Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

Patriotizmi i shqiptarëve...

Patriotizmi i shqiptarëve...
Shkruan Ardi Stefa
Le të bëjmë një provë: Le të shohim nëse një javë pas festave të Nëntorit, simpoziumeve pompoze dhe aktiviteteve, interesi ynë për këto ngjarje të rëndësishme duron ende, apo është ndërkohë jashtë kohe dhe vendi...
Në rast se ka një gjë në Shqipëri, e cila në dekadat e fundit ka vuajtur në mënyrë torturuese, ajo është, padyshim, PATRIOTIZMI.
Për dekada me radhë është vënë në thelb në një ndjekje ideologjike, derisa të përfundojë dikur të dëgjohet si atavizëm, ose edhe më keq, të ketë dalë pratikisht nga fjalori i gjuhës së përditshme. Por, ajo që është më e rëndësishme qëndron në faktin se, “shkurorëzimi”, “rrëzimi e rënia” e patriotizmit nga një fjalë e vepër me kuptim e shoqërisë shqiptare, u dedikohet njëlloj baraz si “miqve” ashtu edhe “armiqve” të patriotizmit!...
Me dhjetëra, qindra e mijëra shqiptarët, qytetarë e fshatarë, të cilët përpara 67 vjetëve morën malet, sikundër edhe ata mijlëra shqiptarë, të cilët dolën në mënyrë spontane nëpër rrugë për të “festuar” ardhjen e një lufte(!), nuk e bënë, as se ishin mazohistë dhe donin të shkonin nëpër malet me bëborë që të kalonin vuajtje e tortura, as se donin të nxitoheshin të vriteshin...
E bënë, pasi liria është diçka për të cilën ia vlen që të shkojë ndokush edhe deri në luftë duke buzëqeshur, edhe drejt vdekjes. Kështu, në atë orë të rëndësishme, kuptimi i fjalëve dhe i nocioneve: jetë, liri dhe atdhe, ishin fjalë që identifikoheshin. Në rast se me ndonjëfarë mënyre ata njerëz do të mundeshin të shikonin të ardhmen e tyre, në rast se do të mundeshin që të fantazonin jo një pushtim, por një luftë civile dhe çfarëdo që ajo do të sillte nga pas, ato pamje e histori tronditëse që dëgjojmë në ditët e festave të Nëntorit, apo edhe i shikojmë nëpër dokumentarë të përgatitur enkas për ato ditë, do të kishin mundur ndonjëherë të ekzistonin.
Natyrisht që pyetja nuk është retorike, është më tepër një pyetje naive,- pasi në Histori, sikundër dihet pyetja “Në qoftë se...?”, nuk ka vend. Për këtë le të lemë pyetjet dhe le të kapim faktet e vërtetuara historikisht e nëpër vite. Që nga vitet e para pas Luftës Antifashiste, kuptimi i patriotizmit ishte para së gjithash viktimë e të gjithëve atyre që e bënë kapital të tyre. Lufta civle ishte luftë civile, pavarësisht se për shumë historianë nuk u njoh. Ishte luftë civile për të dyja palët. Çfarë mundet të thotë njeri për një luftë të tillë? Por kjo periudhë, natyrisht, që është nga më të errëtat, pasi themelimi i shtetit të ri shqiptar u ngrit mbi rrafshimin e kuptimit dhe të vlerave të vërteta të jetës, mbi vrasjet e prerjet kolektive dhe duke stigmatizuar kuptimin e vërtetë të patriotizmit. Duhet të kalonin dekada që të ndërpriteshin ekzekutimet, dhe të kalohej në një trajtë tjetër të luftës civile, të internimeve dhe të shkatërrimit të njerëzve tashmë si personalitete.
Patriotizmi i dekadave të sundimit komunist ishte viktimë e fitimtarëve që sunduan për pesëdhjetë vjet!
Por patriotizmi ishte po ashtu edhe viktimë e krahut tjetër. Nga një pikë e më tej, një pjesë e madhe e së djathtës politike në Shqipëri u përpoq që ta monopolizojë konceptin e patriotizmit dhe t’i heqë të drejtën e të qenit patriot pjesës tjetër të shqiptarëve me bindje të tjera politike. Por më e keqja ndodhi më pas e vazhdon të ndodhë edhe sot (jo vetëm nga e djathta, por edhe nga e majta politike shqiptare), pra, e keqja ndodhi më pas, kur në vitet e para të pluralizmit, në partinë kryesore të djathtë, ky koncept u përdor pamëshirshëm, si pretekst politik për mbështetjen dhe fitimin e zgjedhjeve
Me fjalë të tjera, e njëjta taktikë përçarëse si të mëparshmit!...
Nga e djathta e viteve të para pluraliste, patriotizmi u përdor si një fshesë me korrent për thithjen me sukses të të gjithë të pakënaqurve, të persekutuarve që menduan se u erdhi dita e hakmarrjes, por edhe për të thithur të gjithë ata që ashtu si minjtë nxituan të linin anijen e mëparshme dhe të bashkoheshin politikisht me “patriotët” e rinj.
E djathta u rrit, duke ndryshuar përgjithmonë politikisht Shqipërinë...
Përfundimi ishte se që të dyja këto trajta të shkatërrimit dhe të shfrytëzimit të paskrupullt të patriotizmit erdhën për të ngelur dhe për t’ju shtuar gjithë atyre që në fakt e shkatërruan deri në palcë patriotizmin e vërtetë të shqiptarëve të thjeshtë. Sepse patriotizmi është i ngritur në dy shtylla: dashurinë dhe kujtesën!...
Dhe jo në ideologjinë, apo idenë e të dukurit patriot!... Dhe as në një qëndrim e trajtim folkloristk të patriotizmit...
Dhe kështu Shqipëria sot është një vend tepër i ngatërruar. Pa qenë ndonjëherë nacionaliste e shoviniste agresive, një kuptim agresiv që shumë vende europiane i ka bërë të ndihen fajtore gjatë historisë së tyre, në realitet ka ngritur në piedestal si asnjë tjetër patriotizmin e vet, fjalë, e cila që në mitrën e saj identifikohet me atë të lirisë. Sepse patriotizmi ishte e është një përpjekje shumëtrajtëshe e shumëformëshe, zakonisht me ndjenja të fuqishme, me bërtitje e thirrma, por edhe urtësisht e qetësisht. Ishte e është një përpjekje e një luftë, për të cilën, ne, jemi e do të jemi përjetësisht mirënjohës.
Prandaj lind nevoja e kuptimit më të thellë e thelbësor të nocioneve të patriotizmit e lirisë.
Kuptim, që tashmë besoj se kërkesa për rivlerësimin e saj është pjekur. Dhe, që në kohët që po vijnë, padyshim që do ta kemi nevojë.
Por, të paktën, patriotizmi duhet të na interesojë jo vetën dy ditët e festave të Nëntorit, por edhe ndonjë javë pasi kanë kaluar ato festa...

Δεν υπάρχουν σχόλια: