Κυριακή 14 Σεπτεμβρίου 2008

Dhjetë vitet e pasinqerta ndaj Azem Hajdarit

Dhjetë vitet e pasinqerta ndaj Azem Hajdarit
Nga Mero Baze
Udhëheqësi i lëvizjes studentore, Azem Hajdari, po mbush dhjetë vjet i ndarë dhunshëm nga jeta, identiteti i së cilës u bë përmbysja e komunizmit dhe udhëheqja e partisë së parë opozitare në Shqipëri. Tetë vitet e jetës së tij politike, që e bënë të njohur për çdo shqiptar, janë tashmë të mbuluara nga dhjetë vite të tjera të pasinqerta ndaj tij, për të cilin duhet të ndjehemi borxhlinj, së pari si qytetarë dhe pastaj si njerëz politikë.
Dhjetë vite pas vrasjes së tij, shteti shqiptar dhe mbi të gjitha drejtësia shqiptare nuk ka marrë kurajën të hetojë dhe të shpallë publikisht motivin përse është vrarë Azem Hajdari dhe të zbardhë motivuesit. Ajo që kemi në dorë deri tani është dosja e një gjyqi ordiner, që ka shpallur fajtorë disa vrasës thuajse me pagesë, shumica e të cilëve janë zhdukur më pas. Premtimi i madh i PD dhe vetë zotit Berisha ka qenë hetimi dhe zbardhja e motiveve të kësaj vrasjeje politike, të më të rëndës në historinë e shtetit shqiptar. Autorët fizikë të vrasjes u identifikuan dhjetë minuta pas vrasjes, por dhjetë vjet më pas ne ende nuk kemi një histori të gjykuar të kësaj vrasjeje politike.
Dekorimi i djeshëm i Azem Hajdarit me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, dekorata më e madhe e shtetit shqiptar, është një respekt formal për të, respekt që ai e ka merituar, ndoshta që kur ishte gjallë, kur e linçonin duke e mbajtur larg partisë që krijoi dhe shumë larg pushtetit që qeveriste partia e tij. Biografia e tij politike është një leksion i rëndë dhe pesimist për të gjithë ata që kanë keqkuptimin se në Partinë Demokratike ka një sistem të vlerësimit të vlerave politike. Njeriu që e themeloi atë parti dhe u vra në emër të saj, nuk arriti të bëhej asnjë ditë ministër, nuk arriti të kishte asnjë post në parti, përkundër ngrirjeve dhe përjashtimeve, ndërsa të tjerë nga rruga u thirrën në pushtet në vend të tij dhe i bënin gjyqin atij. Kjo sëmundje vazhdon të mbetet e pashëruar në partinë që Azemi themeloi, me shpresë se do të vendoste rregulla loje demokratike për të gjithë.
Vrasja e Azem Hajdarit mbeti po ashtu një shembull dëshpërues për politikën, duke ndjellë një precedent ogurzi. Njeriu i pushkatuar politikisht para selisë së partisë që themeloi, ka dhjetë vjet që pret nën dhé së paku t’i zbardhet motivi përse u vra. Një klikë politike burracakësh e vrau dhe u përpoq duke ia arritur në njëfarë mënyre të njollosë vdekjen e tij, duke e lënë atë pa motiv, thjesht sikur të ishte zënë me të fortët e lagjes. Kjo i heq imunitetin çdo politikani, pasi të gjithë janë njësoj të rrezikuar nga ndonjë vrasje me motive politike, që për vite të tëra, duke u endur sirtarëve të drejtësisë sonë të korruptuar, mund të mbetet e pasqaruar dhe e përbaltur.
Përpjekjet diabolike të njerëzve në pushtet në atë kohë për të krijuar alibi për vrasjen dhe lidhje brenda PD ishin të fëlliqura. Akoma dhe sot vazhdon legjenda e mosvajtjes në prokurori të Sali Berishës, i cili në rastin konkret i ka denoncuar vrasësit 10 minuta pas tragjedisë, duke e bërë në të paktat raste më mirë se kushdo tjetër detyrën ndaj Azem Hajdarit. Akoma dhe sot vazhdojnë të bëhen aludime për njerëzit e përdorur nga shteti për vrasjen e tij. Dhe akoma dhe sot, prokuroria, e çliruar nga pesha e pushtetit që qëndroi pas vrasjes, nuk ka marrë guximin ta rihapë çështjen dhe të hetojë motivin e saj. Premtimi solemn i Sali Berishës për ta zbardhur këtë motiv, është një peshë e rëndë morale për të dhe PD në dhjetëvjetorin e ikjes së Azemit. Ata nuk mund të fajësohen përse nuk është rihapur kjo dosje, por po ashtu nuk e kanë aq të lehtë duke u shfajësuar se kanë punë të tjera të mëdha për të bërë. Vrasja politike e Azem Hajdarit, nëse nuk zbardhet si e tillë me gjithë detajet e saj dhe mbi të gjitha për motivin e saj, do të rrezikojë gjatë, për shumë vite dhe ndoshta dekada, politikanët shqiptarë që po tolerojnë një atentat të tillë politik të trajtohet si ordiner. Dekorimi i Azem Hajdarit na kujton thjesht vonesat që i kemi borxh atij politikani brilant që plumbat e mafies politike e sharruan në kulmin e jetës së tij politike dhe njerëzore. Ai iku duke na lënë në borxh të gjithëve, në borxh me historinë që prodhoi për ne dhe fatin e zi që e njëjta shoqëri prodhoi për të.