Σάββατο 4 Οκτωβρίου 2008

“E diell” dhe errësira mediatike

“E diell” dhe errësira mediatike
Miranda Haxhia

Nuk ka paqe për kanalet televizive shqiptare. Kushdo që e ndjek televizionin nga jashtë vëren vetëm tipe emisionesh –trash- cilësi e ulët e programeve dhe mediokritete të pafundme të drejtuesve, meshkuj për pjesën politike dhe femra për velin rozë të programeve. Mes tyre është formati i një kombi, është shija dhe jeta e shumë njerëzve që janë shumë të zakonshëm, por kërkues për vet natyrën e lidhjen që kanë me median vizive si shikues. Nëse do bëhej ndonjë sondazh për emisionet e dobëta lista do qe e gjatë.
Programet dhe cilësia e tyre u ngjan shumë punës në një ndërmarrje. Kur ajo është shtetërore, punonjësit e saj vijnë nga rrethe miqsh dhe njerëzish me pushtet. Ndërmarrja ecën pak e nga pak si një kooperativë bujqësore ku të gjithë bëjnë sikur punojnë, të gjithë bëjnë sikur qeshin. Ndryshe ndodh në një sipërmarrje private. Që kur fillon përzgjedhja e njerëzve, programeve, qëllimi është sfida cilësore. Këtë të fshehtë ka edhe podiumi mediatik televiziv. Për sa kohë që programet kanë si drejtues njerëz që vijnë si miku, kushëriri, daja, baxhanaku, e bukura, miss-i, janë të dështuar. Nëse nisen duke konkurruar, duke miratuar programe dhe cilësi njëherësh, mundësia për të sfiduar është më e madhe. Këtë fat e pati emisioni “E diell” që diti të blejë një kapacitet intelektual, me integritet mediatik dhe njerëzor, cilësisht i besueshëm, “i pakorruptueshëm” si Adi Krasta. Dhe nuk mund ta lë pa e shoqëruar nga një tjetër kapacitet i gjetur, Albana Osmani. Zgjedhje e përkryer, besueshmëri e garantuar.
***
Ishte e rrezikshme të hyje në të njëjtin orar me një tjetër program, ishte e rrezikshme të kërkoje një hapësirë kohe të madhe për ta mbushur me prurje që konvertohen në vlerë dhe cilësi, por ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme për të kuptuar cila është cilësia dhe cili është dallimi. Vetëm një konkurrencë e hapur dhe e dukshme, një përballje e tillë i bën njerëzit të mendojnë, të gjykojnë dhe të dallojnë. E vlerësoj si të veçantë emisionin “E diell” që u prezantua ditën e diel, për herë të parë në top channel. Dhe si program i ri natyrisht që do ishte në sitën e krahasimit me të ngjashme të tilla të ditës së diel që vijnë në kanale të tjera. Ajo që ishte e veçanta e programit “E diell” ishte niveli i lartë i inteligjencës, natyrshmëria dhe kapërcyelli logjik i asaj që ndodhte dhe pritej të ndodhte sipas prerjes kohore e sipas skenarit. Drejtimi i Adi Krastës dhe Albana Osmanit ishin dallueshmëria e paevitueshme. Cilësia, elokuenca, ironia, thjeshtësia, mirësia janë të parat epitete që vijnë në mendje pasi i ndjek. Dhe kjo e ndjekur ishte e vështirë. Sepse pulti klikonte hera herës në tjetër stacion. Derisa u kuptua insitiktivisht se luhatja e pultit nuk ishte më domosdoshmëri. Programi “ E diell” nuk kishte të çara të mëdha, nuk kishte plasaritje, nuk kishte mbushje me falsitete dhe fraza të lodhshme, nuk kishte spërdredhje që godasin pa mëshirë shikuesin. Nuk i dëgjova në të folmen e Adi Krastës shprehje të tilla acaruese si p.sh: -Ja tek po vjen asistentja ime, ajo mban një letër në dorë, ajo afrohet, ajo ....ecc.ecc! Apo Faaalemindeeerit! Ok! Ok! Ouuu!
Natyrisht programi “E diell” ishte program shumë cilësor, shumë inteligjent dhe shumë shqiptar!
***
Mizëria televizive me mediokritetet e tyre, plagjiaturat, imitimet dhe nivelin
gati qesharak të emisioneve, denatyrimi i drejtuesve të llojit “shashka!” është kthyer në një sëmundje nga e cila publiku, që ka një distancë fizike të domosdoshme për të vënë kufij, rrallë herë shpëton nga kamuflimi prej gjërave sipërfaqësore dhe të shtirura. Media televizive ka një qëllim shumë të lartë, ajo kërkon të ngrejë nivelin e qytetarit tek niveli i kulturës së vërtetë mediatike. Por kur kjo kulturë çalon, atëherë ajo bën rrugën e kundërt, zbret në nivelin, nga i cili e shpëton vetëm ndëshkimi i kritikës. Për fat të keq gjërat janë kaq të ngatërruara, sa edhe kritika stepet, pasi në çastin që ajo konfirmon, i hiqet e drejta e fjalës, e drejta për të këmbëngulur. Ka vite që gjurmët e mbrëmjeve televizive, edhe kur kalon nga stacioni në stacion, të duket sikur kanë të njëjtat prerje, një kinezëri në formatet televizive e përbindshme, ku vendin e parë për nga niveli i dobët e zë invazioni prej debatit politik. Të ftuar politikë dhe drejtues të përgjumur në një buzëqeshje gati fajtore. E njëjta histori përsëritet nga një studio në tjetrën. Imitojnë njëri - tjetrin, imitojnë emisione të tëra nga rrjete të huaja televizive. Një pafundësi emisionesh që montohen keq në mentalitetin shqiptar. Është shumë e rrallë ajo që është e tëra shqiptare. Nuk është se jam kundër marrjes dhe adoptimit të modeleve, por kjo majmunëri e ka bërë qytetarin një qenie së cilës në vend t’i shtohet një shqisë, i mohojnë edhe ato që ka.
***
Guxoj të shpresoj që te programi “E diell” të mos jenë njerëz të abonuar në të njëjtin televizion, shëtitës nga emisioni në emision, duke krijuar plogështinë e rrezikshme të një programi. Sepse do kishim të ftuar abonentë të njërit kanal dhe të ftuar abonentë statikë të tjetrit kanal. Programi shpëton nëse i shmang qarqet e mbyllura me të ftuar që janë realisht në një program tjetër të po këtij kanali televiziv. Duke qenë se gjedhja e parë, drejtuesit e programit janë një provim marrë, ky program do dijë të zgjojë interesat kulturore e sociale nëse do bëjë pjesë tij njerëz që janë të rrallë në llojin e tyre, njerëz që shkëlqejnë në prirjet e tyre, jo në pazaret e tyre për të shitur “mall- të skaduar!”Është vendi i duhur ku mund të flasë maturantja më e mirë e vitit, njeriu që sfidon një karrocë tetraplegjikësh, shkrimtari që nuk e botoi dot një libër në jetën e tij, mjeku që pati babain mjek dhe djalin e ka sërish mjek, Nazmiu që ka një plantacion me mollë e që nuk i shet dot për faj të ministrisë së mollëve të Maqedonisë, apo familja që është ende e internuar për ironi të fatit dhe politikës. Parandjenja është që “E diell” është e tillë për shkak të Adi Krastës dhe Albana Osmanit, ashtu si u shfaqën, ashtu si u dukën: të saktë, të dashur, të mençur, të thjeshtë, të pambarimtë, të besueshëm dhe tejet shqiptarë!

Δεν υπάρχουν σχόλια: