Πέμπτη 25 Σεπτεμβρίου 2008

Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur?

Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur?
Ardian Klosi
Çfarë i duhet një shteti që të jetë shtet i pavarur? Së jashtmi i duhet më së pari flamuri i vet dhe emblema kombëtare, pa i duhet të ketë një qeveri dhe një parlament, një imn e një ushtri, pulla poste të vetat, si dhe të jetë anëtar i Kombeve të Bashkuara, të presë dhe të dërgojë ambasadorë me vendet e huaja. Ndërsa së brendshmi, që të jetë i pavarur, i duhet të ketë një qeveri dhe një parlament, të pavarura në veprimet e tyre, komunitete qytetare që vetëvendosin me administrata në shërbim të tyre, një qeveri që i dëgjon këto komunitete dhe administrata dhe vepron në drejtimin që ato kërkojnë dhe që është në interes të të gjithë vendit.
Po t’i vështrojmë këto tipare të një shteti në krahasim me Shqipërinë, do të vërejmë se atdheu ynë i ka të gjitha simbolet e jashtme për të qenë shtet, me himn, flamur, pulla poste e të tjerat, por i mungojnë treguesit e tjerë, ata të brendshmit, për të qenë vërtet shtet dhe për të qenë vërtet i pavarur.
Shqipëria ka në letër një demokraci që nuk funksionon në realitet. Asgjëkundi, komunat ose bashkitë nuk veprojnë si zëdhënëse dhe bartëse të interesave të qytetarëve, për arsye se ose janë shumë të varfra për ta bërë këtë gjë, ose janë shumë të korruptuara dhe kështu plotësojnë njëherë interesat e vetvetes dhe të klaneve që i mbajnë gjallë, e ç’të mbetet shkon për ndonjë rrugë a ndonjë kabëll për qytetarët.
Duke qenë që demokracia në nivelin më të ulët nuk funksionon, nuk funksionon as parimi i subsidarietetit, domethënë ngjitja shkallë-shkallë e vullnetit të qytetarëve deri në qeverinë qendrore. Qeveria qendrore, pasi merr mandatin e saj katërvjeçar prej votuesve, vepron praktikisht si një organizëm krejt i pavarur nga këta votues, vendimet e saj kanë nevojë veç për një shumicë të thjeshtë në parlament, për opinionin publik mjafton pak demagogji e liderve politikë.
Po mirë, mund të thuhet, këtu kemi të bëjmë me autarki, si jodemokraci, kurse pavarësia në vetvete nuk diskutohet.
Mirëpo pikërisht këtu, në nivelin më të lartë, shfaqet problemi i pavarësisë. Qeveria a qeveritë shqiptare prej vitit 1992 kanë vepruar si organizëm i pavarur ndaj elektoratit, por jo si i tillë ndaj vendit të tyre dhe më gjerë, ndaj rajonit e kontinentit. Një shumicë e vendimeve të këtyre qeverive – nuk po sjellim shembuj, se janë të pafund – janë marrë ose në morsën e të ashtuquajturve ndërkombëtarë, ose pse kështu e ka dashur interesi i disa shteteve europiane a fqinje ose interesi i SHBA, ose, dhe ky rast i rëndomtë, pse kështu e ka dashur interesi i shumëkombësheve ose kompanive të fuqishme që janë bashkëbisedues apo diktues të këtyre qeverive. Si në rastin kur vendimet e qeverisë shqiptare janë diktuar nga qeveri fqinje a më larg, si në rastin kur diktati ka ardhur prej kompanive të mëdha, si në rastet e shumta kur nuk mund të flitet ndoshta për diktat por për korrupsion të pastër, një tipar është i kudondodhur: mungesa e pavarësisë dinjitoze të një shteti në vendimmarrje tepër të rëndësishme për të: pavarësia e vendit tonë, pavarësia e kombit dhe qytetarëve shqiptarë është cënuar rëndë nga vendime që shkojnë kundër interesave të tyre.
Një nga treguesit më të qartë që shtetit tonë i mungon pavarësia e mirëfilltë pasqyrohet në mungesën e një strategjie kombëtare. Është Shqipëria një vend kryesisht me karakter bujqësor-blegoral që përpunon dhe eksporton produktet përkatëse? Apo mos praktikon kryesisht industritë e lehta përpunuese? Është Shqipëria një vend tregtar që i nxjerr fitimet kryesisht nga qarkullimi i mallrave dhe i njerëzve përmes territorit të saj? Apo mos është Shqipëria një vend kryesisht turistik, çka do të përputhej me natyrën dhe peizazhet e saj aq tërheqëse dhe me drejtimin që kanë marrë vendet fqinje bregdetare? Asnjë gravitet prej këtyre, ose shumë pak nga të gjitha. Shumica e qytetarëve shqiptarë vazhdon të jetojë sot prej parave që prodhohen në vende të tjera, qofshin këto si fitime të emigrantëve, qofshin si veprimtari ndërtuese që e ka burimin po nga jashtë, qofshin si para e mbetur prej fitimeve që nxjerrin kompanitë e huaja në Shqipëri.
Po atëherë, cili është roli i qeverisë shqiptare në këtë ekonomi që ecën spontanisht, pa asnjë kriter e strategji? Në pozicionin normal politikanët qeverisës janë menaxherët më të mirë të një shteti, janë njerëzit që kallin vizionin e tyre ose vizionin e elitës së një vendi brenda një strategjie kombëtare, janë menaxherët që ndihmojnë të ngrihet në këmbë bujqësia, vreshtaria, blegtoria masive, pylltaria, industria nxjerrëse dhe përpunuese, shërbimet financiare dhe ato siguruese etj., etj. Asgjë nga këto. Po mirë, po ç’bëjnë atëherë qeveritarët tanë?
Qeveritarët tanë shesin. Po po, ata janë shitësat më të mëdhenj, më të paskrupullt e më të pakontrolluar të këtij vendi. Po të vëresh me kujdes, të gjitha veprimet më të mëdha, më të bujshme, daç të qeverive socialiste, daç të kësaj që kemi sot, janë shitjet: shitja e Bankës së Kursimeve, shitja e Aeroportit (edhe pse këto të dyja të suksesshme), shitja e Telekomit, shitja e Kasharit dhe një numri pikash të tjera të vendit për djegien e plehrave italiane, shitja e Sazanit, shitja e Karaburunit, shitja e pjesës veriore të Gjirit të Vlorës për TEC-e, Petroliferën dhe AMBO-n, shitja e zonës së Semanit për industri gjigande gazi, shitja e periferive të Elbasanit për TEC-e të tjera gjigande, shitja e zonës Krujë-Fushë-Krujë për pesë fabrika të hatashme çimentoje, shitja e qendrës së Tiranës për kazino, shitja e vendeve ende të panjohura të Shqipërisë për centrale bërthamore, degradimi i gërdallës KESH me sa duket për ta shitur, shitja e…
Po ç’nuk shesin këta? Le që ia kanë vënë edhe vetë çmimin tokës shqiptare: Zero ose 1 euro! Ka më poshtërim?! Njerëz që nuk dinë të organizojnë, që nuk dinë të ngrejnë në këmbë e të mbajnë në funksionim një shtet normal, njerëz me lakmi të papara për veten dhe për klanet e tyre, janë sulur me babëzi ndaj resurseve më të mira të Shqipërisë, ndaj tokave, pyjeve dhe plazheve më të virgjëra të saj, për të shitur sa më shumë brenda një kohe sa më të shkurtër. Pa pasur kurrfarë mandati nga qytetarët e Vlorës kërkojnë ta kthejnë atë gjë në gji nafte, pa marrë asnjë lloj lejeje nga popullsia në Krujë e Mamurras presin 150 hektarë pyll për industri çimentoje, që me ato kapacitete natyrisht që nuk është menduar për Shqipërinë, kërkojnë të përmbytin gjithë fshatrat e Dibrës për një hidrocentral që as ai nuk do të jetë pronë e shqiptarëve, por që jepet, si zakonisht, me koncesion për të huaj.
Në gjithë këtë ankth, ku Shqipërisë nuk i mbetet asnjë industri, asnjë transport, asnjë pikë energjie e asnjë telefoni e vetja, nuk është aq sedra kombëtare që goditet e vuan, por fakti tjetër që po merr konture përherë e më të qarta: Këtij vendi po i projektohet dhe realizohet një e ardhme e frikshme si abort i kontinentit. Po po, për ta thënë më popullorçe Shqipëria si qenef i Europës plakë. Këtu vijnë e shkarkohen depozitat e Malagrottas, këtu vjen dhe bën qejfin e saj në 18 hektarë “Petrolifera” për të mos ndotur bregdetin e Adriatikut kundruall, këtu janë parashikuar të paktën shtatë gjire bregdetare për depozita nafte e gazi, këtu derdhet terminali AMBO, këtu projektohen gropa për mbeturina të rrezikshme bërthamore… Shqipëria si një koloni mjedisore e BE-së dhe më larg. Dhe pastaj gjithë aktorët mjekërshkurtër që ngrenë gishtin lart si ndërkombëtarë të zemëruar, për të na thënë se nuk po bëjmë detyrat e shtëpisë! Ah, sa pak jemi që e dimë se ata kështu na duan, të varfër e kokëulur, servilë, pa ndërgjegje mjedisore e pa kurajo qytatare. Bëjnë pastaj sikur dëshirojnë të na futin në BE, por s’munden se fajin e kemi ne, politikanët tanë konfliktualë, krimi i organizuar dhe e shtyjnë dhe e shtyjnë anëtarësimin, heqjen e vizave, vendosjen e dinjitetit shqiptar për në kalendat greke.
Jo se jemi vetë ne shqiptarët më të mirë. Kemi shumë gabime dhe vetëdije vërtet të ulët ekologjike, që me mënyrën si sillemi me plehrat tona. Ndaj kur shohin ata këtë gjendje, thonë: po pse mos ua shtojmë ca plehra të tjera? Ata mbajnë e durojnë shumë!
Ja pra, kjo është pavarësia që festojmë sot. E bukur në simbolet e saj, prekëse në Sheshin e Flamurit në Vlorë, por e goditur dhe e cënuar keq në brendi, rrëqethëse aty ku ka filluar të pritet pylli i pishave pak mbi atë Shesh. Dhe më e bukura është se këtë pavarësi na e festojnë shitësat…
Por, po ta mendosh hollë-hollë edhe Ismail Qemali, 95 vjet më parë shpalli një pavarësi virtuale. Asnjë nga shtetet dhe fuqitë e mëdha të kohës nuk e njohu pavarësinë dhe shtetin e tij. Po kështu edhe ne sot i gëzohemi një pavarësie virtuale. Vetëm se shpeshherë në histori çmohet akti dhe vizioni. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe gjithë të tjerët bënë një akt të madh dhe patën ëndrrën e një Shqipërie zonjë të rëndë e me dinjitet. Prandaj dhe i nderojmë. Po kështu edhe neve na josh ëndrra e një Shqipërie të pavarur dhe normale, ku shitësat rrëzohen nga kolltuqet dhe dërgohen t’i bëjnë allishverishet e tyre në këmbë, në tezga normale, ndërsa populli nxjerr në krye përfaqësuesit e vet më të mirë.

Δεν υπάρχουν σχόλια: