Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

Qytetar i një vendi ku kryeministri thotë: “Të Vras!”

Qytetar i një vendi ku kryeministri thotë: “Të Vras!”

Nga Erjon Veliaj
Ngjarja që krejt logjikisht zuri hapësirën më të gjerë në terrenin informativ e të analizave mediatike, këto dy ditë, është tepër e rëndë. Më kryesorja është se fakti final është i skajshëm: humbja e jetës së një njeriu, përpara një fakti të tillë, të pakthyeshëm e të pariparueshëm, së pari i detyrohemi të ndjerit dhe të afërmve të tij, respekt më heshtje.
Sot, na mbetet të themi një lutje, një lutje për Kostën, familjen e tij, një lutje për gjithë shqiptaret që sot më shumë se kurrë ndihen të trazuar e dekurajuar nga kjo humbje. Një lutje për njëri-tjetrin që të gjejmë kurajo të ngrihemi përtej frikës e paranojës në një aksion të mirëfilltë qytetar. Shqipëria nuk është Rusia, dhe nuk duhet ta lejojmë kurrë nëpërkëmbjen e Republikës sonë nga pushteti i frikës.
Njeriu që humbi jetën dje ishte i njohur edhe për publikun e gjerë si dëshmitari kyç i hetimeve për ngjarjen e rëndëtë Gërdecit. Pakujdesi apo qëllimshmëri momentalisht po e konsiderojmë më pak të rëndësishme para evidencës parësore se sistemi humbi dëshmitarin e tij kryesor më anë të të cilit të punonte për vënien në vend të drejtësisë rreth një tragjedie aq të madhe sa ajo e Gërdecit. Thënë thjesht: shteti dështoi të mbronte dëshmitarin e vet.
I kemi të gjitha arsyet dhe të drejtat të kërkojmë dhe të presim që jo thjesht të njihet hapur ky dështim më pasojën më tragjike, por edhe të hetohet dhe të provohet çdo prapaqëllim i mundshëm që tashmë është prekur nga media që ditën e djeshme, dhe që do ta shndërronin këtë ngjarje në një akt kriminal të parapërgatitur. Si i tillë ai do të dërrmonte themelet e shtetit aktualisht, themele këto që prej kohësh janë vendosur nga shumëkush në dyshim të fortë dhe aspak pa shkak. Në këtë rast dështimi nuk do t`i takonte vetëm sistemit të drejtësisë, por ca më shume do të nxirrte në pah çarjen e gjithë organizmave apo hallkave të tjera që synojnë t`i pranëvendosen artificialisht e në mënyre krejt të paligjshme.
• mbetemi të shqetësuar kur një kryeministër i thotë një deputeti haptazi ‘do të të vras’
• mbetemi të shqetësuar që strukturat e policisë se krimeve të rënda janë përmbytur më badigardë e të afërm të pushtetit të sotëm
Shoqëria jonë ka nevojë për kurajo dhe burrëri për ta përballuar mafien. Vdekja e z.Trebicka rrit pushtetin e mafies mbi shoqërinë, shton frikën dhe tenton të gjunjëzojë kurajën. Kryeministri duhet të shprehet mbi çështjen. Njerëzit sot janë në panik dhe besimi te institucionet ka rënë.
Është për të ardhur keq që Kryeministri i cili bëri spot për të ftuar qytetarët të denoncojnë korrupsionin nuk ka thënë ende asnjë fjalë për humbjen e jetës të një qytetari të ndershëm që bëri pikërisht këtë gjë, denoncoi korrupsionin
Që sot e tutje duhet të mendohemi mirë kur përmendim Gërdecin. Mund të jetë hera e fundit që u themi të dashurve tanë mirupafshim. Kosta ishte një qytetar i mirë dhe i guximshëm. Një hero, i cili nuk do të harrohet!

Δεν υπάρχουν σχόλια: