të këqinj saqë nuk thonë asnjëherë “më fal”! Jetojmë në një periudhë ç’njerëzimi. Persona kundër të cilëve kryhen hetime për mashtrim shkojnë krejt të qetë në qendra nate dhe restorante të modës apo dalin në televizot dhe shpërndajnë autografe. Ata që kanë shkatërrua ekonomikisht qindra familje vazhdojnë të qarkullojnë të pashqetësuar me avionin e tyre privat, ata që janë zgjedhur me mjete të tjera në një post ku askush nuk i do, vazhdojnë të mos e lëshojnë karrigen që përfituan dhe kujdesen përditë për mjekrat e tyre për të treguarfytyrën e tyre në TV. Pastaj janë edhe ata që historikisht janë të padënuar.
Kur Bushi filloi luftën në Irak shumë kishin protestuar dhe francezët kishin ndarë qëndrimin e tyrenga ajo luftë. Atë periudhë (dhe nuk flas për Amerikën, ku të gjithë ende ishin të tronditur nga 11 Shtatori dhe reagonin duke u ndërruar emrin patateve të skuqura që atje quhen “French fries”) këtu tek ne, në Europëshumë zëra të urtë u ngritën duke akuzuar si terroristë dhe artikujshkrues të paguar nga Bin Ladeni, të gjithë ata që shprehnin shqetësimin për sulmin amerikan.
Jo vetëm kaq, por kur Bushi lajmëroi me ditirambe se lufta në Irak kishte mbaruar dhe se ishte fituar (një tjetër gënjeshtër e mjerë kjo, dhe krejtësisht e qartë për të gjithë ata që kanë mendjen në kokë), mbështetësit e tij italianë shkruanin artikuj ironikë kundër të gjithëve atyre që kishin dyshime, duke thënë: “E shihni, ne kishim të drejtë”!
Pretendin mbi të gjitha paranojak, pasi edhe kur një luftë është fituar, kjo nuk do të thotë se ekzistonin shkaqe me të vërtetë të dukshme për t’u bërë. Fillimisht Hitleri fitonte vazhdimisht, por nuk kishte të drejt. Tani do të doja të shikoja se si do të reagojnë faqezinjtë këtu tek ne, kur Bushi të kërkojë sinqerisht falje për gabimet e tij.
©2008 Umberto Εco/L΄Εspresso
Përktheu: Ardi Stefa