Πέμπτη 18 Σεπτεμβρίου 2008

Monark apo qytetar?

Kleanthi Zoto
Monteskje, te “Historia e Filozofisë të së Drejtës”, thotë që “në demokraci populli në disa drejtime është monark, dhe në disa drejtime të tjera nuk është veçse shtetas”. Këtej lind një pyetje tjetër: Sa është “monark” populli tek e drejta e tij? Masë natyrisht nuk ka, por raportet e popullit “monark” me shtetarin “monark” kanë qenë e vazhdojnë të jenë në proporcion të zhdrejtë me njeri-tjetrin.
Po të studiojmë me kujdes historinë e demokracisë tek ne, do të vërejmë se me rritjen e të drejtave dhe lirive të qytetarit është kufizuar e rrudhur “e drejta” e shtetarit.
Demokracia e viteve ’20-´24 u zbeh në vitet e mëvonshme; më pas ngriu në vitet e diktaturës. Parë në këtë aspekt më duket e drejtë ideja e Spartak Ngjelës, se “që nga viti 1924,… pasioni shkatërroi Parlamentin e parë Shqiptar që funksiononte demokratikisht…”. (“Reformë Shqiptare”, f.135).
Në vitet ´20-´24 të shekullit që lamë pas në Parlamentin Shqiptar ka patur një pozitë e një opozitë me vlera demokratike e qytetëruese,me deputetë të shkolluar në Perëndim. Po të studiojmë me kujdes problemet me të cilat është marrë opozita këto vite, del se ato kanë qenë themelore e u janë përgjigjur kërkesave të kohës. Opozita moderne noliane e këtyre viteve (pa mundur në këto rreshta të ndalem në hollësi) është marrë me probleme të tilla siç janë ato të ruajtjes se hapësirave të pushteteve, me luftën kundër prirjeve të ekzekutivit për të “kapur” hapësirat e legjislativit e të gjyqësorit,me liritë dhe të drejtat e njeriut, sidomos me ruajtjen e të drejtës së votës,me “pavarësinë e ligjit”, me punësimin e deri të raportet mes eksporteve e importeve të mallrave duke i dhënë gjithnjë parësi eksporteve.
Opozita e atëhershme duke vënë pikën mbi “i” e kishte edhe funksionin konstruktiv. Elektoratin, qytetarin, p.sh.,nuk e shihte si një votues të thjeshtë, por si një individ që duhet të ishte i vetëdijshëm për atë që bën. “Liri zgjedhjesh i thonë asaj e cila e vë zgjedhësin në gjendje që mund t´ia japë votën, me kënaqësi e siguri të plotë, pa qenë i thyer apo i nënshtruar askujt prej as një fuqie….se i lirë është ai popull që ka arritur të çmojë të drejtat e tij...”. (Politika, 10.05.1923).
Dhe sa më qytetare e sa më shumë ta ndjeje veten “monark” me të drejta një popull aq më shumë bën progres demokracia. Kjo se prirjet e disave apo të një grupi për t’i “rrëmbyer” sovranitetin Sovranit janë me pasoja të rënda. Në këto raste duhet t’i përmbahemi me rigorozitet parimit se, sa herë është zvogëluar e drejta e “monarkut”-popull aq herë është zmadhuar fuqia shtypëse e “monarkut”-pushtetar.
Pa ulur vlerat e meritat e Zogut si shtet-formues e me gjithë përpjekjet e tij për të ndërtuar një shtet me frymë perëndimore nuk e la ndjenja e tiranisë, e barjaktarizmit e pushtetit absolut për të arritur këtë gjë. Kjo sepse tirania e pushtetit absolut shpie në prerje të jetës demokratike, e më pas në internime e burgime e deri në “arratisje” intelektualësh të shkolluar në Perëndim e gjetkë. Dhe rrëmbimi i së drejtës së “monarkut”-popull arrin deri atje sa ti jepet si “dhuratë” edhe pjesë të territorit pa pyetur të zotët e shtëpisë. Ndaj më duket naiv edhe ndonjë krahasim që i bëhet sot mbretit Zog me Ataturkun që i dha frymë moderne shtetit turk. Monarkia që është e kundërta e shtetit modern, veç te tjerash,e bën “monarkun” sundimtar deri në fund të jetës së tij.
Në teori, por edhe në praktikë, populli bëhet “monark”-të drejtash në demokraci. Më duken me vend sot qëndrimet e opozitës për ta bërë qytetarin shqiptar, në esencë e në përmbajtje, “monark” të vërtet në të drejtat e tij. E them këtë se mund të flasësh tërë ditën për qytetarin e të drejtat e tij, madje mund të hipësh edhe mbi karrige në parlament, po kur synon fuqizimin e vetvetes, në fakt je kundër tij.
Opozita e vërtetë nuk është sinonim i një opozite mefistofeliane që di të thotë vetëm Jo; por një opozitë konstruktive që di edhe Jo-në edhe Po-në, që kundërshton,kritikon madje ashpër kur është e nevojshme pozitën, por edhe bashkëvepron me të kur është fjala për interesa më të gjera. Ky është edhe kuptimi mendoj i nocionit përtej kufijve partiakë që kundërshtohet shpesh nga mediokër provincialë e ziliqarë. Këmbëngulja tek zbatimi i idesë që qytetari nuk duhet konceptuar si objekt që i merr votën dhe pastaj bën ç’të duash me të, është një reformë që dëshmon objektivitet, qartësi dhe njohje të thellë të realitetit shoqëror.
Realizimi i reformës që afron qytetarin me pushtetarin i jep shtetit legjitimitet e fytyrë europiane, e bën demokracinë një organizëm të gjallë e funksional. Kjo reforme, veç të tjerash, jo vetëm që e bën qytetarin subjekt aktiv, por i heq nga shpina të tepërtën shtetin mulla-parazit. Vini pak në lëvizje aparatin konceptual për ekzistencën e mbi 70 partive në afro 4 milionë banorë, e të 14 partive parlamentare që i paguan taksapaguesi shqiptar, dhe gjykoni pastaj për të drejtat e “monarkut- popull”. Ndaj në fushatën që po afron “partizat” kanë frikë sa nga koalicionet aq edhe nga bashkimet nga poshtë. Kjo se qytetari me të drejtën e votës u jep të drejtën e qenies ose mosqenies së tyre. Të tillë rëndesë kanë edhe reformat e tjera.
Po a mund të jesh monark pa qenë qytetar në detyra?
Qytetarit në demokraci nuk i lejohet indiferentizmi, aq më tepër “analfabetizmi” politik. Këtu nuk është fjala që në çdo hap të mendojmë politikisht e të politizojmë deri jetën private; por për probleme me karakter publik që na përkasin të gjithëve. Kryerja e detyrës si qytetar kërkon mbi të gjitha afrimin e bashkëveprimin e ndërgjegjes individuale me ndërgjegjen shoqërore.
Mendoj se duhet të ngrihemi si shoqëri, së paku, në nivelet e një vetëdijeje politike, profesionale, krijuese e kritike. E them këtë se ende nuk jemi shkëputur plotësisht nga mentaliteti “e dinë ata lart”.
“Ata lart” me sa duket, nuk i dinë mirë ca gjëra. Madje janë më keq se kaq. Gërdeci, korrupsioni galopant nga “rrugët patriotike” e deri te farat shterpë të misrit, sulmet ndaj medias publike, anarkia, mungesa e drejtësisë, vetëgjyqësia, etj dëshmojnë se “ata lart” po shndërrohen në një trup të huaj për organizmin e gjallë e të shëndetshëm të demokracisë që aspirojmë.

Δεν υπάρχουν σχόλια: