Δευτέρα 29 Σεπτεμβρίου 2008

Eurotraktati për emigracionin dhe kufijtë e frikës...


Eurotraktati për emigracionin dhe kufijtë e frikës...
Ardi Stefa
Javën e kaluar ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE, miratuan Eurotraktatin për Emigracionin. Hapi tjetër është miratimi i tij nga qeveritë e vendeve anëtare të BE deri në 15 tetor të këtij viti.
Sikundër u deklarua nga ministrat europianë, ky traktat vendos bazat për një politikë të qëndrueshme dhe afatgjatë të emigracionit, e cila bazohet në tre vlera:
- Realizmi dhe përballimi. 3.8% e popullsisë së Europës përbëhet nga emigrantë dhe kjo përqindje sa vjen e shtohet nga viti në vit. Çdo vit hyjnë në Europë 1,5- 2 milionë emigrantë. Në Greqi në vitin 2007 hynë ilegalisht 112.000 emigrantë klandestinë.
- Solidariteti dhe drejtësia sociale. Sipas hartuesve të Traktatit, vendosen rregulla për të mundur që Europa të administrojë fenomenin e emigracionit, në bazë të vlerave të Civilizimit dhe të Demokracisë.
- Mbrojtja e të drejtave të Njeriut, vlerë e përbotshme, unike dhe e përhershme. Vlerë, e cila përbën bazën e Demokracisë
Traktati Europian për Politikat e Emigracionit sipas të gjitha gjasave, synon në organizimin dhe administrimin e emigracionit të ligjshëm, dhe luftimin e emigracionit klandestin.
Synimet e këtij traktati përsa i përket emigracionit të ligjshëm janë pesë, ndërkohë që synimi kryesor është elasticiteti i Eueropës përsa i përket emigracionit të ligjshëm, ose për ata emigrantë, të cilët kanë arsimim të lartë dhe janë të kualifikuar profesionalisht, marrja e masave të tjera të reja për studentët dhe shkencëtarët, si dhe nxitja e emigracionit ciklik dhe të përkohshëm.
Përsa i përket luftimit të emigracionit klandestin, propozohet forcimi i bashkëpunimit të shteteve anëtare të BE me vendet prej nga vijnë emigrantët. E keqja e kësaj pike, (për emigrantët), qëndron në faktin se Europa, nënshkruan marrëveshje dypalëshe me vendet “eksportuese” të emigrantëve vetëm në disa raste të caktuara që kanë të bëjnë me arsye humanitare dhe jo vendime legalizimi për të gjithë emigrantët që kanë hyrë qoftë edhe ilegalisht.
Gjithashtu Traktati parashikon dhe propozon arritjen e marrëveshjeve të riatdhesimit të emigrantëve në bazë të marrëveshjeve dypalëshe ose edhe të atyre europiane.
Objektivi i tretë im këtij Traktati është forcimi i kontrolleve kufitare. Ministrat e brendshëm ranë dakort që t’i jepen organizmit FRONTEX mjetet e nevojshme për kontrollin e kufijve të jashtëm të BE, pa u cënuar rolet dhe kompetencat e shteteve anëtare.
Objektivi i katërt i Traktatit është krijimi i një regjimi unik për azilin në Europë, i cili do t’u japë garanci të përbashkëta dhe një regjim të njëjtë azilantëve, refugjatëve dhe atyre që kanë kërkuar apo kërkojnë mbrojtje.
Obsektivi i pestë i Eurotraktatit është bashkëpunimi me vendet eksportuese të emigrantëve drejt Europës, gjë që do t’i ndihmojë vendet e treta që të kenë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, në mënyrë që të kufizohet emigracioni klandestin. Shtetet e BE do të krijojnë programe të tilla, por edhe investime në vendet e treta që të kufozohet jo vetëm emigracioni klandestin, por edhe në faktin që emigracioni tashmë të jetë i ligjshëm.
Ky është kuadri i përgjithshëm i Eurotraktatit për emigracionin.
Hollësirat, megjithatë, fshehin shumë kurthe dhe rreziqe.
“Mëkati” kryesor i këtij Traktati qëndron në faktin se i konsideron dhe do të vazhdojë t’i konsiderojë emigrantët të cilët kanë hyrë tashmë në BE, por edhe ata që do të hyjnë në të, si të përkohshëm. Nuk është e rastit që emigrantët konsiderohen si të jashtëm në historinë Europiane. Në historinë europiane, jo vetëm të zhvillimit ekonomik, por edhe në historinë e zhvillimit kulturor e civil.
Edhe kur u japin nënshtetësinë emigrantëve dhe fëmijëve të tyre vazhdojnë t’i konsiderojnë si të huaj, si të TJERË.
Akoma edhe sot fëmijtë e emigrantëve, të cilët kanë lindur në Europën e Bashkuar konsiderohen e quhen “emigrantë”. Emigrantët e brezit të Parë në Europë, pas Luftës së Dytë Botërore i “rregulluan” që të banonin në zona të veçanta, të izoluara, në zona ku nuk kishin asnjë kontakt me shoqërinë në të cilën kishin emigruar. Emigrantët e brezit të dytë, të cilët janë më kërkues e të vendosur për të jetuar mirë në Europë, Europa po i zbulon tani. Si të jenë zgjuar befasisht nga një ëndërr, si të kenë zbuluar befasisht se ata ekzistojnë.
Dhe këtu nuk flasim përndryshime ndërmjet dy vizioneve, por për ndryshimin ndërmjet një politike, e cila bazohet në një radhë vlerash igumenike dhe në një politikë, e cila mohon vetë dimensionin që ndërton atë që është politikë, e mbështetur në frikën, në frikën ndaj emigrantëve, në frikën ndaj krimit, etj, etj...
Prandaj edhe politika mbizotëruese, edhe në këtë Eurotraktat për emigracionin është ajo që “Emigrantët janë të përkohshëm, mysafirë dhe si të tillë duhet që të adaptohen me vlerat politike e kulturore, që përcaktojnë shtetin dhe kombin në të cilin gjenden. Është vendi ynë, ose duajeni, ose ikni!”.
Ky është mesazhi që lëshojnë në shumicën e rasteve shtetet anëtare të BE, pavarësisht se shumë vende të zhvilluara europiane si Gjermania, ua dedikojnë zhvillimin dhe prosperitetin e tyre, në njëfarë mase edhe zbatimit të politikave të qarta në lidhje me emigracionin.
Prandaj edhe në këtë Eurotraktat, për të cilin thashë se fsheh shumë rreziqe, toleranca ndaj të Tjerëve, respektimi i të ndryshmes dhe hapja ndaj saj, shoqërohen nga një frikë maniake se mos emigrantët i shqetësojnë. Me dy fjalë: Gjithçka mirë me Tjetrin, me kushtin që nuk do të përzihet në çështjet e shteteve ku është “mysafir”, me kushtin që Tjetri nuk do të jetë gjithmonë një Tjetër.
Kështu që toleranca koincidon edhe në këtë traktat përparimtar me të kundërtën e saj.
Detyrimi im (i europianit) është që të jem tolerant drejt Tjetrit, por kjo nënkupton në realitet që të mos t’i afrohem shumë, të hyj në botën e tij. Pra, ajo që edhe në këtë traktat shfaqet gjithnjë e më shumë si një e drejtë humane themelore që të mos i shqetësojmë (neve emigrantët) europianët, është që të ruhet një distancë sigurie ndërmjet vendasve dhe emigrantëve, qofshin këta punëtorë me arsim të lartë, të kualifikuar apo me aftësi të larta teknologjike, qofshin shkencëtarë që kanë emigruar dhe mbulojnë nevojat e shteteve europiane...
Ardi Stefa

Δεν υπάρχουν σχόλια: