Σάββατο 4 Οκτωβρίου 2008

Nënë Tereza- Aldo Bare- Kadare dhe identiteti shqiptar

Nënë Tereza- Aldo Bare- Kadare dhe identiteti shqiptar
Miranda Haxhia

A janë këto tre emra pikat ekstreme të ditës që përfaqësojnë llojshmërinë që përbën identitetin tonë si komb i qenësishëm, me gjuhë, me kulturë, me doke dhe zakone që, ose janë përmirësuar, ose janë harruar, ose janë degjeneruar në sjellje instiktive dhe regresive? Nuk janë, por duke i parë brenda një kohe të shkurtër të diskutuar, secili përpiqet të mbahet fort tek njëri rast duke u përpjekur të zhdukë negativitetin dhe gjurmët që lë rasti tjetër.
Një komb dhe një vend si Shqipëria ka shumë nevojë për emra të tillë si Skenderbeu, si Nënë Tereza, Kadare, po aq sa ka nevojë një vend të identifikohet prej kulturës dhe historisë së tij. Gjermania njihet prej Bethovenit apo Gëtes, e jo prej politikanëve, Franca njihet prej Hygoit e Balzakut se sa prej ministrave. Po kështu ne pretendojmë që Nënë Tereza apo Kadare të ndikojnë në njohjen e pranimin e vendit tonë si një vend që ka një prurje kulturore, cilësore e virtyte të rralla të cilat e nderojnë botën po t’i ketë në njohjen e saj. Por kësaj dukjeje dhe prezantimi nuk i kanë munguar as emra të tillë të skajshëm si Lul Berisha, Aldo Bare së fundi, të cilët janë pjella të shtetit në pikat e tij më të dobëta dhe molepsjes së politikës në aferat e rrezikshme korruptive.
Gjurmët që lë diskutimi njëkohësisht i kulturës dhe krimit, i paqes dhe vrasjeve, i molepsjes dhe identitetit kombëtar e kulturor nuk janë të thjeshta për t’u harruar.
Identiteti i një kombi nuk përkufizohet kurrsesi në sjelljen dhe atë ç’ka përfaqëson një individ i caktuar, por identiteti i kombit besoj se është pasqyrë e një kulture, e një gjuhe, e një civilizimi. Interesante është situata shqiptare e kohëve të fundit kur gjen në të njëjtën faqe gazete, apo në një edicion lajmesh kapjen e një njeriu shumë të kërkuar me emrin Aldo Bare, diskutimi i Myftimisë së Shkodrës për monumentin e Nënë Terezës dhe së fundmi një shkrim i I.Kadare, i cili natyrisht, nuk do kalojë pa u lexuar mendueshëm nga elita dhe të interesuarit pas kulturës së kombit të vet.
Këto psikologji rreken të krijojnë një frymë të pabesueshme konfuzioni. Të mbledhura bashkë këto tre tituj lajmesh janë koncepte që diktojnë rrjedhimisht tre psikologji dhe tre pikvështrime të cilat dashje pa dashje janë pjesë e asaj që quhet Shqipëri.
Kur shteti dobësohet, njeriu tjetërson fytyrën e ligjit duke i dhënë shkelmin e fundit. Këtë e bënë shumë tipe njerëzish si i fundmit i kapur, të cilët armatosën vetëdijen dhe dhunuan të drejtën qytetare. Po të ndjekësh kronologjinë e formimit dhe “lavdisë kriminale” të kësaj race, shikon se janë fryte të një shoqërie që reflekton pasiguri, që përjeton pështjellimin dhe krizën e mbijetesës, janë derivate të një neodiktature e cila i ka rrënjët në dhunën dhe krimin e madh social e kolektiv që iu bë shoqërisë shqiptare për më se dyzetë vjet me radhe nga regjimi komunist. Cilësitë që lulëzuan qenë urrejtja dhe frika. Dashuria njerëzore nuk dallohej prej dashurisë patologjike për partine. Pavarësisht viteve të para të demokracisë së brishtë, renjët e asaj diktature lëshuan çibanë të rinj, të cilët sapo panë shtetin të hequr e të lëkundur, të rrudhur e grisur si një kartëmonedhë të vjetër, ngritën krye, forcuan dhëmbët dhe sfiduan të voglin, të urtin, të pambrojturin. Kjo dhunë, ky kriminalitet u zmadhuan sa gati u njëtrajtësuan me pamjen e qytetit duke e shndërruar atë në fantazmë të vërtetë vdekjeje.
Në po të njëjtin vend, prej të njëjtave gene shqiptare, lindi dhe u rrit një nga figurat më simbolike të paqes për gjithë botën, Nënë Tereza. Arma me të cilën përuli botën dhe e bëri ta respektojë është dashuria dhe përkushtimi për njerëzit. Mjafton ky fakt që e bën krenarinë tonë të vlojë prej kësaj pasurie të madhe. Dhe një paradoks i paprecedent, një tekë fetare e bën dyshues shenjtërimin e saj. Jemi po ne, i njëjti popull, të njëjtët njerëz që ashtu si gëlltitëm formimin, gjenerimin, lavdinë dhe fundin e një vrasësi, të një krimineli, po ne jemi ata që durojmë këtë lloj sfide që i behet identitetit tonë i cili nuk ka gjasa kurrë të jetë i bipersonalizuar, as edhe për hir të një besimi fetar, apo të një injorance intelektuale. Mjafton të kujtojmë që gjatë marrjes së çmimit Nobel për Paqen në Oslo, në vitin1979, Nënë Tereza “blasfemoi” pikërisht këto fjalë: “Unë gjithmon’ e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin që Paqja e Tij të vij në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutuni shumë për fukarat e mij – dhe për motrat e mija. Unë lutem për juve.” Për këtë lutje nuk e duan monumentin e saj në zemër të qytetit fukara, Shkodrës? Apo për vlerësimin që i kanë bërë personalitete të larta të botës.
“Me personin e Nënë Terezës, është shprehur Xhovani Paolo II , Shqipëria është e nderuar përgjithmonë”. “Nënë Tereza është një gjigande e epokës sonë, frymëzim dhe në të njëjtën kohë sfidë për këdo”, - janë fjalët e Klinton.
Pas këtyre, vjen alarmi dhe kambana e Kadaresë i cili i mëshon fuqishëm idesë se populli shqiptar nuk ka identitet gjysmak, të shtirë apo të fshehur pas lajlelulesh mashtruese. Identiteti i tij është gjithashtu i qartë, pavarësisht se dikush nuk dëshiron ta shohë, e dikujt nuk i intereson ta shohë.
Një sondazh ka nxjerrë se shumica e francezëve aprovon mënyrën si drejtoi Luigji XVI, jo vetëm kjo, por edhe 200 vjet më vonë pranojnë se ndoshta është e nevojshme sërish tiranìa dhe gijotina. E tmerrshme? Jo, është një mënyrë që francezët ndjejnë nevojën të shprehin identitetin e tyre të përbashkët. Ka ndodhur që ky sens i pasurisë kombëtare të shprehet në format e qarta të nacionalizmit. Por identiteti dhe nacionalizmi rrallë herë shkojnë bashkë. Përkundrazi, nacionalizmi ka qenë një instrument për të zëvendësuar mungesën e një identiteti të thellë kombëtar. Rasti ekstrem qe ai i nazizmit që mungesën e një historie të përbashkët dhe fragmentimin politik kërkoi ta mbulonte duke rendur pas mitologjisë së moshës, së arit drejt teorisë së supremacisë raciale të Arianëve dhe premtimit të dominimit gjermanik.
Dalë nga eksperienca dramatike e diktaturës, Shqipëria ka patur bazat për të krijuar një identitet të ri, kolektiv, bazuar mbi vlerat pozitive të lirisë dhe barazisë. Sot është shumë i rëndësishëm dimensioni i kombit edhe pse flitet për globalizim, për Bashkimin Eurpian, pasi është po aq e vërtetë që një shqiptar të ndihet europian, po aq sa një teksas të ndihet amerikan. Pika vërtet e rëndësishme është që si të jesh shqiptar edhe europian kanë një gjë të përbashkët, sepse ndryshe do të prodhonim një shkarje të personalitetit.
Nëse ne duam të shkojnë drejt strehës së Bashkimit Europian me mllefin e padobishëm ndaj një monumenti, me diskutimet pafund për vlerat dhe dobinë e Nënë Terezës, me Aldo Bare &Co nëpër këmbët rakitike të politikës, me një personalitet të padiskutueshëm në fushën e letrave si Kadare( Ah, edhe për të, po të na teket ia fillojmë një debati dhe brenda orës e nxjerrim të paaftë dhe antishqiptar?!)- do gjejmë gjithmonë një portë europiane, kodin e së cilës nuk do duam ta mësojmë kurrë!

Δεν υπάρχουν σχόλια: