Πέμπτη 25 Σεπτεμβρίου 2008

Poetët e vrarë nga shteti

Poetët e vrarë nga shteti
Ismail Kadare
Atje pasi i shkuan në plumb, ashtu në pranga siç ishin, i rrokullisën në gropën e hapur, mbi të cilën, pas hedhjes së baltës, nuk vunë as gjurmë as shenjë, në mënyrë që të mos i gjente dot askush. Ky është epilogu i librit tronditës të Sadik Bejkos me titullin prej balade: “Vilsoni dhe Genci”. Ky libër, ashtu si memoriali i tyre përuruar pak kohë më parë, ashtu si shkrimet që na lanë, ashtu si kujtesa jonë, i ngre ata nga toka, plot dritë e shkundëllimë, për të rrokullisur në gropë e në baltë vrasësit e tyre, e bashkë me ta, epokën e krimit komunist në Shqipëri. S’ka shumë kohë, Këshilli i Evropës, pas shumë pengesash, nxori, më në fund, Rezolutën historike për dënimin e krimeve të komunizmit. Të gjitha vendet ish-komuniste janë vënë përpara kërkesës për pastrimin e ndërgjegjes së popujve që kaluan nëpër këtë kalvar. Në qoftë se gjithë vendet e Evropës ish-komuniste ndodhen sot të përfshirë në këtë proces të vështirë moral, Shqipëria duhej të ishte në radhën e parë të tij. Dhe kjo, për arsyen e thjeshtë se, ndërsa në të gjithë treguesit e jetës Shqipëria zinte vendin e fundit, kishte një tabelë ku, për turpin e saj, zinte vendin e parë: atë të krimit shtetëror. Per fat te keq, Shqiperia e sotme, aq e zellshme në të keqen që shkoi, nuk po tregon asnjë ngut për t’u ndarë prej saj.
Jo vetëm kaq. Ka njëfarë kohe, që hapësira mediatike dhe botimet shqiptare, kanë pësuar një përmbytje të paparë prej pranisë gati nostalgjike të regjimit që u përmbys. Kujtime e dëshmi të dyshimta, mashtrime uluritëse, portrete xhelatësh me ngjyra të rreme, kureshti rozë e falsifikime pa fund, të gjitha këto janë të shkruara nga njerëz që hiqen sikur nuk kanë parë, madje as kanë kuptuar se ç’ndodhte. E këta bablokë kinse naivë, jo vetëm që kanë ditur gjithçka, jo vetëm kanë ndjekur me admirim xhelatët te sheshi i varjes apo pushkatimit, por shpesh ka ndodhur që i kanë dhënë viktimës plumbin e fundit, për të festuar pastaj, siç e tregon Sadik Bejko në librin e tij “fitoren mbi armikun e klasës”. Raporti me krimin është një nga raportet themelore të një populli me ndërgjegjen e vet. Pa pastrimin e saj, asnjë popull nuk mund të ketë një shëndet moral normal. Një pjesë e madhe e zvetënimit të paparë që po përjeton Shqipëria sot, lidhet me këtë proces të munguar. Pas librit monumental “Rrno për të tregue”, të At Zef Pllumit, libri “Vilsoni dhe Genci”, është i dyti që po botohet kohët e fundit në këtë rrafsh. Në kohën kur diktatura e përmbysur përpiqet të riciklohet nëpërmjet shtypit dhe botimeve në jetën shqiptare, libra të tillë janë si ledhet që do t’i presin udhën sulmit të saj. Ndaj këta libra e këto ledhe duhet të shtohen e të forcohen gjersa ta vënë në gjunjë të keqen, gjersa ta detyrojnë të heshtë krrokamën e saj.

Δεν υπάρχουν σχόλια: