Τετάρτη 21 Ιανουαρίου 2009

Fenomeni Miço dhe dyert e mbyllura të intelektualit

Fenomeni Miço dhe dyert e mbyllura të intelektualit
Miranda Haxhia

Në Shqipëri gjërat lëvizin kaq shpejt, saqë ndonjëherë ngjarjet mbeten në hije, megjithëse ato përmbajnë një domethënie, e cila është shqetësuese jo vetëm për njeriun, i cili është më pranë ose bëhet faktor i këtyre ngjarjeve, por për gjithë shtresën e intelektualëve, profesionalëve, menaxherëve të suksesshëm të burimeve njerëzore, projekteve dhe ideve progresiste.
Kështu, duke investiguar përtej lajmit të thatë që u dha para disa ditësh për dorëheqjen e drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Punës, z.Thoma Miço, shikon dritëhijet e një marrëdhënie bizare me PDNJ të drejtorit në fjalë, që për hir të së vërtetës, mbahet si një nga përfaqësuesit më konsekuentë, më seriozë, më të pranueshëm të PDNJ. Kjo, jo për atë se si prezantohet kjo parti në skenën politike shqiptare, por për risitë, për frymën pozitive, për menaxhimin dhe drejtimin e suksesshëm të dikastereve në të cilat ka kontribuar, duke i tejkaluar pikësynimet e partisë së vet për të qenë përfaqësuese në koalicionin qeverisës, në atë të kontributit për të qenë pjesë e suksesit të qeverisë shqiptare të dalë nga zgjedhje te vitit 2005.
Fenomeni Miço dhe kioskëzimi i intelektualit
Para se të ishte nënkryetar I PDNJ- shit; para se të ishte drejtor i Inspektoratit të Punës; para se të ishte deputet për një legjislaturë; para se të ishte zv.ministër në Ministrinë e bujqësisë; - Thoma Miço ishte dhe vazhdon të jetë intelektual. Nga ata intelektualë që, në fazën kur njeriu qartëson bindjen e tij politike, u vu në radhët e forcave progresiste që sollën demokracinë në Shqipëri, duke u shfaqur bindshëm si njeri që përqafoi me ndërgjegje të thellë të Djathtën e që ofroi kontributin e tij për këtë, fakt që nuk ka kush t’ia mohojë, pasi qenë në të njëjtën anë ku shtyhej rrota e fatit e Shqipërisë së bashku me demokratët, një pjesë e mirë e të cilëve sot janë në krye të qeverisë shqiptare.
Ashtu si të gjithë intelektualët që janë mbajtës të veprimtarisë shpirtërore, të shenjuar në pikëvështrimin kulturor, janë njerëz të plotësuar me një kulturë të mirë apo dashamirës të studimeve, janë njerëz që vlerat e tyre i vënë në shërbim të njerëzimit, janë njerëz të specifikuar në aftësinë për të mbajtur me zotësi e demonstruar një influencë të thellë në përbërje të një organizimi politik apo të një drejtimi ideologjik, edhe Thoma Miço me gjithë produktin e vet, krijoi një profil të tillë, të pëlqyeshëm për stafin me të cilin punonte, të lakmueshëm për forcën politike të cilën përfaqësonte, të respektueshëm për qeverinë, së cilës i shërbente.
Derisa erdhi një çast dhe ky profil intelektuali jep dorëheqjen. Të pranosh institucionin e dorëheqjes, do të thotë të heqësh dorë nga një punë e mirë, nga një pagesë e mirë, nga të gjitha idetë, programet dhe detyrat që i ke vënë për të zbatuar dhe kërkon të marrësh frytet e kësaj fitoreje si profesional i zotë dhe si menaxhues i denjë vlerash. Përse duhej ta bënte një gjest t tillë, Thoma Miço? Kur mund të punonte sipas aksiomës:- Urdhëro? Si urdhëron! Sidomos ndaj ndërhyrjeve flagrante të eksponentëve kryesorë të partisë të cilën ai përfaqëson, ndërhyrje të personalizuara deri në detaje për përfitime absurde prej kryetarit të saj, z.Dule.
Megjithatë, duke patur parasysh gjithë panoramën e mësipërme të argumenteve, mendoj se veprimi i Thoma Miço zgjon respekt dhe kërshëri.
Inspektoriati i punës për herë të parë krijoi staturën e vet, duke u bërë institucion i besueshëm për misionin që mbart.
Nga kontrollorë e gjurmues të punës së zezë, inspektorët mësuan të bëhen kontrollorë e gjurmues të kushteve të rënda të punës, shkeljes së të drejtave të punëtorëve, zhdukjes së çdo shenjë skllavëruese në trajtimin e punonjësve, mbrojtjen e tyre prej shkeljeve dhe padrejtësive që u bëjnë punëdhënësit. Lidhja e shumë kontratave dhe fillimi i zbatimit të shumë projekteve me vende të rajonit, ndërtimi i marrëdhënieve në punë në bazë respekti ndaj vlerës, dhënia e “logos” inspektoratit të punës janë pjesë e CV e cila në rastin në fjalë shërbeu keq apo u lexua “vëngër”.
***
Çfarë do bëhet me PDNJ-shin?
Duke dalë nga porta e një institucioni, ku puna ju bë e pamundur për shkak ndërhyrjeve brutale të krerëve të partisë së vet dhe shoqëruesve të tyre, intelektuali Thoma Miço, hedh në tregun e ideve, në gjithë ata njerëz që i besuan kauzës së një partie, e cila do mbronte interesat e tyre si minoritet, si grup etnik, një platformë te re politike. Ai mendon se rigjenerimi i partisë është thelbi i zgjidhjes së gjithë ekuivokëve, që hera herës janë me pasoja të dëmshme, jo vetëm për profilin e tyre si politikanë, si intelektualë, si profesionalë, por edhe si forcë politike, e cila në fund t fundit ka nevojë të ketë identitetin e saj të qartë, të pakamufluar dhe të pastruar nga fenomeni “Dushk”
***
Somario
Sot PDNJ nuk ka më nevojë të bindë shqiptarët se është mbarëshqiptare, por minoritetin grek se është partia e tyre. Në përpjekjen për të bërë këtë humbi në vazhdimësi mbështetjen e minoritetit grek që e krijoi sipas shprehjes “shkoi për të hequr vetullat dhe nxori sytë”

***
Shkëlqimi dhe mjerimi i një kryetari partie
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u krijua vetëm dy muaj pasi parlamenti shqiptar miratoi Ligjin për Partitë politike, i cili nuk lejonte që OMONIA të paraqitej një subjekt politik. PBDNJ lindi si një nevojë për përfaqësimin e këtij minoriteti në bashkëjetesën e tij me shumicën që bashkërisht po kalonin një tranzicion të vështirë që pasqyrohej dukshëm në parlamentin dhe shoqërinë shqiptare të kohës.
Themeluesit e parë të saj që vinin nga radhët e organizatës OMONIA aspironin përfaqësimin politik të interesave të minoritetit grek në parlament por jo vetëm, që do të thotë e hapur ndaj gjithë minoriteteve dhe qytetarëve shqiptarë. Përpjekjet e themeluesve të asaj kohe kanë qenë gjetja e rrugëve ligjore për përfaqësimin e minoritetit grek. Ka qenë ky përfaqësim që çoi drejt themelimit të PBDNJ si një parti që do të përfaqësonte të drejtat e njeriut, pra edhe të gjithë minoriteteve në Shqipëri. Kjo pati mbështetje të gjerë nga të gjithë bashkëkombësit.
Sigurisht që një pjesë e vogël këtij minoritetit do të përfaqësoheshin edhe nëpërmjet partive te tjera, ashtu siç ndodhi dhe po ndodh edhe sot, por përfaqësimi i tyre në këto parti nuk ka pasur të bëjë dhe nuk ka akoma të bëjë me të drejtat e drejtpërdrejta të minoritetit grek. Kjo për shkak të programeve të tyre të cilat nuk përfshijnë tërësinë e interesave të minoritetit si edhe objektivat e tanishme e strategjike të tij.
Prej kohës së krijimit PBDNJ duke qenë se u krijua si parti e të drejtave të njeriut përfaqësoi mirë të drejtat dhe interesat e të gjitha minoriteteve. Minoriteti vllah si një minoritet mjaft i madh u përfaqësua dhe u mbështet në tërësinë e tij dhe jo vetëm ai me kombësi greke por si një i vetëm. Pati përpjekje e serioze edhe për përfaqësimin e minoriteteve të tjera, po këto të fundit të cilat në vazhdimësi nuk e mbështetën në mënyrë evidente partinë dhe për rrjedhojë prezenca politike u zbeh.
PBDNJ që në themelim u mbështet dhe mbështeti krahas minoritetit grek edhe vllehet e Shqipërisë pa dallime nacionaliteti, por duke vlerësuar origjinën dhe kulturën e tyre.
Është fakt që në të gjithë ambientet politike shqiptare PBDNJ nominohej si partia e grekeve të Shqipërisë, gjë që vazhdon edhe sot, megjithëse PBDNJ insistonte të theksonte se është një parti e gjithë shqiptarëve. Sot Partia nuk ka më nevojë të bindë shqiptarët se jemi mbarëshqiptarë, por minoritetin grek se është partia e tyre. Në përpjekjen për të bërë këtë humbi në vazhdimësi mbështetjen e minoritetit grek që e krijoi sipas shprehjes “shkoi për të hequr vetullat dhe nxori sytë”
Karakterin tranzitor të programit dhe statutit të partisë ja dha Mungesa e hapësirës ligjore për të pasur një parti etnike; Shfaqjet e herëpashershme të paragjykimeve nacionaliste që vinin si pasojë e anarkisë që krijoi prishja e sistemit totalitar; Në respektim të plotë dhe të pamohueshëm të bashkëjetesës vëllazërore mes dy komuniteteve
Këto faktorë do te shuheshin pas disa vitesh, kur nga njëra anë kushtetuta e re nuk pengonte më krijimin e një partie me bazë etnike, kurse nga ana tjetër shoqëria shqiptare është sot më e emancipuar politikisht për të pranuar një realitet tjetër.
Prej disa vitesh PBDNJ në vend që të tentonte fundin e këtij tranzicioni, çuditërisht bëri të kundërtën, forcoi imazhin e vet mbarëshqiptar duke i hyrë një konkurrence politike të pakuptimtë. Mbijetesën politike të PBDNJ në vend që ta kërkonte tek veçantia që përfaqëson dhe mbron, minoriteti grek preferoi të bënte atë që bëjnë të gjitha partitë e tjera të mëdha e të vogla shqiptare. Të vazhdosh të këmbëngulësh tek karakteri mbarëshiptar i PBDNJ është nonsens dhe demagogji që u intereson atyre që duan të deformojnë qëllimin për shkak të pazareve politike që të japin një pushtet përfitimesh, të përdorur keq disa herë edhe në dëm të interesave të minoritetit etnik grek.
Kjo gjë e largoi partinë nga interesat principale të saj dhe në një fare mënyrë nga arsyeja për të cilën ajo u krijua, e largoi atë nga elektorati i saj strategjik. Elektorati i vërtetë i PBDNJ nuk e voton më atë në masën që ka votuar në vitet ‘90. Është e vërtetë që votat e partisë mund të kenë pësuar një rritje në vlerë absolute në nivel kombëtar por me ndryshime të theksuara kualitative ku votat e minoritetit grek vinin gjithmonë në ulje.
***
Grekët e Shqipërisë filluan të mos besojnë te partia e tyre
Dihet që pjesa më e madhe e elektoratit minoritar grek është në rrethet Sarandë Gjirokastër Delvinë dhe në zonën e Himarës, siç është e vërtetë që gradualisht pjesa më e madhe e tyre votojnë parti të tjera shqiptare. Justifikimin për këtë e ka krijuar vetë kursi i partisë. Ata kanë të drejtë të zgjedhin një nga partitë shqiptare dhe rrjedhimisht nuk po na zgjedhin ne.
Një fakt tjetër është që PDNJ në këto treva nuk është me një organizim të saj të mirëfillte dhe këtë rol e dublon Omonia. Në një kohë që Omonia duke theksuar gjithmonë karakterin e saj politik nuk mundi të bëhej organizata e gjithë minoritetit grek por vetëm e atyre që votonin PBDNJ, pra dublonin njëra - tjetrën si “historia me dy mamitë...”
Në vazhdimësi, si partia ashtu edhe Omonia filluan të karakterizojnë tradhtarë ata që votonin partitë e tjera dhe patriotë ata që votonin PBDNJ duke e rikthyer terrenin minoritar grek në një luftë të re klasash. Këtë shfaqje më shumë se PDNJ e vuan Omonia e cila nuk u bë kurrë organizata e gjithë minoritetit por vetëm u deklarua e tillë duke mos realizuar një nga objektivat madhore të saj, unitetin mes minoritarëve. Për këtë arsye votat “en bllok” që sillte Omonia në vitet ‘90 në vitet 2000 vetëm emrin kishin “en bllok” OMONIA organizata e minoritetit etnik grek gjithmonë ka mbrojtur të drejtat e minoritetit etnik grek, pa dallim si të atyre që e votonin PDNJ dhe të atyre që nuk e votonin. Ajo priste që atë që s’mund ta bënte ajo, ta bënte PDNJ, e cila me kalimin e kohës ju fut konjukturave politike për mbijetesë ose siç thuhet ndryshe u shit për pak pushtet.
Mbas krijimit të saj, PBDNJ pati marrëdhënie mjaft të mira me OMONIAN. Eksitojnë mjaft marrëveshje të shkruara midis OMONIA-s dhe PBDNJ në prag të fushatave elektorale ku OMONIA pretendonte nëpërmjet marrëveshjeve kompetenca elektorale për zgjedhjen e kandidatëve të propozuar prej saj e që e bënin PBDNJ pararojën politike të OMONIA-s dhe të gjithë grekëve të Shqipërisë. Surpriza do të ndodhte më pas. Pas vitit 2000 marrëdhëniet me OMONIA-n ishin vetëm biseda kokë më kokë të pak personave të cilat edhe nëse kanë qenë të shëndetshme apo të mira nuk u pasqyruan ndonjëherë si të tilla në të gjitha pozicionet politike që partia mbante pas zgjedhjeve.
Kjo gjë e largoi partinë nga interesat principale të saj dhe në një farë mënyre nga arsyeja për të cilën ajo u krijua, e largoi atë nga elektorati i saj. Mund të mburremi sa të duam se kemi marrë vota në Kukës, Shkodër apo në këdo vend tjetër të pabanuar nga minoriteti grek por ajo që duhet të pranojmë është se ne kemi humbur votat e atyre njerëzve që ne përfaqësojmë, të atyre njerëzve që në ’92-shin na nxorën si përfaqësuesit më të denjë të tyre me 90% të votave. Këto ne i kemi humbur mbi 50%. E nëse nuk jemi të zgjedhur të minoritetit grek të zgjedhurit e kujt jemi ne?
***
Dushku si fenomen e dëmtoi mjaft PDNJ- shin. Pazaret që rrodhën prej tij deformuan vizionin që kishin drejtuesit e saj për shpërndarjen e bastioneve të partisë dhe lëmoshat e Dushkut krijuan mundësinë të nxjerrin deputetë edhe në Erseke! Kjo në minoritet duhet të ketë shkaktuar të qeshura, të qeshura qe eksponentët drejtues nuk i dëgjuan ndonjëherë, sepse vlerësuan më shumë pushtetin paszgjedhor që nuk i la të shihnin humbjen dëshpëruese të tabanit ku kishin rrënjët e tyre.
Mjerimi i kësaj partie filloi kur mbizotëroi dhe filloi të sundojë fryma e klaneve dhe interesave e përfitimeve personale të krerëve të PDNJ-shit, e diktatit dhe unit, autoritarizmit e frymës së të gjithëpushtetshmit, duke mohuar çdo pikë të statutit, duke shkelur shumë procedura që kanë të bëjnë me jetën e brendshme të një partie. Kjo frymë, ky diktat i mbarsur me sindromën e sundimtarit që bën ç’të dojë për të hequr pengesat që i dalin para zhdukur nga lista e preferencave të gjithë atyre që nuk e lënë nginjen e tij të plotësohet, e ka bërë të rëndë e të helmuar ajrin e kësaj partie, historia e fillimit të së cilës ishte interesante dhe shpresëndjellëse për minoritetin grek.
Në selinë e partisë mbizotëron fryma e mashtrimit, dinakërisë, e atyre që servirin si të vërteta historitë që u interesojnë vet atyre. Kryetari i kësaj partie, z.Dule ka kohe që ka personalizuar partinë. Partia është e barabarte me zotin Dule, që ushtron presion ndaj çdo ministri. Zoti Dule nuk e drejton partinë në bazë të statutit, por në bazë të një tryeze miqsh.
Thoma Miço është nënkryetar i PBDNJ. Megjithatë ai dha dorëheqjen nga posti që mbante si përfaqësues i kësaj partie, sepse për të si gjithë vizioni i vërtetë i intelektualëve është e domosdoshme gjithë hapësira sociale që demonstron funksionet organizative në aspekte të ndryshme, si në fushën e prodhimit si në atë të kulturës, si në politikën administrative. Dhe kur vjen një frymë mbytëse dhe intrigash prej përfaqësuesit kryesor të partisë së cilës i beson dhe i shërben, atëherë gjesti më i përshtatshëm është dorëheqja, por jo për të pranuar fajin “për një krim që nuk e ka kryer” Dorëheqja nga posti i kryeinspektorit u bë, ashtu si ai vet deklaroi në median vizive, për arsye se në vazhdimësi ka menduar se nuk mund të ushtrojë misionin e vet ligjor, pasi qëllimisht struktura politike nga ministria bëjnë përpjekje për të penguar iniciativat e tij”, të cilat janë bërë shkak për përplasjet e vazhdueshme me ministrin e ri të së njëjtës forcë politike, Anastas Duro dhe kreun e kësaj partie, Vangjel Dule.
E ardhmja e kësaj partie?!
Sot në PDNJ flitet për një grup të fuqishëm anti-Dule, që do të thotë, anti-regres të kësaj partie, frymë e re që duhet të implementohet në këtë parti për ta ridimensionuar atë. Në këtë situatë, Z.Miço ka shpalosur dhe ka gati një platformë politike për të cilën do kërkojë mbledhjen e një kongresi të jashtëzakonshëm ku do të parashtrohet kjo platformë që ka në themel kthimin e PBDNJ në një forcë me bazë etnike minoritetin grek, forcë e cila ka mbi 100 mijë votues në Shqipëri. Ka si qëllim kthimin e PBDNJ në misionin e saj të vërtetë politik si shprehëse autentike e elektoratit të minoritetit etnik grek në Shqipëri si edhe për një përfaqësim real dhe dinjitoz në parlamentin Shqiptar. Kjo parti ka nevojë për ndryshime të nevojshme dhe të domosdoshme në programin dhe statutin e saj. Kjo parti e ka të domosdoshëm mbajtjen e një Kongresi të Jashtëzakonshëm me karakter programor dhe paraelektoral.
Kalimi i partisë në një parti me baza etnike për tu kthyer plotësisht tek komuniteti të cilin përfaqësojnë, me një organizim më të mirë të partisë në zonat e banuara nga minoriteti grek si edhe me ridimensionimin e marrëdhënieve dhe mbështetjen institucionale e të plotë të objektivave të organizatës OMONIA.

Shënim:
Në numrin e ardhshëm do botohet platforma e shpalosur nga nënkryetari i PDNJ-shit, Thoma Miço
Si dhe intervista e plotë me z.Miço

Δεν υπάρχουν σχόλια: