Κυριακή 5 Οκτωβρίου 2008

Përshtatja

Albin Kurti

Manifestimet e ndryshme për dëshmorët e kombit dallojnë shumë nga njëra-tjetra. Disa manifestime janë më modeste, kurse disa të tjera më pompoze. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me heroizmat dhe kontributin e dëshmorëve. Nuk ka të bëjë aq as me ndjenjat lokaliste të komandantëve të shndërruar në politikanë, që duan të ngrenë veten përmes dëshmorëve të anës së tyre. Diçka tjetër e përcakton dallimin ndërmjet vëmendjeve që u kushtohen dëshmorëve përmes manifestimeve për ta. Në masën në të cilën familja apo shokët e gjallë të dëshmorit i nënshtrohen kursit të politikës zyrtare, në atë masë ngrihet rëndësia posteriori e dëshmorit të caktuar. Pra, nëse familja apo shokët e gjallë të dëshmorit të kombit janë dakord që në manifestim të intonohet himni i Kosovës "Evropa", të valojë flamuri i Kosovës, kori i fëmijëve t‘i ketë ngjyrat "kaltër e verdhë" e jo "kuq e zi", të thuhet që dëshmorët e kombit e dhanë jetën për këtë liri që po e gëzojmë sot, të thuhet se ëndrra e ideali i dëshmorëve u realizuan, t‘u jepet fjala eventualisht edhe atyre që kanë qenë kundër luftës çlirimtare (ose së paku që nuk e kanë ndihmuar atë), vetëm atëherë të vijnë në manifestim kryetari, kryeministri me ndonjë ministër dhe kuadrot e larta partiake. E, aty ku janë ata, vijnë edhe RTK-ja e mediat e tjera, të cilat më parë se manifestimet për dëshmorët i ndjekin paraqitjet publike të pushtetarëve. Aty ku merr pjesë kryetari a kryeministri, aty ku vjen edhe RTK-ja, dhe ai manifestim mandej s‘mund të jetë dosido, apo jo? Prandaj shtohen përgatitjet dhe investimet për manifestimin i cili del më madhështor, më impozant dhe të cilin e sheh gjithë Kosova e diaspora përmes televizorit. Për pasojë, ai dëshmor na shfaqet i rëndësisë së veçantë në krahasim me dëshmorët e tjerë. Qytetarëve të Kosovës u sajohet në kokat e tyre një hierarki e caktuar e dëshmorëve të kombit, e me këtë edhe një version i caktuar i historisë. Përderisa analistët po diskutojnë për nevojën e rishkrimit të historisë, shkrimi i saj i shtrembëruar tashmë po ngjan (sërish). Po qe se i vizitoni ose i takoni familjet e dëshmorëve, menjëherë do ta kuptoni se çfarë do të jetë manifestimi për të birin a vëllain e tyre dëshmor. Sa më shumë që ka familjarë të dëshmorit të kooptuar në sistemin aktual politik, aq më e pasur materialisht është familja e dëshmorit dhe aq më lart posteriori ngrihet dëshmori. Manifestimet më modeste për dëshmorët bëhen atëherë kur familja e dëshmorit është e varfër dhe nuk është e integruar në sistemin politik e në projektet e tij. Pra, kur familja e dëshmorit nuk ka anëtarë të punësuar nëpër ministri, PTK apo Aeroport. Nga manifestimet e dëshmorëve që i kanë edhe sot e kësaj dite familjet e varfra, ka fare pak apo aspak raportime të mediave. Rrjedhimisht, për ata dëshmorë nuk mësojmë shumë dhe mësojmë gjithnjë e më pak.Në anën tjetër, kjo mënyrë e manifestimeve për dëshmorët i përjashton automatikisht dëshmorët nga Kosova që dhanë jetën në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni si pjesëtarë të UÇPMB-së apo Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Shumica e qytetarëve të Kosovës sot nuk janë në gjendje ta thonë emrin e asnjë dëshmori nga Kosova, i cili u vra në Luginë të Preshevës apo në Maqedoni. Manifestimet për dëshmorët e kombit përkrahen nga qeveria për aq sa ato mund të funksionalizohen për nevojat e politikës zyrtare. Qeveria e Kosovës i mbështet vetëm dëshmorët e kombit, familjet e të cilëve lejojnë që ata dëshmorë të kosovarizohen post mortum. Qeveria sigurisht se nuk e ka lehtë. Sepse, Kosova nuk ka dëshmorë. Dëshmorët e UÇK-së janë, në fakt, dëshmorë të Shqipërisë. Lexojeni betimin e ushtarit të UÇK-së dhe binduni: "Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe bashkimin e tyre; do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën, të luftoj për t‘i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im. Betohem!". Në asnjë vend nuk përmendet Kosova. Nëse Hashim Thaçi organizon ndonjë forcë të armatosur për t‘i kontrolluar kufijtë e Kosovës e për ta marrë veriun, atëherë Kosova do të mund t‘i ketë dëshmorët e parë të saj. Mirëpo, natyrisht se kjo gjë nuk do të ndodhë. Qeveria e Hashim Thaçit s‘e ka ndërmend t‘u bëjë gjë as strukturave të Serbisë në Graçanicë (përveçse t‘ua ruajë rrogat), e lëre më atyre në veriun e Kosovës. Kjo qeveri nuk e ka preokupim tokën e territorin e Kosovës, ajo s‘brengoset për hapësirën e Kosovës. Kjo qeveri e ka në thumb kohën e Kosovës, historinë e saj, të cilën dëshiron ta përdorë në shërbim të jetëgjatësisë së vetes. Politikanët e qeverisjes aktuale për të mbetur qeveritarë kanë dëshmuar se janë të gatshëm të qeverisin edhe me dëshmorët. Prandaj, nuk është e drejtë që çfarëdo trajtimi i historisë, sidomos ai me synim rishkrimin e saj, të bëhet thuajse shkrimi i politizuar i historisë i takon historisë, pra së kaluarës; dhe, thuajse e tashmja që deponohet si shumësi faktesh për historinë e ardhshme s‘do të ketë nevojë të rishkruhet përsëri në të ardhmen. Diskutimi për rishkrimin e historisë mund të bëhet vetëm prej atyre njerëzve që e kuptojnë se edhe pozita e tyre në të sotmen nuk është imune, se nuk është pozitë e një epoke postideologjike a postpolitike, prej nga do të ishin të sigurt që ta kenë komoditetin e analizës së pastër dhe absolutisht objektive. Nuk mund të ketë vështrim kritik për historinë e shkruar dhe as konstatim kredibël për nevojën për rishkrimin e cilësdo pjesë të saj, pa e pranuar se edhe kritikuesi edhe e sotmja e tij nuk janë përjashtim dhe s‘paraqesin kurrfarë veçantie. Pierre Bourdieu me të drejtë thoshte se i gjithë progresi në njohjen e objektit është progres në njohjen e subjektit që njeh, dhe anasjelltas. Diktaturat në të kaluarën dhe mundësitë për diktatura në të ardhmen nuk duhet të trajtohen thuajse, e sotmja është një kohë pa diktaturë. Madje, pikërisht ajo mënyrë do të bënte që diktaturat e shkuara të harrohen për shkak të atyre që do të na vijnë.

Δεν υπάρχουν σχόλια: