Σάββατο 4 Οκτωβρίου 2008

E lirë shkolla në Kukës, por të vret qiraja e rrugës!


E lirë shkolla në Kukës, por të vret qiraja e rrugës!
Miranda Haxhia

Një kujtesë të gjithë prindërve që duan t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në një shkollë të mesme profesionale, pavarësisht, publike apo jo publike. Një kujtesë edhe atyre prindërve që gabojnë dhe i shkollojnë fëmijë te tyre në Tiranë. Në çastin që e kanë regjistruar këtu, kanë kufizuar përfundimisht të ardhmen e tyre. Kanë kufizuar përfundimisht mundësinë e regjistrimit në një universitet i cili del jashtë këtij kufizimi të drejtash. Këtë e kupton vetëm kur mbaron shkollën fëmija dhe ai mbetet jashtë shkollimit të mëtejshëm universitar. Çështja është paksa e ngatërruar për lexuesin e zakonshëm. Edhe për mua. Ajo është çështje ekspertësh dhe matematicienësh të cilët merren me %, me koeficentë dhe me përzgjedhje. Do ishte shumë interesante dhe e mençur sikur prindi ta kishte nisur për të përfunduar arsimin e mesëm djalin apo vajzën në një shkollë të mesme të një fshati të humbur, në një cep të humbur ku mesatarja e notës së shkollës së mesme do ishte patjetër dhjetë absolute, mund të merrte dhe medalje të artë, pavarësisht, në bëhet apo jo mësim, në mëson apo mbjell patate në bahçen e mësuesit nxënësi i asaj shkolle të padukshme të një zone të thellë. Ajo që vlen është se ajo mesatare vjen në Tiranë, ajo i mbyt të gjitha notat që përpiqen të marrin nxënësit e shkollave të kryeqytetit të cilët kalojnë në sitën e kontrolleve, të gërmimeve dhe projekteve ministrore dhe eksperimentale.
Asnjë gjë nuk është e pamundur këtu. Të gjitha janë rrugica të cilat ia vlen t’i eksplorosh për të mbërritur në portë ne Universitetit.
Një nga pikat e tjera të dobëta të sistemit të pranimit në Universitet është i famshmi koeficent. Shkollat e mesme profesionale e kanë shumë të ulët në krahasim me shkollat e mesme të përgjithshme. Sepse ligji si duket e parashikon që një nxënës i shkollës profesionale nuk ka ç’ta dojë letërsinë, filozofinë, apo shkencat e tjera shoqërore. Ato nuk i duhen ose i duhen pak. Po sikur në këto shkolla të flejë një talent letërsie, apo filozofie? Ai është i destinuar të vdesë si talent, sepse është mbjellë nga prindi në një tokë të huaj! Ai duhet të jetë i shkëlqyer në matematikë, në fizikë apo kimi. Sepse këtë shkollë ka zgjedhur dhe kjo shkollë deri këtu të çon. Problemi deri tani nuk është as i ministrisë së arsimit, as i shpikësve të kësaj reforme. Problemi është i shijes së prindërve.
Ajo që nuk e kanë menduar teoricienët është se pas katër vjetësh do dalin ekonomistë dhe kimistë, inxhinierë nga Durrësi, nga Kukësi, Korça e Saranda, ah, edhe nga Universiteti i ri i Lushnjës që kanë hyrë në atë shkollë me 2000 pikë dhe do vijnë të kërcasin dhëmbët në Tiranë për një vend pune! Dhe do ta nxjerrin jashtë radhe një ekonomist që me shumë sakrifica ka studiuar në Universitetin e Tiranës shkollën e ka edhe pesa e gjashta në librezën e notave. Specialistët e Universitetit të Tiranës e dinë këtë defekt dhe ku mundin të ndihmojnë ndonjë mik, e ndryshojnë koeficientin e notës që kur nisin korrigjimet e provimeve. Sepse kanë kuptuar që është antikap “vdekjeprurës” për të ardhmen e një nxënësi që pretendon përtej kufijve të mundësisë që jep shkolla.
Gabimin që bënë shumë prindër që nuk e çuan fëmijën të mbaronte një shkollë të mesme në një qytet të vogël, në një fshat të madh, nuk duhet ta bëjnë kur vjen puna për të konkurruar për në shkollën e lartë. Sepse një maturant që në shkollën e mesme ka marrë 4800 pikë, në Tiranë nuk fiton dot! Por në Kukës del i pari! Në Lushnje, rrezik se hyn pa konkurs, meqë është Universitet i njomëzak. Dhe fillon Universitetin në një qytet ku në çdo tre hapa do ndeshesh me pedagogun e lëndës ose si komshi, ose si kushëri!
Për t’i dalë në fund kësaj historie, pa i rënë më qafë as ministrisë e cila natyrisht, nuk mund ta ketë selinë në Kukës apo Lushnje, ose të nisen prindër e fëmijë syrgjyn në këto rrethe të largëta derisa të marrin një diplomë si të shkëlqyer e të rikthehen në Tiranë triumfatorë, ose të mbyllim Universitetin e Tiranës dhe të kemi një standard më natyror, më lokal, më familjar të shkollës së lartë për të gjithë Shqipërinë, sepse dallimet midis Kukësit, Sarandës dhe Lushnjës, janë vetëm dallime kilometrike, ndërsa për cilësi mësimdhënie dhe kërkesë llogarie, natyrisht, është në raport të drejtë me dy mijë pikëshit fitues dhe dëftesat me të tëra dhjeta që mbërrijnë edhe deri në Tiranë pa frikë dhe pa mëshirë.


Δεν υπάρχουν σχόλια: