Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

Mos e murosni gruan!

Mos e murosni gruan!
Miranda Haxhia
Një grua i shpëtoi murimit. Është shumë larg legjendës, është një ngjarje që mori fund vetëm pak ditë më parë. Megjithatë e pati një fillim. Kjo histori filloi para trembëdhjetë vjetësh. Nuk është lajm politik që të vendoset në krye të edicioneve, nuk është një vrasje e thekshme që bën bujë. Pasi u mbyll një goxha kombinat i madh e i madh, ajo nënë me dy fëmijë të vegjël u gjend e papunë. Nuk u dëshpërua. Nuk u mërzit. E shtyu ca kohë me asistencën budallaqe dhe iu përkushtua rritjes së fëmijëve. Mimoza ishte vetëm 26 vjeç kur mësoi fjalën -shtëpiake. Pak nga pak filloi të mësojë gjithë të fshehtat e një “profesioni” të tillë. I pa me rrënjë e dhëmballë gjithë filmat dhe emisionet që i zinte syri në televizor. Mësoi gjithë llojet e gatimit, modelet e fustaneve, llojet e krehjes së flokëve. Lexoi dhe ca libra që i kishin mbetur në raft prej kohës së rinisë. Po pastaj? Këtu fillon drama e saj e vërtetë. Filluan grindet me fëmijët tashmë të rritur nga viti në vit. I shoqi fajtor për papunësinë e saj, bota e vështirë. Mimoza ndjeu si po rritej revolta e një personaliteti që po ndrydhej dhe po merrte formën e një shtëpie të vogël, e dy fëmijëve, e një bashkëshorti dhe asgjë prej vet asaj. Autoriteti i saj prej gruaje filloi të shpërfillej në biseda të vogla me fëmijët. Nuk e dëgjonin më si më parë, u vinte gati turp që nëna e tyre e re ishte e papunë. Feminiliteti i saj po rrënohej duke parë vërdallë si rrokullisej njeriu nga një ekstrem në një ekstrem, nga një dyqan i shtrenjtë rrobash në një garrumbull mbeturinash. Nuk po ndjente dëshirë të ngrihej, të lahej, të vishej, të krihej e të nisej për diku, jashtë shtëpie. Plogështia e zaptoi pak nga pak duke i shtuar një dhimbje koke monotone. Qante për një ngacmim të vogël dhe të parëndësishëm qoftë edhe prej djalit të saj adoleshent. Nuk i duronte dot fëmijët kur i kërkonin një palë jeans, apo një bluzë me stampë të bukur. Përpëlitej në agoninë e boshësisë që kishte mbushur të gjitha vrimat e një njëzetë e katër-orëshi. Bota sa vinte e i largohej vështrimit të saj prej gruaje në kulmin e moshës. Kështu kaluan ditë pas dite, vit pas viti, trembëdhjetë vjet pa u ndjerë. Në çdo shtator ajo këmbëngulte në dyer zyrash me një dosje për të gjendur një punë diku. Sekretaret harronin gjithmonë ta lajmëronin për datën e konkurrimit, dosjet humbitnin nëpër zyra sharlatanësh. Ajo këmbëngulte dhe këmbëngulte sërish. Provoi të trokiste në dyer të panjohura me asnjë lloj rekomandimi nga “lart”. Vetëm me currikulën e vet. Askush nuk e qasi, qoftë edhe për një “bisedë kafe”
Megjithëse diploma e saj filloi të mbajë erë naftalinë, ajo i ndoqi përpikmërisht fëmijët e saj në mësime me nostalgjinë e shkollës që u bë nga ajo vet mes sakrificash në një kohë tjetër. Dhe aq më tepër që nuk mund të krahasosh një diplomë të asaj kohe me diplomën e sheqerosur e paguar në çdo provim. Ajo filloi të kuptojë se shoqëria sot qënka më e sigurt me politikën e çiliminjëve, sesa të sensibilizojë një brez të tërë intelektualësh e specialistësh të lënë mënjanë, në hije, të harruar. Dhuna që ushtrohej mbi Mimozën nuk kuptoj nga vinte. Nuk vinte prej një bashkëshorti të dhunshëm, as prej një tutele për ta mbajtur mbyllur. Dhuna mbi moshën e Mimozës vinte prej një vendi të dekompozuar që e shtynte egërsisht, nuk e pranonte në ekzistencën e vet, atë do ta kujtonin vetëm si shtetase për një votë. Dikush i kujtoi se mund të fillonte me një përvojë politike. A thua se po të merrnin pjesë gratë në politikë, do t’i ndryshonin dëshmitë e pashkruara akoma për dhunën psikologjike, apo fizike, për nënshtrimin dhe plakjen para kohe të gruas? Jo se është skeptike, jo për snobizëm, por ndjen dendësinë e dashurisë për të arritur majat duke menduar vetëm hijen personale, masën e veshjes personale dhe llojin e preferuar të postit. Ajo i largohet kësaj lloj fantazme. Një grupim i tërë grash i organizuar që pret donatorë për të bërë trajnime?! Përse? Për t’u mësuar grave si arrihen shkallët e pushtetit?! Si hapen për to dyert e politikës? Nga ç’pushtet i duhet ta fillojnë, nga ai i bashkëshortit, i një breznie tjetër, i fëmijëve, i vetvetes? Nga ç’politikë t’ia nisin? Nga lumturia e të qënurit nënë e përkushtuar dhe amvisë e zonja dhe asgjë më shumë? Nga ankthi i përditshëm se a do kenë për të ngrënë sot fëmijët? Para dy javësh mbaroi historia e saj. Një njeri i mirë, një institucion privat, një kërkues këmbëngulës i njerëzve me vlerë profesionale e thirri për ta punësuar. Lajm i vockël. Nuk ia vlen të merren gazetat me të. Për Mimozën është më i madhi lajm i ndodhur këto trembëdhjetë vjet. Më i rëndësishëm se lufta në Irak, më i rëndësishëm se zgjedhjet në Amerikë, më i rëndësishëm se trafiku i armëve. Kanë ndodhur shumë ngjarje këto trembëdhjetë vjet. Mimoza e vlerëson mrekullinë që i ka ndodhur. Njeriu dhe shpresa janë si lulet, pak diell po të gjejnë, lulëzojnë. Mimoza është kujtuar më në fund të qeshë, ka harruar se ka dhimbje koke, se ka orë të gjata që mezi shtyhen. Ajo ka një qëllim për tu ngritur nga shtrati çdo mëngjes. Më shumë se fëmijët, më shumë se kuzhina, ajo po kupton vetveten. Pas trembëdhjetë vjetësh letargjie, një grua nuk u muros e gjallë brenda një shtëpie. Si kjo histori, pa arritur deri në fund, mund të ketë shumë, sepse sa të tjera janë ende në vazhdim të viteve të papunësisë? Sa gra dhe vajza vërtiten mes shpresës dhe zhgënjimit? Ku ta përplasin kokën, sa pa ua përplasur indiferenca e shtetarëve atyre kokën në jetën e rrumbullakosur prej shtëpiakeje.

Δεν υπάρχουν σχόλια: