Παρασκευή 19 Σεπτεμβρίου 2008

Rikthimi i Haxhi Qamilit

Rikthimi i Haxhi Qamilit
Nga Arbër Mehmeti
DEBATI PËR IDENTITETIN
Lëvizja Haxhi Qamilste nga pjesa më përparimtare e vendit tonë është konsideruar si simbolika më domethënëse e humbjes së identitetit të atyre shqiptarëve që u unifikuan me pushtuesin, me kulturën e tij, me fenë e tij, madje edhe me kombësinë e tij. “Baba” me ndjekës ishte në kundërshtim me përpjekjet e gjithë atyre patriotëve si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Gjergj Fishta etj, që donin një Shqipëri të pavarur e europine duke u frymëzuar nga moti i madh i Skënderbeut.
Kjo përpjekje vazhdon edhe sot e kësaj dite, sigurisht e mbështetur nga shumë më tepër shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës por kundërshtarët e saj vazhdojnë gjithashtu punën e tyre me zell, në kërkim të mbështetësve të hapur e të fshehur. Ndihmën e parë këta vazhdues të Haxhi Qamilit e kanë marrë pikërisht nga shteti shqiptar, nga politika e tij, në kohen kur thirrej “e duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Pikërisht atëherë anëtarësoheshim në Konferencën Islamike duke demonstruar hipokrizinë ndaj Perëndimit dhe cenuar karakterin laik të shtetit. Sot njeriu që më shumë se kushdo përfaqëson këtë hipokrizi është Rexhep Qosja.
Fjalori dhe mënyra që ai ka zgjedhur për këtë rol e barabisin me Haxhi Qamilin. Sulmi i tij është përqendruar tek qytetari dhe shkrimtari europian Ismail Kadare i cili më shumë se kushdo tjetër gjatë jetës dhe krijimit të veprës së tij ka ushqyer ëndrrën europiane të shqiptarëve, duke mos pranuar për asnjë çast, të identifikohej me kulturën dhe besimin e pushtuesit, kushdo qoftë ai. Kadare shkruan një letërsi të madhe të përbotshme e njëkohësisht letërsi shqiptare, gjë që e bën atë një nga shkrimtarët dhe personalitetet e kulturës botërore më në pah e shqiptarin më të preokupuar e të përgjegjshëm për fatet e vendit të tij. Halli nuk është tek Kadareja si person, por tek kontributi i tij proeuropian.
Atje ku nuk arrinte zëri provincial i politikanëve shqiptarë, andej e këtej kufirit arrinin bisedat e Kadaresë, librat e tij, intervistat e tij, letrat e tij me presidentë e kancelari të SHBA e Evropës për Kosovën dhe luftën e saj historike duke u shndërruar në paladin të kësaj kauze. Ai ka bërë detyrën ndaj kombit të tij. Atje ku propaganda serbe i paraqiste shqiptaret si “shpata” e terrorizmit islamik në Europë, si shpresa e të ardhmes islamike, si kujtim i keq i mundjes së një pjese të Europës apo të princërve mesjetare nga Osmanët, aty paraqitej lideri më europian i Ballkanit Ibrahim Rugova i mbështetur fort nga populli i tij, ku me Nënë Terezën, ku me Papa Gjon Palin, duke fituar gjithnjë e më tepër simpatinë e të fuqishmëve të globit.
Për Kosovën qe një mësim i madh historik, marrëdhënia ndërkombëtare që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë. Ata kanë rastin të kuptojnë më afër kujt ndodhen, shpirtërisht e politikisht, e nga duhet të orientohet shteti i ri.
Shqiptarët kanë bërë rrugë të gjatë, andej e këtej kufirit, për të realizuar ëndrrën e tyre europiane si një nga kombet themelues të kontinentit dhe nuk mund t’i lejojnë vetes më tej të viktimizohen nga politika serbe. Edhe në vitin e mbrapshtë shqiptarët gjetën forcë për t’u ndarë nga murtaja e Haxhi Qamilit, por kujtimi i tij na mbet. Historia është bujare në prodhimin e dordolecëve.
Qosen e mbetur pa punë, në qoftë se, mjekrën e ka hazër, formimin shpirtëror taze, gjithashtu, e këshillojmë të konkurrojë pasi të kalojë provën e zërit për Hoxhë në Kandahar. E, nëse ata nuk e marrin, kurojeni Qosen që të rrijë këmbëkryq në paqe, mbi shiltet apo minderet e veta!

Δεν υπάρχουν σχόλια: