Κυριακή 12 Οκτωβρίου 2008

Luftë shtetit në emër të pushtetit të Fazlliçit

Luftë shtetit në emër të pushtetit të Fazlliçit
Nga Mero Baze
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka shpallur dje ofensivën e tij kundër Prokurorisë në shenjë hakmarrje për nisjen e procedimit penal ndaj Damir Fazlliç. Me një hakërrimë të pazakontë, ai kaloi në gatishmëri numër 1 grupin e gatshëm kundër kryeprokurores, Ina Rama, që përbëhet nga ministrat Nishani dhe Alibeaj. Të dy në një kohë, me një zë, dhe me të njëjtin përkushtim, kërkojnë ndëshkim të prokurorëve që kërkuan të thërrisnin në bisedë Damir Fazlliçin, edhe pse ky i fundit ka thënë me gjysmë zëri tek intervista në TV “Klan” se është i gatshëm të përballet me prokurorinë, edhe pse vetë zoti Berisha ka premtuar që do të na e sjellë, sa herë i duhet atij, në Kuvend apo gjetkë. I vetmi vend ku na duhet në këto momente Damir Fazlliç është Prokuroria dhe kryeministri ynë, si kryeministër i fjalës së mbajtur, duhet ta çojë atje. Por ai jo vetëm që s’ka ndërmend ta bëjë, por është gati t’i vërë flakën Shqipërisë për një serbo-boshnjak, mik të shtëpisë së tij, mik dhe ortak të fëmijëve të tij, dhe Lulëzim Bashës. Tërbimi është më i madh se në rastin e hetimeve për Gërdecin dhe akoma më i madh se në rastin e hetimeve për rrugën Durrës-Kukës. Shkaku është i lexueshëm. Hetimet për Damir Fazlliç të çojnë në zemër të një historie mafioze të kapjes së shtetit prej familjes së kryeministrit. Këtij të fundit do t’i duhen shumë prova të mbrojë një mafioz që ka bërë krim ekonomik në çdo veprim në Shqipëri. Që shqiptarët të besojnë se Parku Energjitik në Porto Romano nuk është pronë e Argita Berishës, Fazlliçit, dhe ndonjë shefi të tij, duhet që Sali Berisha të marrë një vendim të thjeshtë, të mos e ndërtojë Parkun Energjitik aty, ose të shpronësojë pronarët, sipas ligjit të shpronësimeve për interes publik, me çmimin e tokës së kënetës, 100 lekë metri katror dhe ta bëjë qeverinë pronare të Parkut të ardhshëm. Mënyra si ka vepruar familja Berisha për t’u bërë pronare e Parkut Energjitik, është diletante dhe arrogante. Dy kompani qipriote, secila për hesap të vet, me avokate të njëjtë, që është bashkëpronare e studios së vajzës së tij, shërbejnë si mbulesë e familjes në pushtet që ka blerë tokën. Toka e blerë me parapremtimin e kryeministrit për Park Energjitik, është kapje e pastër shteti nga familja e kryeministrit dhe miqve të saj Ai nuk i ikën dot këtij hetimi. Fazlliç duhet të dëshmojë para prokurorëve ç’është bërë më 1.750 milionë euro, për të cilat ai ka dhënë deri më sot tri versione: 1. “Nuk e kam shitur, por e ka sajuar Mero Baze” (“Top Channel”). 2. “Po, e kam shitur, po kam pas asete” (“Panorama”). 3. “Ia kam shitur vetvetes” (B. Fevziu). Ai duhet të dëshmojë për përfaqësitë e firmave qipriote fantazmë, me të cilat Berisha shpiku mënyrën e re të të bërit biznes në Shqipëri. Nëse ai nuk vjen dhe bëhet i pabindur, prokuroria duhet të thërrasë avokaten e tij, Kola, dhe të shpjegojë ajo realisht se kush është pronari i kësaj toke. Kjo natyrisht e lë pa gjumë kryeministrin Berisha, por që një ditë ta zërë gjumi rehat, duhet të lërë drejtësinë të hetojë. Është hera e tretë që shteti i hakërrehet prokurorisë brenda dy muajsh. Fillimisht iu hakërryen pse po kërkonte imunitetin e Fatmir Mediut, më pas në rastin ‘Trebicka’ dhe tashmë në dosjen ‘Fazlliç’. Akuzat ndaj saj janë të njëjta dhe personazhet të njëjtë. Nishani përdoret si xhandar, media e qeverisë si qendër zëri, kurse Alibeaj si grup i gatshëm për ata që i prishin gjumin kryeministrit në prokurori. Kjo ilustron më së miri dyshimet perëndimore se prokuroria është nën presion për shkak të tentimit të saj për të hetuar dosje që tronditin qeverinë. Dosja ‘Fazlliç’ është një Gërdec i paplasur, që s’ka vrarë njerëz, por ka vrarë përfundimisht shpresën e shqiptarëve për një kryeministër me duar të pastra. Kësaj dosjeje i duhet shkuar deri në fund, për vite të tëra, derisa të sqarohet origjina e parave, me të cilat janë blerë dhjetëra hektarë tokë, dhe konspiracioni i shëmtuar me firmat anonime qipriote. Shteti duhet të dëshmojë dinjitetin e vet përballë Pushtetit të Fazlliçit. Pushteti i Fazlliçit është i përkohshëm. Ai nis dhe mbaron me Sali Berishën. Shteti do të jetojë gjatë dhe kjo është beteja që ai duhet të fitojë.

Δεν υπάρχουν σχόλια: