Παρασκευή 19 Σεπτεμβρίου 2008

POLITIK! Një emër i bukur për një butik

POLITIK! Një emër i bukur për një butik
Nga Inida Gjata ZHAKU
Ky shkrim është thellësisht Politik. U drejtohet të gjithëve.
Sapo ka nisur një protestë kundër Politikës së “Kallashnikovëve”.
Në emër të Politikës së “Vizionarëve e Sensitivëve”. Mbahet në Sheshin e Politikave të Kryengritjes, ky miting.
Ngjason pak me një Teatër rruge. Të gjithë Vizionarët e Sensitivët, fshehur pas maskës së të Revoltuarit, duke kërkuar me vetulla të ngrysura e hije të rëndë Largimin e Politikës së Vjetër.
Të bashkuar! Në emër të Shqipërisë!
Shpesh herë, vërtitja e emrit të Shqipërisë nëpër raporte ndërkombëtarësh, është përdorur si subjekt polemikash e ballafaqimesh publike Politike. Ndonjëherë me këto raporte është fshirë edhe menderja. Madje një KryeDoktorrrr, e ka rekomanduar si shumë të butë për lëkurën e trashë të shqiptarëve, të cilëve edhe 100 si kjo lloj “letre” nuk do t’ua çirrnin të pasmet e as të përparmet.
Kështu që edhe Sondazhet apo Statistikat që kanë të bëjnë me hallet tona, duke qenë se përmenden nga kushdo, kurdo, sido t’i teket gjithsecilit, kanë marrë disa nota të lehta komike e humoristike duke u shndërruar edhe në subjekt barcaletash.
Dje, pas disa kohësh e shkëputur nga programet televizive, ndoqa Opinion. PD dhe PS përballë njëri tjetrit! Tahiri dhe Ruçi si xhandarë. Xhaferri dhe Nishani si viktima. Fevziu më këmbë. Isha duke shkruar dhe me kufje në vesh, dëgjoja minimal techno nga një producent rus. Atyre u shihja vetëm fytyrat e qëndrimet. Herë pas here kapja ndonjë plan të parë e mund ta kuptoja prej lëvizjeve të buzëve të tyre subjektin e debatit. U vra apo s’u vra! U tha apo s’u tha! U bë apo s’u bë! Fitoj apo humbas! Votoj dhe s’fitoj! Mashtron apo mashtroj! Etj….
Kur befas, Nishani se nga e nxjerr një resme të ekranit të kompjuterit personal, ku sipas një sondazhi në Balkanweb, shqiptarët kishin votuar për Politikën e Vjetër, edhe pas gjithë këtyre përpjekjeve të Opozitës për Kryengritje, 80 e ca përqind!
Po ta shihje pa zë siç po e shihja unë, dukej sikur Nishani reklamonte në TV shpikjen e fundit të shkencës, përsa i përket fshirjes së menderes. Me një klikim dhe faaaap. I pastër e i sigurtë edhe një mandat tjetër. Me gjithë ato letra nëpër duar, diçka e re mbase kish ngjarë, e duhej dëgjuar!
Por, kur nisa t’i dëgjoj me zë llafollogët e atyshëm, kuptova se edhe një herë tjetër në TV nga kompetentët e Politikës, nuk thuhej asgjë e re. Viktimat fajësonin Fajtorët. Fajtorët fajësonin Viktimat. Fevziu më këmbë. Letra sondazhesh e raportesh nëpër duar!
Dhe sot, miting.
Me thënë të drejtën, pas gjithë Politikës që dëgjon nëpër programet Politike kupton se Politika shqiptare është vetëm një muhabet ordiner njerëzish ordinerë dhe asgjë e frytshme për askënd jashtë asaj sfere.
Të vetmet Protesta Spontanisht Qytetare në Shqipëri kanë qenë Thirrjet për Paret. Këngët e mjeruara të shqiptarëve, grabitur nga Politika e Piramidave.
Të nxitur nga Politika Tjetër, kundër Politikës së Vjetër! Kjo është shndërruar tashmë në traditë në vendin tonë. Sheshe mbushur me militantë që thërresin apo shohin vëngër në emër të asaj që u dikton Politika e Mitingut!
Tashmë kjo farsë dihet nga të gjithë. Atje në shesh, të ndodh shumë rrallë të shohësh qytetarë të protestojnë ndershmërisht në emër të diçkaje më lartësuese se sa Politika!
Ndaj dhe ky i fundit, si të gjithë mitingjet e tjerë, për një shoqëri të shushatur prej politikës, nuk përfaqëson asnjë lajm. Asnjë ngjarje. Asgjë më shumë se sa disa Xhandarë që fajësojnë disa Viktima. Asgjë më shumë se sa disa Viktima që fajësojnë disa Xhandarë. Dhe disa gazetarë në këmbë.
Asgjë më shumë se ç’ ka ndodhur nëpër protesta të mëparshme, nuk ndodh edhe këtë herë. Politika i sheh qytetarët si vota. Turmat si mjete. Mirëpo, një politikë e re nuk mund të burojë nga metodat e vjetra. Nga protesta të stisura. Nga të blerë që shiten lirë. Nga të lirë që e shesin veten shtrenjtë. Protestat, po nuk buruan prej thellësisë së zemrës së atij që vuan, nuk do të kenë kurrë asnjë vlerë më të madhe se sa do t’i shtojnë kalendarëve një datë rrëmuje e kaosi urban.
Mirëpo, nëse të tjerat do të funksiononin, e sikur ky vend të mos kish probleme të thella e ku të drejtat e njeriut të paktën të garantonin njëfarë mbarëvajtje sociale, nuk do të kish asnjë problem kjo Shfaqje Militantësh me maska Rastësorësh herë pas here. Mirëpo, duke qenë e ndërgjegjshme për problemet sociale e mungesën e Politikave Reformuese, si shkak i hallakatjes diletanteske të Politikanëve Shqiptarë, uroj që të jetë duke i ardhur fundi kësaj Politikomanie që vetëshpallet si e re e të udhëheq e Bashkuar drejt Batakut të vjetër, duke lënë në harresë e të pazgjidhur çdo problem jetik të këtij populli hallemadh. Uroj që qytetarët ta kuptojnë Politikën si një mekanizëm që ndërton qytetërime, e jo më si një Xhaketë me prerje Moderne!
Politik! Një emër i bukur për një butik!

Δεν υπάρχουν σχόλια: