Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

Euro-Zorbas dhe “këmisha e artë e të çmendurit”

Euro-Zorbas dhe “këmisha e artë e të çmendurit”
Në Greqi mundet të shohë çdokush nga afër përplasjen më interesante që vërehet sot në gjithë Evropën- përplasjen ndërmjet dy teorive të mëdha. E para i takon Fransis Fukuijamës: thotë se me triumfin e demokracive liberale dhe të kapitalizmit të tregut të lirë Historia ka përfunduar (me kuptimin se ekziston vetëm një rrugë që garanton përparimin e një vendi). Tjetra është “përplasja e kulturave” e Samuel Handinkton- ideja që kultura e një vendi përcaktohet nga se si dhe qysh do të bëhet kapitaliste apo demokratike. Handinkton beson se vijat ndarëse kulturore dhe fetare të së kaluarës do të përcaktojnë kufijtë e botës së pas Luftës së Ftohtë. Mund t’ju them se Fukuijama fiton në Greqi, por edhe Handinkton
nuk i ka dorëzuar armët.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Greqia e sotme ka përjetuar e kaluar çdo përvojë politike që mund të fantazoni: luftën civile, komunizmin kapitalizmin, nacionalizmin, autarkizmin, kolonelët dhe kaosin. Sot Greqia ka veshur atë që mua më pëlqen ta quaj “këmishën e artë të të çmendurit në BE”. Kjo frazë nënkupton që festa ka përfunduar dhe që gjithë Evropa Perëndimore ka sot të njëjtën monedhë dhe duhet t’i nënshtrohet disiplinës të banikierëve gjermanë.
Këmisha e Artë e të Çmendurit bëri në Greqi atë ç’ka bëri edhe në vendet e tjera: forcoi ekonominë dhe rrënoi politikën. Bujqit e subvencionuar nga shteti panë që kushtet e jetesës së tyre të përmirësohen dhe politikanët grekë panë që zgjedhjet e tyre të kufizohen në zgjedhjen ndërmjet Coca-Colës dhe Pepsi – Colës. Politika greke nuk merret me ëndrrën, vetëm me fitimin tregtar. Sot grindja më e madhe politike në Greqi bëhet revizionimin e sigurimeve sociale. Në vendin që na dha fjalën “politikë”, politika e ideve të mëdha është momentalisht e vdekur. Ku shkove Platon, ku je Sokrat?
Por mos mendoni se zoti Handinkton e ka humbur betejën. Kur kohët e fundit qeveria greke vendosi që të mos shkruhej përkatësia fetare në letërnjoftimet (95% e grekëve janë të pagëzuar kristianë ortodoksë), Kisha Ortodokse e Greqisë lëshoi e revoltuar mobilizimin pro shkrimit të përkatësisë fetare duke denoncuar faktin e një përpjekjeje për dekristinianizimin” e Greqisë. Por Kisha humbi.
BE që çmendet për statistikat, zbuloi se Greqia ka numrin më të vogël të përdoruesve të Internetit dhe numrin më të madh të bujqve. Por (edhe këtë statistikë do ta adhuroni) grekët janë në vendin e parë në Evropë në kategorinë e Daljeve Mbrëmjesore në Qendrat e Dëfrimit dhe restorantet gjatë vitit. Një informim për BE: ky popull do të vazhdojë të shtrihet për të marrë një sy gjumë çdo drekë nga ora 16-20 dhe të shkojë në tavernë në orën nëntë të mbrëmjes, i pëlqen apo jo BE, as edhe në qoftë se i kushton ose jo në ritmet e zhvillimit.
Pjata kombëtare në Greqi është kukureci, i përgatitur nga të përbrendshmet e qengjit. BE mori vendimin që kukureci nuk i plotëson kiteret e euro-shëndetit. Sa gjynah për BE- kukureci vazhdon të serviret në çdo shtëpi greke për çdo Pashkë. Greqia është, pra, vendi i fundit i BE që le pas saj Botën e Vjetër. Por, ndërkohë që është krenare për traditat e saj, është gjithashtu po kaq e vendosur të provojë që nuk nevojitet të mohosh kulturën tënde për të veshur këmishën e artë të të çmendurit- mundet të kesh edhe euron edhe kukurecin. Nuk e di nëse kanë të drejtë, por të paktën përpiqen.

Δεν υπάρχουν σχόλια: