Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

96 vjet në kërkim të shtetit

96 vjet në kërkim të shtetit
Nga Ardi STEFA

Gjatë këtyre 96 vjetëve që kanë kaluar qysh nga shpallja e Pavarësisë, historia jonë bashkëkohore i ngjan varrit të Muhametit në Mekë; lëviz ndërmjet dy ekstremeve: nga njëra anë përpjekja për një përfundim të plotë nacional, shtetëror, ekonomik e përparim social e demokratik të vendit dhe, nga ana tjetër, përçarja etnike, politike, urrejtja civile që rrëzon me mani të gjitha ato, që me aq mundime janë ngritur e realizuar gjatë pauzave të shkurtëra e të pakta të paqes. E gjithë kjo intifadë e historisë sonë moderne mund të përmblidhet në një frazë: "Në kohë paqeje rrëzuam e shkatërruam gjithçka kishte mbetur në këmbë prej luftës…"
Legjenda e Kalasë së Rozafës sot qenka më aktuale se kurrë…


Zigzaket e shumta dhe kapërcimet e vazhdueshme e të pandërprera gjatë gjithë historisë sonë, nga pavarësia në varësi, nga etja për liri në nënshtrimin total e vullnetar, nga halldupëritë injorante në demokracinë e brishtë e me pak jetë, nga monarkia në diktaturën e kuqe, nga kjo në një demokraci blu e rozë me korniza, veprime e mentalitete të kuqe, dhe së fundi nga të gjitha këto në shpresën e përflakur për demokraci të vërtetë.
Edhe pak ditë na ndajnë nga përvjetori i 88-të i ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, e cila ishte shkëndija e parë e dritës, në kërkim të rrugës së gjatë e të vështirë për t'u bërë me shtet…
Në gjendjen, apo në gjysmëgjendjen, apo çerekgjendjen e mësipërme po na gjen ky përvjetor. Me kërkesën dhe ankthin e çdo shqiptari për një shtet të vërtetë, me demokraci të vërtetë, me moral të kënaqshëm demokratik e jo kaq të nëpërkëmbur, (pa frikën e besimin se nuk ka asnjë përpjekje dhe kurrfarë vullneti për ngritjen e këtij morali), me tolerancë e ligje të zbatueshme drejt. Në këtë gjendje na gjen ky përvjetor në këtë mijëvjeçar të ri.
Të gjithë shqiptarët do të dëshironin ta shihnin Shqipërinë me shtet. Jo me një shtet që në çdo çast u tregon njerëzve dhëmbët dhe u vringëllin kërbaçin, jo me një shtet që i vjedh, i poshtëron e i braktis në fatin e tyre. Të gjithë shqiptarët do të dëshironin një shtet që i mbron, i përkrah, që interesohet për ta, që përpiqet të mbrojë me çdo mjet e mënyrë dinjitetin e personalitetin e tyre, pasi në këtë mënyrë ka mbrojtur vetë personalitetin e shtetit, të atdheut, të Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët do të dëshironin një shtet të vërtetë. Jo shtet për pushtetarët e pseudoshtet për qytetarët e thjeshtë! Jo shtet favorizues për militantët partiakë e pseudoshtet për qytetarët me bindje të tjera partiake! Jo shtet favorizues për pushtetarët e ëndërr shteti për emigrantët…
A mos vallë ne e kemi shtetin dhe e injorojmë atë? Mos vallë e kemi dhe nuk dimë ta dallojmë? Mos vallë me karaterin tonë gjithnjë të lëkundur e të pavendosur, të nxituar e brutal, injorojmë faktorët e nevojshëm objektivë e kohorë, në rrugën e vështirë për të pasur një shtet që të funksionojë normalisht? A jemi vallë vetë ne të përgatitur psikologjikisht, juridikisht,nga pikëpamja sociale dhe e mentalitetit për të patur një shtet? Apo s'jemi gjë tjetër veçse disa kritizerë të sëmurë e ëndërrimtarë demode?
Jo! Të gjitha këtyre dilemave e të tjerave si këto u jep një përgjigje dërrmuese gjendja e pushteteve të këtij shteti. Cilido shqiptar që nuk është politikan, por që i ka sytë në ballë mund të shikojë e ta analizojë gjendjen e sotme. Një kriminalizim i përgjithshëm i shoqërisë, i cili ka bërë që të ngrenë duart përpjetë edhe ato segmente të shtetit që mund të kontribuonin në vendosjen e ngritjen e shtetit. Një kriminalizim, i cili ka korruptuar gjithçka.
Të gjithë kanë pritur ndryshimin me ëndrrën e me shpresën se më së fundi do të kishim shtet. Ndryshimin do të ishte dashur ta shikonim tek ndryshimi i politikës, i raporteve të politikës në raport me shtetin. Por edhe shpresa e vetme në këtë rrugë duket se u shua. Politika në vend që të reflektonte në këtë drejtim për të bërë shtetin, thelloi "punën" për forcimin e shteteve të politikës. Dhe duhet theksuar se këto shtete të politikës janë kryekëput kundër alternativës për t'u bërë me shtet të vërtetë. Shikoni e analizoni dy partitë kryesore edhe tani dhe keni për t'u bindur se kemi një forcim të shteteve të politikës në dëm të politikës për shtetin.
Por cila politikë do të na bënte me shtet?
Duhet kuptuar se politika për të bërë shtetin, një shtet ku të funksionojë ligji, ku të funksionojnë institucionet e drejtësia sociale ka pak gjëra të vërteta.
Në radhë të parë është shumë e nevojshme politika e vullnetit të mirë dhe jo krijimi i maxhorancave. D.m.th. dëshira për t'u ulur të gjithë së bashku e për t'u marrë vesh për të gjitha ato gjëra primare e thelbësore, të cilat kurrë s'mund të zgjidhen nëpërmjet maxhorancës e votës së saj e as vetos së pakicës.
Thelbësore do të ishte edhe vullneti i mirë për të bërë pakte. Pakte sociale, pakte për rendin, për politikën e jashtme, për aleatët e partnerët kryesorë, për aleancat e qëndrimin ndaj fqinjëve e më tej në rajon. Këto dhe të tjera si këto nuk mund të kenë alternativa. Nuancat midis qëndrimeve e grupimeve politike nuk do të përbënin alternativa për këto gjëra kardinale për të gjithë shqiptarët. Për shtetin shqiptar. Alternativat mund të shiheshin tek rrugët dhe mjetet e secilit grupim për të arritur këto qëllime kombëtare. Mirëpo fatkeqësisht nuk pamë asnjë gjë të tillë. Nuk u duk asnjë urë që të bashkonte brigjet tona të ndara si me një thikë të stërmadhe. Dhe politikanët e politika nuk bëjnë asgjë në këtë drejtim. Atyre u mjafton pushteti brenda politikës së tyre. Nuk u intereson shteti i të gjithëve. Dhe më së fundi duhet kuptuar se politikanët e politika jonë nuk janë aq të emancipuar sa të emancipojnë popullin, nuk janë aq të emancipuar sa të ndërtojnë një shtet të vërtetë demokratik e të emancipuar.
"Sa shumë po merremi ne shqiptarët me politikë, në një kohë që politika s'po bën asnjë gjë për shtetin"- më tha një miku im kur po i thosha të gjitha këto shqetësimet e mia.
"Ne kemi një shtet mesjetar, një politikë mesjetare e vetë ne shqiptarët po jetojmë mesjetën e vërtetë"- më shkruante i revoltuar një miku im, i cili sapo ishte kthyer nga Shqipërai- "Atje (në Shqipëri) janë ata që janë të moderuar, antimoderatorët dhe në mes të tyre janë ata që nuk thonë, e për pasojë nuk bëjnë asgjë për të mos i prishur qejfin askujt. Të gjithë ngrenë në piedestal veten e demonizojnë të tjerët. Politikanët në Shqipëri nuk po e kuptojnë se kohët kanë ndryshuar, se shpesh herë as koha e as historia nuk është në krah të tyre, në krah të autarkizmit e simpative të tyre. me Veprimet e tyre ose nuk e kuptojnë ose përpiqen t'i mbushin mendjen vetes se koha e historia nuk i kanë parakaluar e lënë mënjanë. Ne në Shqipëri përsa i përket politikës, jetojmë në Mesjetë."
Nuk isha fort dakort me mikun tim. Në përgjithësi nuk më pëlqen të flas për Mesjetën, pasi mesjeta ishte një epokë tepër serioze, derisa u përgojua e u sha prej historiografisë romantike të shekullit të 19-të. Dhe dihet që nuk është mesjetë: qartësia e së mirës dhe e së keqes që e karakterizonte mundet të na bezdisë sot, të na nervozojë, por atëhere të paktën ekzistonte një e mirë e një e keqe. Sot çfarë gjë e tillë analoge ekziston? Disa herë gjëra të vogla fshehin çështje e probleme të mëdha. Dhe atëherë heshtja rëndon bezdisshëm mbi ata që e bëjnë. Kjo heshtje, ky vanitet na kërcënojnë. Është e kushedisesata herë që shqiptarët do të ftohen të votojnë për të ardhmen e tyre, për shtetin e tyre. Dhe e ardhmja dhe shteti janë ende shumë larg. Dhe përsëri pas disa kohësh shqiptarët do të ftohen të votojnë për shtetin dhe për të ardhmen e tyre. Dhe ndoshta përsëri do të ulem në tryezë të shkruaj për shtetin që s'e pamë kurrë, për të ardhmen që është ende shumë larg…
ARDI STEFA

Δεν υπάρχουν σχόλια: